LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Dubravës dhe sakrifica për të plagosurit: Shpëtimtari, Bislim Zogaj (Foto)

Masakra e Dubravës dhe sakrifica për të plagosurit: Shpëtimtari, Bislim Zogaj (Foto)

Të marrësh një jetë, është sikur ta vrasësh tërë botën; ta shpëtosh një jetë është si ta shpëtosh tërë njerëzimin. Këtë e thotë edhe judaizmi, e edhe islami. Bislim Zogaj u ballafaqua me ata që shkatërruan botën. E, në këtë kaos, i ballafaquar me forcat e Tanatosit, ai nuk u dorëzua, por luftoi e rezistoi për të shpëtuar jetë të tëra - një botë të tërë.

Përulet para atyre që dhanë jetën për këtë tokë. Por, shumë nga ata që vdekjen e panë me sy në Masakrën e Dubravës, i përulen sot atij. Sepse, Zogaj rrezikoi dhe shpëtoi shumë jetë njerëzish.

Pas humanizmit, modestia është një nga virtytet e tij. Thotë se kreu një detyrë dhe se nuk ishte i vetëm në aktin heroik të shpëtimit të jetëve. Por, kur kujton Dubravën e majit 1999, nuk mund të rri qetë. Kujtimet e hidhura trazojnë shpirtin e tij. Ai ishte i rrethuar nga vdekja, ndërsa sot nga dilema nëse ka mundur të bëjë më shumë!


Arrestimi i Nait Hasanit, caktimi i takimit me Zahir Pajazitin

Bislim Zogaj u lind me 27 prill të vitit1965 në fshatin Tërpezë të Komunës së Malishevës. Sot jeton në Komoranë, në Komunën e Drenasit. Ka mbaruar Shkollën e Mesme të Mjekësisë. Për 12 vjet rresht ka punuar në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas, si teknik medicinal. Është i diplomuar në nivelin master, për shkenca politike. Aktualisht punon si udhëheqës i bankës NLB në Drenas, ndërsa është edhe anëtar i bordit të PTK-së.

Qysh në moshën 16-vjeçare merr pjesë në demonstratat e vitit 1981, në Drenas. Më vonë ishte pjesëmarrës edhe i protestave të viteve 1988-89.

Veprimtaria e tij vazhdoi më tej, në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar, kur ka marrë pjesë në aksionin për pajtime të gjaqeve. Ndërsa, në vitin 1994 ishte kyçur në Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një vit më vonë bëhet pjesë e Shtabit Operativ të UÇK-së.

“Anëtarë të Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pos meje ishin: Nait Hasani, Zahir Pajaziti, Sokol Bashota, Rexhep Selimi, Lahi Ibrahimi. Nait Hasani, Xheladin Gashi e Sokol Bashota kanë qenë edhe anëtarë të Shtabit Qendror të UÇK-së”, ka thënë Zogaj për Telegrafin.

Lufta për të atëherë është parë si mundësia e fundit për t’u liruar nga okupatori serb. Si zonë e parë ishte Kosova, ndërsa Maqedonia ishte zona e dytë.

“Orientimet ishin që lufta të niste në Kosovë e që pastaj të zgjerohej. Një pjesë e Shtabit Qendror ka qenë brenda, ndërsa pjesa tjetër jashtë vendit. Kështu kemi vepruar deri në janar të vitit 1997. Më 27 janar të këtij viti është burgosur Nait Hasani. Xheladin Gashin (Plaku), ka ardhur tek unë për të më treguar për arrestimin e Naitit. Ai ma bëri me dije se duhet të ndërrojmë planin e veprimit, duke filluar nga zhvendosja e armatimit, meqë kemi menduar se nga torturat e mëdha Naiti mund të flasë. Por, përkundër vuajtjeve të mëdha, Naiti s’foli gjë. Por, ne e zbatuam këtë plan si preventivë”.

