LAJMI I FUNDIT:

Kur isha 18 vjeç: Ka Zot, ka!

Kur isha 18 vjeç: Ka Zot, ka!

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –

Nga: Ramiz Kelmendi


Kur isha 18 vjeç nuk isha …18 vjeç. Isha shumë e shumë më i vjetër. Isha 28 vjeç. Isha 58 vjeç. Isha më i moshuar nga ç’jam sot, kur jam 70 vjeç. Do të thuash dhe, me siguri, edhe do të habitesh: si ka mundësi? Si është e mundur. Ja që edhe kish mundësi, edhe ishte e mundur …

1.

Ç’gjetje e mirë kjo e kësaj së përjavshmeje, me të cilën më lidhin kujtime nga më të bukurat si gazetar i ri, madje më i riu në atë redaksi të stërdikurshme! Gjetja: t’ia ndalësh, për një çast, “rritën” bashkëbiseduesit, t’ia japësh një “tajm-aut” moshës së tij të shtyrë, ta shkëputësh nga kënaqësia e padurueshme e moteve që mban mbi supe, në njëfarë mënyre edhe ta çpleqërosh dhe, si me ndonjë “hokus-pokus” a “abrakadabra”, ta bësh jo më pak se një – 18-vjeçar.

Sa gjë e bukur!

Kur unë isha 18 vjeç, viti ishte 1948. E në vitin 1948, në këtë vit të thyerjeve shumë të mëdha në shoqëri dhe në jetën time shumë të vockël, gazetaria jonë, pothuajse e paqena gazetari, ishte e tëra – mashkullore. Pa asnjë femër. Kishim një ta quaj fletushkë, zor se mund të konsiderohej gazetë, në kuptimin e sotëm, një si buletin, “Rilindjen”, me gjithsej dy-tre gazetarë, nga të cilët njihja si emër vetëm Haki Hoxhën. Njeriun që, ndonjë vit më vonë, do të më jepte mësimet e para praktike mbi gazetarinë. Haki Hoxhën, gazetarin më të parë këtu ndër ne, që e shihja si të shenjtë dhe e adhuroja, sepse kish studiuar në Itali, unë e pata mësues. Model që lakmoja. Shkollë që do të më bënte gazetar.

2.

Kur isha 18 vjeç, isha më shumë se … fatkeq …

Sa e rëndë dhe sa e vështirë kjo për mua. Normalisht, në rrethana normale dhe në sisteme shoqërore normale, një 18 vjeçar pritet të ketë një jetë që vetëm lakmohet. Këtë moshë, 18-vjeçaren, unë edhe atëherë, edhe sot, edhe gjithmonë e kam konsideruar si më të bukurën në tërë jetën e njeriut. Atëherë, kur s’je më fëmijë, s’je më “i papjekur”, “i papërgjegjshëm”, “jomadhor”. Moshën 18-vjeçare unë e lakmoja edhe pse në të, me të, unë do bëhesha “i pjekur” për gjithçka. Do hyja në radhën e “të rriturve”, “të mëdhenjve”. Do bëhesha, më në fund, pas një pritjeje prej 18 vjetësh, “burrë”. Edhe do të mbaja përgjegjësi për çdo veprim timin. Përgjegjësi para familjes. Përgjegjësi para shoqërisë. Përgjegjësi, sidomos, para një institucioni, të cilin ne të gjithë, pa përjashtim, e kishim pagëzuar dhe e shqiptonim me shumë frikë: “Shtëpia e Madhe”.

Ja, pikërisht këtu desha të dal. Te kjo famëkeqja dhe ndjellazeza “Shtëpi e Madhe”, që kish depërtuar aq thellë në çdo pore deri edhe te një 18-vjeçar. “Shtëpia e Madhe” gjendej në Karagaç. Vaj halli për çdonjërin që ftohej të paraqitej në të, ose që kishte të bënte me të. Unë, edhe pse lakmoja pa masë të shëtisja dhe të bëja edhe ndonjë dashuriçkë aty afër, ndonjë metër më larg e më lart, në Parkun e Madh, nuk e bëja dot pikërisht nga frika që më kish mbjellë kjo “Shtëpi” e mallkuar. Madje-madje, as guxoja të kaloja atypari. I ikja edhe së shikuari. “Shtëpia e Madhe” më trishtonte dhe më lemeriste.

