LAJMI I FUNDIT:

Rithimi në natyrë: Tërheqja në Amazonë, për t’i shpëtuar pandemisë

Rithimi në natyrë: Tërheqja në Amazonë, për t’i shpëtuar pandemisë

Një dokumentar i ri paraqet udhëtimin në thellësi të Amazonës ekuadoriane, si dhe mësimet që mund të merren nga rilidhja me natyrën, transmeton Telegrafi.

Teksa miliarda njerëz u izoluan në gjithë botën në vitin 2020, fshatarët nga Sarajaku – një komunitet kiçua në Amazonën Ekuadoriane – u futën më thellë në pyll, për t’i shpëtuar pandemisë së koronavirusit. Udhëtimi i pasqyruar në dokumentarin “Kthimi”, riafirmon lidhjen që komuniteti kishte me pyllin, për breza të tërë, duke u mbrojtur nga misionarët, ushtritë dhe sëmundjet në zhvillim – si fruthi dhe lia – si dhe për ta mbajtur veten gjallë.


Regjinë e dokumentarit e ka bërë kineasti autokton Eriberto Gualinga dhe ai britanik Marc Silver.

Komuniteti kiçua ka nam ndërkombëtar për aktivitetet mjedisore, duke mbrojtur me sukses tokat stërgjyshore në pellgun e lumit Bobonaza (kundër një kompanie nafte), si dhe duke fituar më 2012 një çështje kundër qeverisë ekuadoriane në Gjykatën Ndër-Amerikane të të Drejtave të Njeriut (IACHR), për mosrespektimin e së drejtës për jetë, siguri dhe tokë.

“Më 17 mars 2020 pati përmbytje të tmerrshme në fshatin tonë, në Sarajaku, si dhe te komunitetet tjera. Përmbytja arriti lartësitë që nuk i kemi parë kurrë, duke mbuluar çatitë e shtëpive dhe duke shembur urat. Na la pa asgjë, edhe pa ushqim. Teksa rindërtonim shtëpitë tona dhe i mbillnim të lashtat, dëgjuam në radio se koronavirusi ka mbërritur në qytetin më të afërt. Ne kishim dëgjuar në shkurt për këtë virus. Kur ishim plotësisht të rraskapitur fizikisht, koronavirusi na sulmoi, thotë Eriberto. “Doja që edhe bota t’i kthehej pyllit. Pylli është i rëndësishëm. Aty është jeta. Janë mushkëritë e botës. I paramendoja njerëzit të izoluar në qytet nga pandemia – të mbërthyer në katër mure, në një shtëpi – dhe të gjitha problemet që kjo sjell. Izolimi në pyje është ndryshe. Është liri, peshkim, mbledhje frutash, ecje të gjata, shkëmbim i dijes me prindërit, mbledhje e bimëve mjekuese … Pra, doja të tregoja se sa me rëndësi është kjo për botën dhe pse duhet të rilidhemi me natyrën”.

Dokumentarin realizuar nga ditorja “The Guardian”, mund ta shihni të plotë më poshtë. /Telegrafi/