Komunikimi në atë kohë ishte i vështirë, por qëllimi disi arrihej për të siguruar informacionin. Pasi për tre ditë me radhë nuk e dinin se çfarë ka ndodhur me Naitin, me Plakun e organizuan një takim të Shtabit Operativ.

“Kam shkuar tek Plaku. Aty erdhi edhe Sokol Bashota, që kishte pseudonimin Mustafa. Kemi biseduar për caktimin e një mbledhjeje për ditën e hënë, në Malishevë. Malisheva ishte territor më pak i vëzhguar dhe UÇK-ja aty nuk kishte kryer ndonjë aksion. Në takim u ndanë detyrat se kush kënd ka për ta njoftuar. Sokol Bashota dhe Xheladin Gashi më obliguan që ta njoftoja Zahir Pajazitin për burgosjen e Naitit dhe për organizimin e takimit. Ndërsa, Sokolit i është dhënë detyra që ta njoftojë Rexhep Selimin”.

Posa kthehet në shtëpi në mbrëmje, Zogaj dëgjon një lajm tek Radio Zagrebi: “Një person është sjell në gjendje të pavetëdijshme – me lëndime në kokë dhe në bark – në Spitalin e Prishtinës, me emrin Nait Hasani”. Me të marrë këtë lajm, instinkti e shtyu Zogajn që ta bëjë një tentim për ta takuar shokun e tij. Por, jo çdo gjë shkoi ashtu siç mendohej.

Komunikimi me kode dhe prita serbe

“Sapo e dëgjova këtë informacion, kam shkuar menjëherë tek Xheladini. I kërkova leje që të shkoja në spital dhe të shikoja se si është. Përgjegjësinë Xheladini e la tek unë. Meqë isha punëtor shëndetësor, mendova që depërtimi do të jetë më i lehtë. duke u mbështetur edhe tek kolegët e mi. Të nesërmen në mëngjes shkova tek një shok i Sllatinës që punonte në spital. Ai ma bëri me dije se nuk është paradite në punë, por pasdite”.

Nga Sllatina kthehet në punë. Atëherë e telefonon Zahir Pajazitin (Ismetin). Për të mos u përgjuar në telefon, flisnim me kode.

“I thashë: ‘A ke mundësi të takohemi të hënën në Malishevë rreth orës 12:00, të takojmë atë vajzën që më ke thënë me t’i ndreq punët’. Ai më tha: ‘Për shkak të një obligimi nuk kam mundësi, mirëpo nëse është e mundur të takohemi sot në orën katër në Prishtinë’. Më pyeti për Naitin (me pseudonimin Abazi), duke më thënë: ‘A do jetë Abazi aty?’. I thashë që është në spital. Sërish më pyeti: ‘Nga ndonjë sëmundje ngjitëse’. I thash se po. Atëherë e lamë takimin tek Stacioni i Autobusëve. Unë gjithnjë e kam pasë përshtypjen se Zahiri ka qenë njeri i përgatitur në të gjitha aspektet, prandaj u pajtova me propozimin e tij”.

Zogaj, edhe pse burrë i fortë në karakter, emocionet e mposhtin duke vazhduar rrëfimin e tij. Sepse, ky takim kishte pasoja tragjike: rrugët e tij e të Zahirit ndahen, për të mos u takuar më kurrë.

“Ishte 31 janari i vitit 1997. Të dy kemi hyrë në të njëjtën kohë në Stacionin e Autobusit. Ai ka hyrë nga mbrapa, ndërsa unë përpara Stacionit. U takuam në mes. Ma bëri me kokë tek drejtimi mbrapa Stacionit. Filluam bisedën. Ia tregova edhe njëherë komplet situatën se Naiti është burgosur, se është në spital, dhe se për shkak të tij duhet të vendosim se si do të veprojmë tani e tutje. Ngaqë kishte obligime tjera, e lamë që edhe nesër të takoheshim sërish në Prishtinë. U sqaruam edhe për kodet se si të merremi vesh në telefon. Ai u nis prej Stacionit të Autobusëve mbrapa, në drejtim të urës për në Mitrovicë. Ndërsa, unë përmes rrugës kryesore në drejtim të Spitalit. Dola nga rruga kryesore. Atëherë ka qenë rrugë me dy korsi. Instinktivisht e kam parë një femër që më shikonte. Momentin që e kam parë unë, ajo ka filluar të ecte. Një metër para se të takohet me mua e ka ulur kokën. Në atë moment mua menjëherë më erdhi mendimi që diçka nuk është në rregull”.