Sa pejani i rrahur në të për vdekje! Pejani shqiptar, s’do mend. Sa pejani i thyer dhe i dërmuar i dalë s’andejmi; i mbetur sakat prej saj; në trup dhe në shpirt. Sakat në atë shoqëri të “bashkim-vëllazërimosur”. Të fantakosur dhe të nakatosur. Futën në të edhe babain tim. Një rugovas të “zhdjergur” në “shehër”, që do të bëjë punën e hamallit pale se sa vjet, që do të ketë një të vetmen pasuri në atë fukarallëk të vetin: tetë fëmijë dhe që me kafshatën e vet të “lame në gjak”, do t’i shkollojë që të gjithë, edhe pse vetë lindi dhe vdiq – pa asnjë ditë shkollë. Edhe ky ishte i rrezikshëm për “Shtëpinë e Madhe”. Ishte armik, pse ishte shqiptar, fliste shqip. Pse mbante plisin e bardhë. Dhe pse kish – jo një, si mbarë bota e “qytetëruar”, por – tetë fëmijë.

Ndërkohë, që në kokën e çdo pejani, ndaj dhe në atë të një 18-vjeçari, pra në kokën dhe në shpirtin tim, gëllinte, gjallonte dhe sa vete e më shumë thellohej plaga e thellë e zhgënjimit të madh, që nisi mu në ditën e parë të “çlirimit” të Pejës, më 17 nëntor 1944, kur u vra më i pari pejan shqiptar, pa u mbushur një orë “çlirim”. Dhe kur, që nga ajo mbrëmje, natë për natë e net për net, dëgjonim krisma e të shtëna tek pushkatoheshin pejanët shqiptarë. Vetëm në mëngjes, gojë më gojë, me gjysmë zëri, përflitej sesi u vra mbrëmë filani e u vra fisteku. Emrat më të njohur të qytetit.

Tabja mbi Pejë sa vinte e mbushej me të vrarë. Në vend vreshtash,Tabja u shndërrua në një “varrezë masive”, sipas fjalorit që do të jetë aktual edhe mbi gjysmë shekulli më vonë …

3.

Nuk dua, prandaj, ta kujtoj moshën kur isha … 18 vjeç. E nuk dua ta kujtoj, sepse unë jo vetëm nuk e gëzova, po as nuk e jetova. Pata një fëmijëri të pafëmijëruar. Shkela në një rini të parinuar. Brezat tanë të rinj, gjenerata e sotme, ani më kjo e këtyre ditëve, kjo e 18-vjeçarëve, jam i sigurt se as që do t’ia dijë për “fatin” që pata unë dhe brezi im i tërë, kur ishim 18 vjeç. Më 1948. Këtu e plot 53 vjet më parë.

A është për t’u besuar, bie fjala, “fati” që më ndoqi mua në atë moshë?

Vetëm dy vjet përpara, pa mbushur ende moshën 16 vjeç, në vend që të më ndodhte “dashuria e parë”, ajo “që kurrë nuk harrohet”, mua më ndodhi – burgu. Dhe si mund ta lakmojë një lexues i sotëm i “Jetës”, a mund ta besojë fare një rrëfim si këtë timin? Zor …

Kur isha 18 vjeç, mbaja mbi shpinë “mëkatin” më të madh asokohe. Isha me “njollë”. Më konsideronin “armik të popullit”. Ndaj dhe çdo derë ishte e mbyllur për mua. Nuk gëzoja as të drejtën më elementare qytetare: të ndiqja shkollën. Kisha mbaruar të ashtuquajturin “Gjimnaz të Ulët” në Pejë. Një vit – për “patriotizëm socialist”- bëra detyrën e mësuesit në një fshat të hedhur të Pejës. Flija në Kosuriq. Punoja në Gllogjan. Më pastaj, lakmova të regjistrohesha në ndonjë shkollë të mesme. Doja të vijoja shkollën.

