LAJMI I FUNDIT:

Kompania ‘Plastika shpk’ hap linjë të re të reciklimit me mbështetjen e BERZH-it dhe BE-së

Kompania ‘Plastika shpk’ hap linjë të re të reciklimit me mbështetjen e BERZH-it dhe BE-së

Kompania e reciklimit të mbetjeve plastike recikloi mbi 50 mijë tonë mbeturina deri më tani. Me financim nga programi i BERZH-BE, kompania krijoi një linjë të re reciklimi, e cila do ta ndihmojë të rris prodhimin dhe konkurrueshmërinë.

Plastika shpk reciklon mbetjet plastike, përpunon mbeturinat në granula dhe i kthen ato në produkte përfundimtare si foli, foli termos dhe stretch për përdorim në bujqësi dhe ndërtimtari. Kompania krijon një efekt jashtëzakonisht pozitiv në mjedis, duke recikluar një sasi të madhe të mbeturinave plastike përreth Kosovës. Përgjatë viteve, kompania ka zhvilluar modelet e saj të biznesit duke filluar nga mbledhja e mbetjeve plastike, te reciklimi dhe së fundmi te prodhimi i materialeve plastike.


Ne e intervistuam Ardit Shabanin, përfaqësues i Plastika shpk, për të mësuar më shumë rreth kompanisë.

Ardit Shabani, përfaqësues i Plastika shpk

Si ishte rrugëtimi i kompanisë suaj nga viti 1992 deri më sot?

Ideja e biznesit aktual rrjedh në fillim të viteve ’90, kohë kur kemi filluar tregtimin e folive të ndryshme, kryesisht atyre për bujqësi. Kërkesat e shumta për këta artikuj ishin tregues për ne që duhej të investojmë në këtë industri, gjegjësisht në prodhimtari te folive. Në vitin 2006 përfunduam investimet në fabrikën e re me linjat prodhuese dhe ato të reciklimit. Sigurisht që vështirësitë në një industri të këtij lloji ishin të mëdha, po ashtu duke marr parasysh që ishim pionerë dhe të vetmit në këtë industri.

Vështirësitë ishin të natyrave të ndryshme, problemet teknike për montim dhe për të vënë në funksion, mungesa e stafit të kualifikuar, probleme infrastrukturore, kryesisht me rrymë pasi në këtë industri ndërprerjet e rrymës janë tejet të kushtueshme përveç që dëmtojnë pajisjet dhe prodhimin.

Vullneti dhe dëshira e madhe për ta funksionalizuar investimin, ka mundësuar që sot te kemi 2 linja recikluese austriake me kapacitet 30 ton/ditë, kemi 5 linja prodhuese kryesisht italiane dhe me një grup produktesh për industri të ndryshme. Kompania jonë ka mbulim tepër të madh në tregun vendor por me shtrirje të madhe dhe në tregun ndërkombëtar. Raporti i qarkullimit vjetor është 60 për qind në tregun vendor dhe 40 përt qind në atë ndërkombëtar.

E veçanta e kompanisë Plastika shpk është se ju grumbulloni mbeturina, i recikloni dhe nga kjo krijoni produkte. Na e sqaroni pak procesin e punës. A grumbullohen mbeturinat vetëm në Kosovë apo edhe në shtetet e tjera?

Thelbi i kompanisë sonë është reciklimi i mbeturinave plastike nga të cilat prodhohen produkte për industrinë e ndërtimtarisë me bazë tërësisht nga materialet e recikluara. Procesi i reciklimit është kompleks dhe kërkon përkushtim të madh dhe kujdes përgjatë tërë procesit. Reciklimi fillon nga grumbullimi i mbeturinave nga kompania jonë por edhe bashkëpunëtorët si bizneset ashtu edhe personat fizikë.