Zogaj thotë se ishte vullneti dhe forca që nuk e mposhtën në atë moment, edhe pse ishte pranë një kurthi. Ndërsa, shton se ka qenë i përgatitur të vdes e jo të bie i gjallë në duar të serbëve. Mu për këtë, ai zgjedh “vetëvrasjen”!

Arrestimi dhe torturat çnjerëzore

“I dija torturat e tyre. Dola në rrugë për të më shkelur vetura. Është e pabesueshme se si ka frenuar vetura. E shfrytëzova rastin dhe ika sërish. Dy vetë ishin mbas meje duke më përcjellë. Krijova distance me ta deri në tre metra, duke hyrë përmes njerëzve. E dija që në njerëz nuk gjuajnë. Mirëpo, kur kalova turmën e njerëzve duhej të ngjitesha përpjetë e të hyja tek soliterët. Kur e ktheva kokën, kishin qenë tre vetë me armë në duar. E mendova që këta mund të më plagosin dhe të më kapin të plagosur, ndaj ndalova”.

Këtu fillojnë torturat e Zogajt. Zahirin dhe dy shokët e tij, fatkeqësisht i gjeti vdekja.

“Sapo ndalova, filluan të më godasin. Ma çanë kokën. Për 30 sekonda ka ardhur një veturë me ngjyrë të kuqe. Ma vendosën një thes në kokë dhe më futën brenda aty. Më dërguan në ndërtesën e sigurimit shtetëror. Për 20 minuta nuk më kanë prekur. Pas dy ditësh e kuptova që Zahir Pajazitin atë ditë e kishin vrarë. Kur më kapën mua, pjesa tjetër kishin qenë duke shkuar pas Zahirit. Edhe ai kishte rënë në pritën e tyre. Kanë mundur të na kapin të dyve, sepse në Stacionin e Autobusëve kishim qenë që të dy të vëzhguar. Policët serbë e kanë ditur që Zahir Pajaziti nuk ka lëvizur asnjëherë i paarmatosur. Ata me siguri kanë menduar se edhe unë mund të kem armë. Një grup e përcillte atë, e një tjetër mua. Pas 20 minutave, përafërsisht kur e kanë mbaruar aksionin me Zahirin, kanë ardhur tek unë”.

Errësira, dhimbjet dhe vuajtja ia kaplojnë shpirtin. Zogaj bëhet një me to. 15 veta i vërsulen për ta rrahur, të prirë nga një person më i vjetër që fliste shqip.

“Torturat zgjatën nga ora 16:30 deri të nesërmen në orën 15:00 – pandërprerë. Ndërkohë më gjuanin ujë. Sapo më kalonte pak, ia fillonin sërish. Prej datës 1 shkurt e deri më 13 mars më kanë torturuar pandërprerë. Torturat kanë qenë nga më çnjerëzoret: me elektroshok, shqelma, shkopinj gome, boksa etj. Për dallim nga shokët tjerë, torturat tek unë kanë zgjatur më shumë, sepse për sigurimet shtetërore isha i panjohur. Asnjë argument nuk e kishin për veprimtarinë time. Vazhdimisht mohoja. Më thoshin ‘fol’, e unë nuk flisja. Fillonin sërish me tortura. Nuk flisja që të mos i dëmtoja shokët. Rreth një muaj e gjysmë kam përjetuar të tilla tortura fizike dhe psikike”.