Të gjitha rrugët, asokohe, çonin vetëm në një qytet dhe vetëm në një shkollë. Qyteti: Gjakovë. Shkolla: Shkolla Normale. Secili “semimaturant”, si unë, detyrimisht duhej të regjistrohej në të. U regjistrova edhe unë. Madje-madje, me jo pak kënaqësi. Me shumë dëshirë, bile. Kisha drejtor njeriun që e adhuroja dhe e kam pasur model, njeri të urtë e të dashur gjithë jetën: Beqir Kastratin. Mësuesin dhe profesorin tim. “Njeriun 5 plus”, siç e pagëzova në një shkrim shumë vjet më vonë.

Ai më pranoi pa më kërkuar “karakteristikën” e detyrueshme, me të cilën unë nuk duhej të pranohesha assesi. Isha “armik”. Kisha qenë “i burgosur”. Dhe, si i tillë, nuk mund të gëzoja privilegjin që të shkollohesha. Mund të bëja, eventualisht, punën e tim et: të punoja si ai – hamall. Por, edhe pse më pranoi ai, nuk më pranuan ata që asokohe kishin në duar jo vetëm fatin tim, por dhe atë të profesorëve të mi. Ata të “Shtëpisë së Madhe” në Gjakovë. Ata “me rrogë”. Po në mënyrë të veçantë ata – pa rrogë.

Zunë të më ndiqnin, të më survejonin, të më vinin në “kandar” jo vetëm çdo hap, po dhe çdo fjalë, çdo gjest. Ma helmuan jetën. Ma bënë të padurueshme. Gjithmonë kisha një “hije” pas. Këto disa “hije” ma prishin paksa përshtypjen e përgjithshme që kam për Gjakovën. Sepse – pa shih, shih ironinë! – gjithë jetën, deri sot, kur sapo kam mbushur të shtatëdhjetat, dashur për dashur, mua nuk më ka dashur kurrë qyteti im, vendlindja, Peja, sa – Gjakova! (Krishti, prandaj, kudo mund të bëhej dhe të mbahej profet, pos në vendlindjen e vet, në Nazaret!).

Vendlindja ime, po, është Peja. Por, venddashja ime është Gjakova. Aty kam më të dashurit e mi (s’andejmi m’erdhi edhe shoqja ime e jetës), edhe pse pikërisht në këtë qytet ruaj kujtime të hidhura prej “hijesh”, që po ashtu ishin gjakovarë.

Ika nga Gjakova. Ndërpreva shkollimin, përkundër këmbënguljes së Beqir Kastratit që të mos e bëja këtë. Ika, sepse çdo çast pritja të më riburgosnin. Sikundër edhe bënë ndonjë javë më pas me një të bashkëburgosurin dhe kushëririn tim, Shefqet Kelmendin, i cili pasi u lirua nga riburgu zgjodhi të vetmen rrugë që i mbeti: kaloi kufirin dhe iku në Shqipëri.

4.

Unë nuk ika në Shqipëri, edhe pse e doja dhe e mbaja si hoxha Çabenë. Gjithë ç’doja në botë, doja Shqipërinë. Atdheun tim. Me të cilin më njohën mësuesit e Ernest Koliqit. Ata që ma mbollën në zemër, që më mësuan se unë nuk jam pa atdhe, se unë nuk jam “jetim”, se kam gjuhën time, kam shtetin tim, kam popullin tim, kam historinë time, kam gjeografinë time – Shqipërinë Etnike! Falë u qofsha gjithë mësuesve ernestkoliqianë, që na kthyen në ”din e iman”: na treguan cilët ishim. Pas mejtepeve që bëra, ku mësoja dhe nuk kuptoja asgjë, arabisht. Dhe pas shkollave “nashke”, ku po ashtu nuk merrja vesh asnjë fjalë dhe mësoja në një gjuhë që nuk ishte imja dhe e nënës sime, serbisht.