Përveç grumbullimit të mbeturinave në Kosovë, për nevojat që nuk përmbushen nga tregu vendor, kompania Plastika bën edhe import të mbeturinave të plastikës nga disa shtete. Të gjitha mbeturinat e grumbulluara dërgohen në depon e fabrikës së reciklimit, ku bëhet deponimi sipas llojit të plastikës. Seleksionimi ështe procesi i radhës ku bëhet ndarja e mbeturinave të ndryshme. Këto mbeturina fillimisht bluhen (imtësohen) nga mullinjtë industrial dhe pastaj futen në linjën e pastrimit ku bëhet larja e mbeturinave.

Procesi i larjes është shumë me rëndësi pasi largon kontaminimet dhe ndotjet që gjenden në mbeturina për të ofruar një produkt final sa më cilësor dhe pa kontaminim të produktit. Në procesin e larjes kemi të instaluar edhe një impiant për pastrimin e ujit, gjegjësisht linjën e reciklimit të ujit që përdoret për pastrimin e mbeturinave. Kjo linjë është tejet e rëndësishme pasi e bën të mundshme kursimin e ujit duke rikthyer në linjë mbi 95% të ujit të përdorur paraprakisht.

Pas procesit të pastrimit, materiali kalon përmes makinerisë e cila e shkrin fillimisht materialin dhe në fund e formëson në copëza të vogla (granula) si lëndë e parë apo gjysmë produkt. Kompania jonë e përmbyll tërë ciklin reciklues pasi bën edhe finalizimin e lëndës së parë, në këtë rast të granulatit të recikluar duke prodhuar foli të ndryshme kryesisht për fushën e ndërtimtarisë.

Duhen nga 20 deri në 500 vjet që mbetjet e plastikës të treten në tokë dhe kjo mbetet një nga shqetësimet më të mëdha ekologjike si në botë ashtu edhe në Kosovë. Sa tonelata mbeturina keni recikluar deri tani?

Kompania Plastika ka funksionalizuar linjat e reciklimit që në vitin 2006 dhe nga atëherë deri sot kemi arritur të reciklojmë mbi 50,000 tonelata mbeturina. Ndikimi pozitiv në mjedis dhe mirëqenien e përgjithshme është shume i lartë, rrjedhimisht edhe ekonomik dhe social.

Çfarë produkte ofron kompania juaj dhe ku shiten produktet tuaja?

Plastika është kompania e parë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut e cila reciklon dhe prodhon lloje të ndryshme të folisë plastike siç janë: foli për bujqësi, foli për ndërtimtari, termo film, stretch foli, stretch hood, membranë izoluese etj.

Garantojmë kualitet të lartë të produkteve tona, të cilat prodhohen nga makineri evropiane dhe me standard evropian. Njëkohësisht, proceset tona të punës dhe produktet janë të certifikuara me IS0 9001;2015, ISO 14001:2015 dhe CE.

Plastika eksportohet në tregje rajonale dhe globale, përkatësisht në: Shqipëri, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Rumani, Greqi, Bullgari, Kroaci, Qipro, Slloveni, Maltë, Itali, Gjermani dhe në SHBA.

Jeni një nga kompanitë e Kosovës që vazhdimisht investon në rritje dhe zhvillim të kompanisë. Ju keni përmirësuar biznesin tuaj me mbështetjen e BERZH dhe BE përmes Programit për Mbështetje të Konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Kosovë (SME-CSP Kosovë). Ky program i ndihmon kompanitë të realizojnë investimet e nevojshme në linjat e prodhimit dhe ta harmonizojë veprimtarinë e tyre me direktivat e BE-së në fushën e mbrojtjes së mjedisit, shëndetit dhe sigurisë në punë, si dhe cilësinë dhe sigurinë e produktit. Si është përmirësuar biznesi juaj dhe është forcuar konkurrueshmëria në tregun evropian përmes këtij programi?

Bashkëpunimi me mbështetje nga BERZH ka qenë i pari projekt investues me përkrahje nga një donator për ne.