Nga burgu në burg, nga vuajtja në vuajtje

Transferimet e tij nëpër burgje nuk kanë të ndalur. Nga Prishtina atë e dërgojnë në Burgun e Lipjanit, për ta dërguar më vonë nëpër burgjet e Serbisë.

“Në janarin e vitit 1998 më dërguan në Burgun e Lipjanit. Aty qëndrova deri në shtator. Pastaj më transferuan në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Aty, një i burgosur për vjedhje (Ragip Foniqi) – me të cilin kam qenë edhe në Burgun e Lipjanit – kishte bërë një gënjeshtër për përfitimet e tij personale, gjoja se në Burgun e Lipjanit, në bisedë e sipër me Shkëlzen Zariqin, kisha bërë një organizim për lirimin tonë. Gardianët serbë në Burgun e Sremit na morën në pyetje. Mirëpo, unë mohoja çdo gjë, sepse asgjë nuk ishte e vërtetë. Kur e sollën të burgosurin shqiptar, ai pohoi fjalët e tij. E kam pështyrë duke i thënë: ‘Zoti të marroftë, qysh s’po të vjen marre’. Gardianët filluan të na rrahin. Na dërguan në vetmi, e sa herë që vinin çdo herë na rrihnin. Nuk e kisha më problemin tek vetja, por tek Shkëlzeni, sepse ishte i ri, vetëm 18 vjeç.”.

Zogaj dënohet me pesë vite burg. Në Srem qëndron deri më 26 prill, ku takon Nait Hasanin, Ukshin Hotin, Bajrush Xhemailin etj. Transferimi i radhës – për tre ditë – ishte në Burgun e Nishit.

“Kur kemi zbritur nga autobusi në Burgun e Nishit, ishte kordoni i gardianëve – rreth 50 metra nga të dyja anët. Çdonjëri duhej të hynte nëpër atë kordon. Aty na priste dhuna fizike, deri në mbarim të kordonit. Shkëlzeni, që ishte i ri, më thotë: ‘Baci Bis, çka u bo’? Për ta ngushëlluar i thashë që deri sa të na vjen radha, ata lodhen”.

Dhuna fizike nuk është kursyer. Maltretimet e të burgosurve ishin të vrazhda dhe pa mëshirë. Por, edhe forca tek të burgosurit shqiptarë nuk mungonte.

“Nezir Zogajt, një 65-vjeçar, gjatë kalimit nëpër kordon ia kanë thyer këmbën. Një tjetër, Hasan Zenelit, kur ka ecur përgjatë kordonit lëndohet në kokë e bie në tokë. Nait Hasani ka shkuar dhe e ka kapë. Gardianët iu gjuajtën si kuçedrat. Për Naitin atëherë ishte më e rëndësishme ta shpëtonte shokun. Një tjetër të burgosur, Besnik Ismaili, goditet në kokë aq sa gjaku i shkonte rrëke. Pasi kaluam këtë tmerr, në dhomë e gjetëm një peshqir. Me zor ia kemi ndalur gjakun”.

Të nesërmen, më 27 prill, të burgosurit ndahen në dy dhoma në katin përdhes. Gardianët i nxjerrin ata, kinse për t’i pastruar. Por, secili “pastrimin” e lante me dajak.

Drejtë ferrit – Dubravës

“Më erdhi radha. Isha me një shokë timin, Shefket Topojanin. Posa dolëm, me sa kishin fuqi nisën të na godasin. Nuk kishin mëshirë. Kur shkuam tek koshi i plehrave në oborr, shikuam të burgosurit serbë që kishin dalë nëpër dritare dhe bërtisnin: ‘Ubijte ih’ (mbytini). Gardianët merrnin forcë nga fjalët e tyre dhe pa ndalë na godisnin, si të ishim kafshë. Ajo torturë ka zgjatur mbi një orë”.

Dhimbja për shokët e tij nuk e lë pa e shoqëruar edhe sot gjatë jetës. Me shumë trishtim ai flet edhe për momentin kur gardianët serbë kanë ushtruar dhunë mbi Ukshin Hotin.