I rrezikuar dhe i përndjekur nga Normalja e Gjakovës (bëja pjesë ndër ata të gjeneratës së parë), i ikur soje, zura të trokitja në cilëndo shkollë tjetër të mesme, cilado të ishte ajo.

Në asnjërën nuk më pranuan. Në secilën, sapo lexonin “Karakteristikën” që ma kish lëshuar Komiteti i Rinisë në Pejë dhe në të “bombën” se “ka qenë në burg dhe është i dënuar” – as që donin të flisnin më me mua.

Do të realizohej pandehma demokleiane: kish shumë të ngjarë se do t’i ngjaja tim et, Jakup Rugovcit, të bëhesha edhe unë një – hamall. Si ai dikur. Dhe, do ti, kur humba çdo shpresë, mora vesh se në Prishtinë, në dalje të qytetit, qenkërka hapur një shkollë e mesme, ku nuk u kërkuaka fare – “Karakteristika” monstër. Me dy të veçanta, secila më e keqe dhe më e palakmuar meje. Shkolla: bujqësore. Mësimi: serbisht.

Trokita, edhe pse pa dëshirë, dhe – më pranuan…

5.

Unë isha dhe mbeta tërë jetën, mbi 50 vjet, “ai i grupit të Marije Shllakut”. Lexo: armik i Jugosllavisë, armik i Titos, armik i “bashkim-vëllazërimit”. Njeri me biografi të keqe. Kurrë nuk ma harruan këtë. “Ata”. Edhe në Bujqësoren e Prishtinës – serbisht. Edhe në “Rilindje”, ku mirëpritën “penën” time. Edhe në studime, në Beograd, te Dançetoviqi. Edhe në redaksinë e “Zërit të rinisë”, atij të “ilustruar” për herë të parë ndër ne, me Ramadan Vraniqin e Gjon Shirokën, me Masar Murtezain e Rexhai Surroin. Edhe vetëm ndonjë ditë para diplomimit, më 25 maj 1955, kur erdhi Hrushovi me Bullganjinin në Jugosllavi dhe më mbyllën sërish. Edhe në shërbimin ushtarak, në Beograd. Edhe, prapë, në “Rilindje”, si reporter i lirë. Në gazetë. Edhe si kryeredaktor në Edicionin e Botimeve të “Rilindjes” prej nga më larguan pikërisht për sa më sipër. Edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, si profesor i letërsisë shqiptare. Edhe në Teatrin Popullor Krahinor, prej nga ika “me miza” …

Deri dje.

Isha jo 18 vjeç, por as me 16 të plota (15 gjithsej, shtuar ndonjë muaj), kur më burgosi, si fëmijë, Enver Hoxha (nuk është ky ai “i mirënjohuri”. Peja e më vonë Gjakova, Prishtina dhe ndonjë qytet tjetër pati Enver Hoxhën e vet, “akranë” të së keqes).

