LAJMI I FUNDIT:

Mos na lini pa histori: Ky vend nuk ka prodhuar vetëm trafikantë, prostituta dhe hajdutë

Mos na lini pa histori: Ky vend nuk ka prodhuar vetëm trafikantë, prostituta dhe hajdutë

Nuk dihet pse u tërhoq Ndrenika apo Asqeriu. Ndoshta dikush ka luajtur me naivitetin e tyre duke iu paraqitur një skicë-ide si projekt të mbaruar. Por, edhe nëse Asqeriu dhe Ndrenika janë dakord, kjo nuk mjafton. Pasi teatri nuk është pronë e tyre, por e gjithë shqiptarëve. Mbrojtja që i bënë ishte e vlerë e shtuar e biografisë së tyre. Ashtu sikurse askush nuk i fajëson pse nuk kanë qenë pjesë e protestave publike për çështje sensitive dhe i tradhtuan protestuesit në mes të rrugës. Por, godina e teatrit duhet të rrojë. Dhe, ka shumë më tepër arsye sesa qenia vend pune i Ndrenikës dhe Asqeriut.

Çfarëdo të ndërtohet në vend të saj, muret e godinës së re nuk do kenë dëgjuar zërat e Naim Frashërit, Sulejman Pitarkës, Violeta Manushit, Kadri Roshit, Sandër Prosit; ajo godinë nuk do ketë dëgjuar të qeshurat e Roland Trebickës. Sepse ajo godinë edhe në qoftë asbest i tërë, nuk shembet, sepse tre breza shqiptarësh janë ndriçuar në sallën e asaj godine. Gjermanët e ndërruan një qytet të tërë si Berlini lindor që ishte veshur me asbest, por nuk e shembën pikërisht sepse ajo ishte histori. Dhe mendo sa histori mund të ketë brenda godinave sovjetike krahasuar me teatrin tonë.


Sado e bukur të jetë godina e re nuk do të ketë ngarkesën emocionale që ka për shqiptarët kjo e vjetra. Nëse do ishte aq e kollajtë që vitet të zëvendësoheshin, italianët nuk do lodheshin, por do kishin bërë një Venecia të re në vend se të bënin diga si ajo e Mestres që ta ruajnë. Nuk do ketë vlerë ajo godinë teatri e ruajtur në foto, ashtu siç nuk ka vlerë asnjë foto e veprave të Da Vinçit; ashtu siç nuk ka vlerë Venecia e bërë nga amerikanët në Las Vegas, sepse asgjë nuk mund të zëvendësojë frymën njerëzore, historitë e miliona anonimëve që askush nuk iu mban mend emrin, por kanë qenë aty. Kjo vlen edhe për godinën e Teatrit Kombëtar.

Në këtë debat për teatrin pakkush foli se për të po bëhej kurban një godinë tjetër historike: ajo e laboratorit të hidroteknikës. Ne harrojmë se aty janë projektuar hidrocentralet, janë bërë maketet e digave, janë provuar bonifikimet e hapësirave të një vendi i cili para 70 vjetësh ishte vetëm male dhe moçale; është planifikuar ruajtja e vijës bregdetare, vijë e cila sot po gërryhet nga deti. Në atë hapësirë kanë punuar, eksperimentuar, marrë fryme dhe debatuar mendjet më të mira inxhinierike shqiptare. Sot nuk i kemi më. Ose kanë ndërruar jetë, ose kanë ikur. Por, ai laborator ishte një dëshmi se ky vend ka prodhuar edhe diçka më të mirë se trafikantë dhe prostituta.

Pas pak muajsh shqiptarët do të kenë një stadium të ri kombëtar. Do të jetë një kompleks, i cili nuk ka lidhje me të shkuarën. Në atë hapësirë nuk ka luajtur Loro Boriçi, Panajot Pano, Arben Minga, Përnaska, e të tjera yje të futbollit. Ajo hapësirë nuk do të ketë emocionet e miliona shqiptarëve që kanë derdhur adrenalinën e pafund në fushë dhe në shkallë. Çdo komb i qytetëruar do ta kishte ruajtur, do të kishte shembur tribunën ballore dhe qasur me projektin origjinal, sepse ajo është historia e Tiranës. Ndërsa krijesa e re që po vjen, nuk ka histori.

Sot, ashtu sikurse gjithë jeta jonë, debati është varfëruar në terma ekzistencialistë. Politika imponohet me dhunën e votave, vota të cilat kanë prodhuar një klasë politike të paditur, por ca më keq, fodulle. E cila me arrogancën e saj, po shemb njëra pas tjetrës edhe ato pak objekte, të cilat tregojnë një histori të re të këtij kombi, sepse, nëse për shkak të trazirave ku ka kaluar ky popull ne nuk kemi dokumente që provojnë lashtësinë tonë; nuk kemi godina që vërtetojnë origjinalitetin tonë, atëherë nëse shkatërrojmë edhe këto pak godina me histori të re, por të rëndësishme, kush mund të thotë se këtu ka ekzistuar një komb? /dritare.net/