“Atë mbrëmje kanë ardhur dy gardianë. Njëri e njohu Ukshinin. E kanë nxjerrë nga rreshti dhe e kanë rrahur pamëshirë, në prezencën tonë. Tortura ka zgjatur rreth 20 minuta. Ai nuk lëshonte zë. Ishte njeri i fortë”.

Njeriu qenka i fortë të përballojë çdo gjë. E këtë e dëshmon edhe transferimi tjetër në Kosovë, për në Burgun e Dubravës, ku vjen në pah proverbi shqiptar se “vdekja është më afër këmishës”.

“Edhe më datë 28 prill kanë vazhduar më tortura. Të nesërmen na kanë transferuar për në Dubravë. Na është dukur se po shkojmë në një burg pushimore. Aty pata thënë: ‘Edhe nëse më vrasin, s’ka gjë, se jam në Kosovë’”.

Në burgun e Dubravës të burgosurit nuk kanë përjetuar tortura, mirëpo skenari i përgatitur nga ana shtetërore e Serbisë kishte një qëllim makabër: vrasja e të burgosurve politikë dhe akuzimi i forcave të NATO-s se ata kryen krime ndaj të burgosurve shqiptarë.

“Kam qenë në pavijonin B. Ishim 43 të burgosur politikë. Ishin edhe ca të burgosur të lirë të vendosur në një tjetër pavijon. Në mesin e tyre ishte edhe Istref Hasani. Ata kishin transistor dhe dy herë kemi arritur që të informohemi për situatën në Kosovë përmes tyre. Metoda e arritjes deri tek informacioni ishte përmes bukës. Istrefi i shkruante informacionet në letër dhe i vendoste në mes të bukës. Një i burgosur, i cili e sillte ushqimin, na e bënte me dije se në bukë ka diçka. Lajmëtari njëherë i drejtuar Avni Klinakut dhe herën tjetër Nait Hasanit”.

Edhe pse informacionet ishin të zbehta dhe jo me përmbajtje të madhe, për ta ishin lajme motivuese dhe domethënëse: lufta po vazhdon, shpresa nuk ka humbur!

Ndarja nga Ukshin Hoti, bombardimet, masakra…

“Nga Burgu i Nishit deri në Burgun e Dubravës nuk kam parë asnjë njeri. Kisha frikë se mos krejt Kosova ka mbetur pa asnjë shqiptar. Informata e parë ishte së UÇK-ja po lufton, sidomos në zonën e Drenicës, me fitore. Ndërsa, informata e dytë ishte se një pjesë e popullatës janë në Shqipëri. Vetëm një grup i caktuar e kemi ditur për këto letra”.

Kur përmendet Dubrava, Zogaj e vlerëson shumë lart kontributin dhe veprimtarinë e Nait Hasanit – organizimet e tij për t’i kaluar vështirësitë më lehtë.

“Me Ukshin Hotin kemi qenë në një pavijon. Në atë kohë kishim problem për cigare. Naiti ua mblodhi të gjithëve cigaret për t`i shpërndarë proporcionalisht. I kemi privilegjuar dy të burgosur: Ukshin Hotin se i kishte ditët e fundit të burgut, dhe Hajdin Ramën se ishte më i vjetri në moshë”.

Më 16 maj ishte dita kur “lirohet” Ukshin Hoti e kur të burgosurit tjerë e kanë përcjellë nga dritaret e burgut deri tek dalja, për të mos dëgjuar më gjë për të. Tre ditë më vonë ndodhi sulmi i NATO-s mbi burg.

“Kemi qenë në pavijonin B. NATO ka bombarduar pavijonin C. Në atë moment të gjithë kemi tentuar të dilnim tek dera. Për fat, erdhën të burgosurit e tipit më të lirë dhe me çka patën i thyen grilat. Dolëm në oborr. Instiktivisht shkova në pavijonin C, aty ku bombardoi NATO”.