Sot, dy djemtë e mi, Migjeni e Visari, dhe vajza Nita, pa le pastaj katër nipërit dhe katër mbesat e mia, sikur nuk e besojnë të ketë qenë e mundur që babai dhe gjyshi i tyre të burgosej – 15 vjeç. Një fëmijë, jo një 18-vjeç, të jetë – “i burgosur politik”. “Armik”. Dhe të dalë në gjyq publik. Në sallë të Shtëpisë së Kulturës në Prizren. Në “shfaqje”. Me trup gjykues. Me prokuror (Ali Shukriun). Me publik. Pa bileta. Me policë. E në “bankën e zezë”: një vajzë shkodrane 23 vjeçare (Marije Shllaku). Studenteshë e Romës. Sekretareshë e Fishtës. Luftëtare e pashoqe e Drenicës. Me shtatë plagë në trup. Edhe profesori im i shqipes (Kolë Parubi). Edhe prifti i Kishës Katolike të Pejës (Atë Bernard Llupi). Edhe një tjetër mësues i Ernest Koliqit (Gjergj Martini). Edhe dy profesorë të mi të progjimnazit (Isa Çavolli e Masar Begolli). Edhe pesë shokë të mi të shkollës (Engjëll Berisha, piktori i sotëm i famshëm, Skënder Rizaj, doktori i historisë, Shefqet Kelmendi, shkrimtar, Kamber Pajaziti dhe Osman Basha). Edhe dy vajza, dy patriote të reja (Gita Mjeda dhe Luçije Leka). Edhe plot të tjerë (27 gjithsej).

Katër të parët, me në krye vajzën Marije Shllaku, më 25 nëntor 1946 – u pushkatuan! Të tjerët, u dënuan me burg deri 20 vjet…

6.

Kur isha 18 vjeç nuk isha … 18 vjeç. Isha shumë e shumë më i vjetër. Isha 28 vjeç. Isha 58 vjeç. Isha më i moshuar nga ç’jam sot, kur jam 70 vjeç. Do të thuash dhe, me siguri, edhe do të habitesh: si ka mundësi? Si është e mundur. Ja që edhe kish mundësi, edhe ishte e mundur. Asokohe, në shoqëri normale, në mjedise normale, në sisteme politike e shoqërore normale, në vende normale, me pushtetarë e “partiakë” normalë, me njerëz normalë, ç’ka më të lakmuar e më të bukur, më të dashur e më të gëzuar se të jesh as më pak dhe as më shumë se – 18 vjeç! …

Gazetarja e “Jetës” më luti t’ia gjeja një fotografi të asaj kohe, kur isha … 18 vjeç. Dhe, do ti, unë gjeta jo një, po dy fotografi të asaj kohe. Në atë mori fotografish e albumesh që do t’i lë pas. As e kisha supozuar se pikërisht këto ditë do t’i merrja në dorë dhe t’i shikoja më. (Në paranteza: edhe një herë dua ta shpreh botërisht, edhe një tjetër mëkat timin, që s’ia fal dot vetes kurrë: që do të vdes pa larë edhe një “borxh”, në letra: të shkruaj kujtimet e mia, gjithë bëmat dhe pabëmat e mia, një jetë me shumë të veçanta dhe të përbashkëta).

Shikoj këto dy fotografi dhe … nuk e njoh vetveten. Të jem ky unë, vallë!? Me gjithë këta flokë ai, e me kaq pak sot unë!? Aq flokëzez ai, e aq “borëbardh”, krejt flokëbardh unë!? Vetullat … sytë … fytyra … shikimi (sesi më duket … ), shalli, setra a palltoja …

Gjeneratat e reja, këto shumëmëfatlumet, 18-vjeçarët e sotëm, nuk kanë ç’t’i lakmojnë këtij 18-vjeçari të parambigjysmëshekulli. Mos u përsërittë fati i tij ndër moshatarët e sotëm!

Po mirë, sikur dëgjoj një “ndërhyrje”, qoftë edhe të tim biri: po ti, sidoqoftë, megjithatë, përkundër krajatave e aq të pamirave, edhe mbarove fakultetin e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare, edhe u magjistrove për humorin e satirën, edhe krijove familje, edhe u bëre gazetar, edhe u bëre letrar, edhe shëtite botën, edhe shkrove tregime e romane, edhe botove mbi 30 libra, edhe arrite, në këtë moshë kaq të shtyrë, të themelosh një shkollë tënden gazetarie, edhe … edhe … edhe …

Si shpjegohet? Ka veç një shpjegim, them unë: ka Zot, ka! /Telegrafi/