Investimi ynë i përbashkët me BERZH ka qenë i dedikuar për linjën e re recikluese me kapacitet deri në 1000 kg/h. Investimi në teknologji të re dhe moderne e cila garanton dhe rrit konkurrueshmërinë tonë pasi na mundëson kapacitete të larta recikluese, respektivisht prodhuese.

Njëkohësisht, me këtë investim përfitojmë në kualitet pasi kualiteti reciklues është më i lartë dhe kjo garanton edhe rritjen e cilësisë së produkteve finale gjë që krijon avantazh konkurrues në tregjet ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, ne arritëm të kemi linjë prodhimi e cila është në përputhshmëri me direktivat evropiane.

Aplikimi përmes Programit për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë ishte shumë i rëndësishëm për kompaninë tonë edhe për shkak të grantit prej 15 për qind në shumën e kredisë i cili financohet nga Bashkimi Evropian. Kredia e investimit nga Banka Për Biznes (BPB) ishte 600,000 euro që do të thotë se ne morëm një grant prej 90,000 euro pas verifikimit dhe jemi vërtet mirënjohës për këtë.

Makineria e re sigurisht që është efiçiente ndaj energjisë dhe kontribuon në kursimin e energjisë me 2,830 MWh në vit që do të thotë zvogëlim i gazrave serrë me 981 tonë CO2 në vit.

Sa të punësuar keni dhe sa e rëndësishme është mbrojtja dhe siguria e punëtorëve gjatë procesit të prodhimit për kompaninë tuaj?

Kompania Plastika punëson rreth 90 punëtorë me kohë të rregullt. Duke pasur parasysh veprimtarinë recikluese dhe prodhuese ku përfshihen materiale dhe makineri që kërkojnë kujdes më të shtuar, mbrojtja dhe siguria e punëtorëve është shumë e rëndësishme, rrjedhimisht kemi trajnuar dhe certifikuar stafin tonë për rregullat e mbrojtjes dhe sigurisë në punë.

Viti i kaluar u shënua globalisht nga një krizë e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 që preku ndjeshëm ekonominë. Si iu përgjigj Plastika sfidave të krizës dhe a jeni të kënaqur me rezultatet e biznesit të arritura gjatë vitit 2020?

Pandemia e vitit 2020 e cila vazhdon e tillë ende, ka pasur ndikime negative në shumë industri. Edhe kompania jonë ka vuajtur pasojat ekonomike të shkaktuara nga kjo pandemi. Kemi punuar me kapacitete më të vogla se normalisht, pandemia kishte ndikime në shitjet vjetore, kostot e punës dhe vështirësi tjera operative. Shitjet vendore kanë pësuar rënie relativisht të vogla, mirëpo ndikim më negativ kishim në eksport, ku kemi pasur ulje të shitjeve ndërkombëtare për rreth 35% në krahasim më vitin 2019. Megjithatë, përkundër vështirësive dhe ndikimeve negative ekonomike nga pandemia, ne kemi arritur të mbajmë të gjithë stafin, pa larguar asnjë person nga puna. Me investimin e ri besojmë se do jemi më konkurent në treg dhe do arrijmë aty ku synojmë.

Programi i Mbështetjes së Konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë është një linjë kredie prej 30 milionë euro e zhvilluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe BE, për të ndihmuar NVM të përmirësojnë konkurrencën dhe të zgjerojnë kapacitetin e tyre eksportues. Investimet e pranueshme përfshijnë pajisje dhe përmirësime të objekteve që ndihmojnë kompanitë të harmonizohen me Direktivat e BE-së. Programi mbështetet nga BE me asistencë teknike falas për aplikuesit si dhe një grant kthimi parash, në vlerë prej 15 për qind të shumës së kredisë, i cili pagohet pas verifikimit të suksesshëm të projektit investues. Mësoni më shumë këtu.