Zogaj ishte shpresa e vetme tek shumë të plagosur. Ndërsa, thekson se qëmoti e kishte ndjenjën për t’u dalë në ndihmë nevojtarëve. Ai kujton vitin 1985, kur një autobus ishte përplasur me trenin. Në këtë aksident kishin vdekur pesë persona e shumë të tjerë ishin lënduar. Zogaj ishte i pari që kishte shkuar të jepte ndihmën e parë, si punëtor në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas. Pastaj, ishte 15 janari i vitit 1990, kur në një protestë forcat serbe kanë vrarë tre veta dhe 40 të tjerë i kanë plagosur tek hekurudha në Drenas. Ai prapë ishte i pari ndihmëtar në vendngjarje. E, këtë ndihmë në rrethanat më të rënda e dha në Dubravë.

“Në pavijonin C kishin mbetur tre të vdekur. Tre të tjerë nxirren të plagosur. Njëri ecte vet, ndërsa dy të plagosur i kemi bartur me batanije deri tek vetura e ndihmës së parë. Nga plagët që kishin, kam menduar që të dy kanë vdekur, sepse njëri krejt ashtin e kokës e ka pasë jashtë. Atë e takova, të gjallë, tek në Burgun e Pozharevcit”.

Në bartjen e të plagosurve e ka ndihmuar edhe Abdyl Gafurrluma, i cili u vra ditën e masakrës së Dubravës, më 22 maj 1999. Gjatë kohës së bombardimeve, personeli i burgut rrinte jashtë.

Drejtë vdekjes

“Më datë 21 maj përsëri kanë filluar granatimet. Granatimet e asaj dite ishin më të mëdha dhe më të frikshme. Nuk e dinim nga po vinin. Ka pasur shumë të plagosur dhe mundësitë për të ndihmuar ishin shumë të vogla”.

Një rast i veçantë për Zogajn ishte kur dy djem, në moshë të re, u plagosën rëndë. Ndërsa, të gjithë të plagosurit kishin nevojë për ndihmë. Këto momente e trazojnë edhe sot e asaj dite.

“Njërit iu ça shpina e organet i dolën jashtë. Ndërsa, tjetrit iu këput kofsha. Ata nuk kishe mundësi t’i shpëtoje. Në pyetje ishin pesë a gjashtë minuta për të dhënë shpirt. Kërkonin ndihmë, na thoshin mos t’i lejmë vetëm – duke na thirr në emër. Mua më njihnin si vendasin e tyre, ndërsa Naitin si personalitet. Unë duhej patjetër edhe të tjerëve t’ju ndihmoja. Ishte momenti më i rëndë për mua, meqë isha në mes dy zjarreve. Ato gjashtë minuta kanë qenë më të gjatat në jetën time. Nga bombardimet e NATO-s mbetën të vrarë 25 persona dhe 31 të tjerë të plagosur”.

Ndihma për të plagosurit ishte e rëndë në ato kushte. Tërë nata Zogajn e përcolli duke u kujdesur për të plagosurit.

“Të gjithë të plagosurit në mbrëmje i kemi renditur tek Fusha e Sportit, mbi disa dyshekë. Për t`ua dhënë ndihmën e parë të plagosurve, i kemi shfrytëzuar fanellat tona duke i grisur. Në plagët e rënda e me gjakderdhje të mëdha, e merrja ndonjë gur të lidhur për një fashë dhe me anë të presionit u mundoja ta ndaloja gjakun”.

Mëngjesi i 22 majit të burgosurit i priti jashtë. Ata janë ftuar nga forcat serbe gjoja që t’i transferojnë diku tjetër – për sigurinë e tyre. Por, realiteti ishte ndryshe.

“Shkuam për t’i marrë rrobat në pavijone dhe filluam të grumbullohemi tek Fusha e Sportit. Kur filluam të renditemi, ne – grupi i të burgosurve të Mitrovicës së Sremit – dolëm nga fundi i rreshtit. Sapo kemi arritur në fund, ata filluan të gjuajnë me të gjitha llojet e armëve. Ishte një llahtari. Fillova të vrapoja. I kisha dy çanta me rrobe të mia në dorë të cilat, si i humbur, nuk i kam lëshuar derisa ma kujtoi dikush nga të burgosurit”.

