LAJMI I FUNDIT:

Lulzim Emini në krye të QKUK-së

Lulzim Emini në krye të QKUK-së

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj caktoi Lulzim Eminin, ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa ky vendim arsyetohet pasi “Ali Sadriu, drejtor ekzekutiv i QKUK-së është kandiduar deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Në njoftimin e MSH-së thuhet se në bazë të dispozitave të nenit 5 paragrafi 5.4 pika (a), (b), (c), të Rregullores nr. 20010/19 mbi Degën e ekzekutivit të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, sekretari i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj ka marrë të enjten vendim që Lulzim Emini, anesteziolog, të caktohet ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të QKUK-së.

“Ky vendim arsyetohet me faktin se z. Ali Sadriu, drejtor ekzekutiv i QKUK-së është kandiduar deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bazuar në nenin 47 të Ligjit 03/L-149 dhe Udhëzuesin Administrativ nr. MAP-01, i cili e obligon të marr pushim pa pagesë”, thuhet në njoftim.


Me vendimin për caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, sekretarit permanent i MSH-së anuloi edhe autorizimin numër 6926, të datës 24 nëntor 2010, lëshuar nga drejtori ekzekutiv i QKUK-së, për udhëheqjen e QKUK-së përkohësisht nga një bord, pasi që ky autorizim thuhet se është nxjerrë nga organi jokompetent, në kundërshtim me autorizimet dhe përgjegjësitë ligjore.

Ndërkohë, gjatë kohës sa Lulzim Emini do të ushtrojë detyrën e tij, pagesa u tha se do të behët në nivelin e pozitës së drejtorit ekzekutiv, kurse Njësia e personelit e administratës së QKUK-së, është e obliguar të kryejë procedimin dhe administrimin sipas procedurave të përcaktuara ligjore, meqë vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga sekretari permanent. /Telegrafi/