Për t’i ikur tmerrit nga i cili kanoseshin nga momenti në moment, ata vazhduan me shpejtësi të madhe drejt pavijoneve. Ndihma ndaj të plagosurve për Zogajn as këtu nuk është kursyer.

Duke pritur…

“Kur ndaluan pak gjuajtjet, filluam të vrapojmë në drejtim të pavijonit B. Të plagosurit që ishin në oborr, nga bombardimet e NATO-s, ashtu si ishin të shtrirë mbeten – disa të vrarë. Në ambulancën e burgut merrnim ato që ishin aty për të dhënë ndihmën e parë. Erdhi Fadil Gjylani i anës tonë, i cili ishte plagosur. Plagën e kishte në shpinë. E mjekova atë të parin dhe pastaj vijnë të tjerët. Arsim Zogiani ishte plagosur në krahë dhe në kokë. Më tha që po i vinte për të vjellë. E dija që shpëtim nuk kishte. I dhashë ndihmën e parë, por nuk kaloi shumë dhe vdiq. Shkova tek pavijoni C, sepse ishte më afër të plagosurve. Bajrush Xhemajli dhe unë e kemi marrë të plagosurin e parë, Ahmet Demirin nga Gjilani. Rrezikshmëria ishte e madhe për ne. Ata gjuanin. Qëndrova tek pavijoni C, ndërkohë që të tjerët m’i sillnin të plagosurit”.

Organizimet ishin pjesë e gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën ndodheshin. Bislim Zogaj ishte personi mbikëqyrës për dhënien e ndihmës së parë. Të tjerët kishin rolin e mbrojtjes, të sigurimit të ushqimit etj.

“Gjithmonë jam marrë me të plagosurit. Është shumë interesant se si në ato kushte e kemi dhënë ndihmën e parë. Kemi pasur shumë pak raste të infektimit. Jodi na ka ndihmuar në atë situatë. I ndanim detyrat: dikush lidhte plagët, dikush tjetër griste çarçafët për t’i bërë fashot etj.”.

Nata e 22 majit ishte shumë stresuese për ta. Gjendja e gatishmërisë ka vazhduar deri të nesërmen në mëngjes, më 23 maj, kur në kompleksin e burgut futen shumë civilë e ushtarë të armatosur.

“Të gjithë të burgosurit kemi qenë të ndarë: një pjesë në pavijonin C dhe shumica më e madhe në pavijonin te Kuzhina. Serbët na thoshin që të dilnim me arsyen se donin të na dërgonin diku tjetër. Nuk e dinim a të shkojmë a jo. Në fund u vendos që të dilnim. Naiti na e tha një fjalë: ‘Vëllezër, ne po shkojmë drejt vdekjes, po ky gjak i yni do të sjell lirinë e Kosovës’. Filluam të përqafohemi në mes vete. Ishte përqafimi i fundit – drejt vdekjes”.

Të burgosurit u mblodhën në Sallën e Sportit. Edhe aty Zogaj e dha ndihmën e tij. Gardianët ishin kudo, edhe nëpër dritare me automatikë. Bindja ishte se do t’i vrasin, sepse ata kanë gjuajtur kënd e kanë parë – nëpër puseta e vende të tjera.

“Gardianët filluan të japin ujë dhe cigare. Mbas një ore erdhi një gardian dhe pyeti se kush di të japë ndihmën e parë. I mendova dy gjëra: po të çohesha do më vrisnin e, nëse jo, dikush tjetër do ishte në vend meje. Vendosa të ngrihem, duke e llogaritur dhe pushkatimin. Gardiani më tha të qëndroja aty ku isha, sepse kishte të plagosur të cilët kishin nevojë për ndihmën time. E pastruam vendin që ishte me xhama. Të plagosurit filluan të barten. Kishte shumë të plagosur të rinj”.

Vuajtje deri në liri

Fshehjet e të burgosurve nëpër puseta dhe gypa të ngrohtoreve nuk mungoi. Shumë nga ta vriten. Dhjetë të tjerë ishin fshehur poshtë ngrohtores, e të cilët e pësuan me nga një plumb në ballë. Këtë skenë e panë dhjetë të tjerë lartë nëpër gypa. Njëri nga ta ishte vëllai i njërit që mori plumbin në ballë e s’ka guxuar as zë të nxjerr.

“Avdyl Xhemil Alimani i Tetovës ishte plagosur shumë rëndë në pusetë. Liburn Aliu erdhi më tregoi për gjendjen e tij. Kur e kanë sjell, këmba e tij rridhte gjak. Ia ndalova gjakderdhjen. Kur mbas dy ore ai tenton të ngrihet në këmbë dhe më thotë ‘o doktor po më merren mendtë‘, i thash: ’Rri aty, ti shyqyr që je gjallë. Po qysh s’të merren mendtë’. Një tjetër, Valdet Rama i Likovcit, ishte shumë rëndë i plagosur. Ngado që e ktheja kishte plagë në trupin e tij. Ndërsa, një tjetër e kishte fytin komplet të dalur jashtë”.

Sipas tij, 109 të plagosur kanë qenë të palëvizshëm. Mbi 300 të tjerë ishin të plagosur më lehtë. Ndërsa, të vdekur ishin rreth 120 persona. Të gjithë të mbijetuarit ishin të përgatitur dhe pajtuar me vdekjen. Por, këtë herë transferohen për në Burgun e Lipjanit.

“Gjatë tërë natës jemi përkujdesur për të plagosurit, së bashku me Asllan Selimin, Isak Shabanin, Abaz Qerimi, Frashër Shabanin, Aqif Ilazin, Shefqet Kabashin dhe Dylber Bekën. Në mëngjesin e datës 24 maj, kanë ardhur shtatë autobusë. Aty hipën të burgosurit. Ndërsa, të plagosurit i transportuan me tre kamionë. Aty kam hipur unë, Asllan Selimi, Dylber Beka e Nait Hasani. Kur kemi arritur në Lipjan, ka qenë kordoni i gjatë i gardianëve. Të plagosurit i kemi bartur e sa herë kemi kaluar na kanë goditur. Minimum 20 herë e kemi kaluar atë kordon. Drejtori i atij burgu ishte prezent. Quhej, Luba Qimburoviq, i cili na vëzhgonte. Në Burgun e Lipjanit isha në dhomë me Asllanin dhe Dylberin. Aty qëndruam 16 ditë”.

Kur u bë Marrëveshja e Kumanovës, më 9 qershor, Zogaj transferohet në Burgun e Nishit – i lidhur. Të burgosurit ishin aq të paushqyer, sa që “ia numëronin brinjët njëri-tjetrit”.

“Nga mungesa e ushqimit njerëzve u binte të fikët. Kjo ka zgjatur katër muaj. Ndërkohë, filluan vizitat e familjarëve. Na sillnin ushqime që i ndanim bashkë të gjithë. Të burgosurit edhe rrenat e bardha i motivonin në aspektin psikologjik “.

Bislim Zogajn torturat e kanë përcjellë deri në lirimin e tij nga Burgu i Quprisë, më date 9 mars të vitit 2001.

“Njeriu, kur është i përgatitur psikikisht, i kalon të gjitha – si torturat fizike edhe ato psikike”, thotë Zogaj në fund të bisedës. /Elfije Boletini/Telegrafi/

LEXO PO ASHTU:
Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)
Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)
Masakra e Dubravës (3): Krim institucional i Serbisë (Foto/Video, +18)
Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja
Masakra e Dubravës (5): Të gjithë prisnim… vdekjen! (Foto)

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori