LAJMI I FUNDIT:

Hierarkia morale nuk fillon nga postet politike

Trashëgimia e familjes Jashari nuk janë vetëm objektet memorialë në Prekaz, por edhe çdo njeri i gjallë i kësaj familje. Populli e nderon dhe e çmon këtë trashëgimi dhe ai do që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe institucionet dhe përfaqësuesit e tyre.

Lufta e fundit në Kosovë ka dëmtuar shumë familje shqiptare, qoftë për shkak të rënies së individëve të caktuar në mbrojtje të atdheut, qoftë për shkak të masakrimit si civilë për “fajin” e të qenit shqiptar.


Dëmet janë gjithkund, në çdo pjesë të Kosovës, por duket se mllefi i shovinizmit serb u manifestua më egërsisht dhe më masovikisht në Drenicë, aty ku në realitet buroi rezistenca shqiptare dhe prej ku u motivua dhe u inkurajua e tërë Kosova për ta luftuar okupatorin serb.

Ajo çka ndodhi në Prekaz të Ulët, pikërisht në lagjen Jasharaj më 5 mars të vitit 1998, ku u masakruan në mënyrë mizore edhe gratë e fëmijët, është një ngjarje që tronditi botën dhe lëkundi vlerat e civilizimit botëror e sidomos të atij perëndimor. Viktimat e familjeve Jashari (Shabanit, Hamitit, Sadiku, Halitit, Zymerit, Zenës) demaskuan më së miri agresorin serb, i cili siç u pa edhe gjatë masakrave të vitit 1999 gjithandej Kosovës nuk do të kursente asnjë shqiptar që nga embrioni e deri në moshën më të shtyrë për ta realizuar konceptin e hegjemonisë serbe.

Kjo ngjarje bëri të qartë së lufta gjenocidale e Milosheviqit mbi shqiptarët tashmë kishte filluar. Si rezultat i kësaj pasoi një kthesë radikale e politikës amerikane dhe evropiane ndaj çështjes së Kosovës në raport me Serbinë shoviniste të Milosheviqit.

Pra, ajo që shqiptarët po e prisnin me vite të tëra dhe që po vononte deri në dëshpërim e që ishte mirëkuptimi dhe përkrahja e faktorit ndërkombëtar për një Kosovë të lirë e të pavarur, menjëherë pas masakrës së Prekazit u pa të vinte nga një reagim shumë i fuqishëm deklarativ i SHBA-së përmes sekretares së shtetit Albright, e cila i bëri me dije Millosheviqit se do të ndëshkohej fuqishëm po ta vazhdonte misionin e tij gjenocidal në Kosovë.

Ndërkohë, rënia e komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Adem Jasharit, motivoi rininë shqiptare në Kosovë dhe diasporë për ta vazhduar dhe intensifikuar luftën e drejtë për çlirim definitiv të Kosovës nga Serbia.

Për më tepër, masakra në Prekaz tregoi mishërimin e qenies kosovare me nevojën për liri, të cilën e do njësoj si burri, si gruaja, si fëmija apo i moshuari dhe se të gjitha këto kategori njerëzore do ta ndihmojnë njëra-tjetrën deri në flijim për ta farkuar së bashku diellin e lirisë, atë diell që po ngroh sot e do të ngrohë përjetësisht brezat tanë në të ardhmen.

Ky ishte momenti më kyç i unitetit shqiptar, kur populli i Kosovës filloi ta përkrahë me një vullnet të pathyeshëm luftën tonë të drejtë për liri. Ishte moment i një solidarizimi total kur lufta e UÇK-së filloi të bëhej gjithnjë e më shumë si luftë popullore dhe si e tillë pastaj vazhdoi deri në fund, pa mohuar incidentet e individëve dhe grupeve të caktuara në konflikt për protagonizëm dhe meritokraci, të cilët ishin atëherë dhe vazhdojnë edhe sot.

Thënë shkurt e shqip, po të mos ishte sakrifica e Adem Jasharit, e familjes së tij dhe e familjeve tjera Jashari, fati i rezistencës sonë do të ishte shumë më i paqartë dhe ardhmëria e UÇK-së dhe e udhëheqësve të saj do të ishte ndryshe.

Deri në atë kohë miku ynë kryesor, SHBA, UÇK-në e quante organizatë terroriste dhe si e tillë perspektiva e saj ishte vënë në dyshim. Terrori që bëri Serbia mbi familjet Jashari tregoi më së miri se ishte Serbia ajo që po ushtronte terror mbi familjet shqiptare, kurse grupet e UÇK-së ishin individë të bashkuar të cilëve iu kishte rrezikuar qenia e tyre individuale dhe familjare dhe se nuk kishin rrugë tjetër pos t’ia kthenin pushkën agresorit serb. Ose, më thjeshte, nuk ishin grupe terroriste.

Pas kësaj ngjarjeje, diplomacia amerikane rikonsideroi kualifikimin për UÇK-në duke e bërë të qartë se një formacion i armatosur nuk do të trajtohej si terrorist nëse në strukturën e vet do t’i kishte elementet kryesore: simbolin e qartë dhe strukturën e komandimit.

Për t’i përmbushur këto dy elemente në atë kohë filloi një strukturim i UÇK-së në njësi ushtarake dhe përveç armëve u punua më shumë edhe në sigurimin e uniformave me simbolin e UÇK-se në krahë dhe në kapelë. Pra, humbja e familjeve Jashari e veçanërisht ajo e Shaban Jasharit (babai i Ademit) ishte e madhe, por nën anën tjetër rezistenca e armatosur fitoi një peshë të re, një përkrahje gjithë popullore dhe një legjitimim ndërkombëtar që vazhdoi si e tillë deri në përfundim të luftës.

Nisur nga sa u tha më lartë, familja e komandantit legjendar Adem Jasharit, veçohet, nderohet dhe respektohet thellë nga gjithë populli shqiptar i Kosovës. Në Kosovë ka edhe familje tjera që kanë sakrifikuar anëtarët e tyre për liri dhe të gjitha ato duhet të respektohen e të nderohen sa më shumë që të jetë e mundur. Por, familja Jashari sublimon më së miri sakrificën e çdo familje tjetër shqiptare në luftën e fundit dhe nëse kjo familje fillon të anashkalohet atëherë ekziston rreziku se memoria jonë për një sakrificë aq të madhe do të injorojë edhe familje tjera të cilat e meritojnë nderin dhe respektin gjithë popullor, por edhe institucional.

Familja Jashari duhet të shërbejë si një familje rojale ku institucionet tona jo vetëm se duhet t’i nderojnë në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, por përfaqësuesit e tyre duhet edhe t’i konsultojnë, qoftë edhe vetëm formalisht për marrjen e vendimeve të rëndësishme shtetërore.

Trashëgimia e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit nuk janë vetëm memoriali përkujtimor në Prekaz, por edhe të gjithë njerëzit e gjallë të asaj familje të cilët meritojnë nderin dhe respektin institucional.

Duke shmangur vizitat në familjen Jashari, Atifetja, Hashimi dhe Samiu e turpërojnë veten si individë kurse zonja Jahjaga, zoti Thaçi, dhe zoti Lushtaku turpërojnë institucionet që përfaqësojnë dhe përbuzin zgjedhësit e tyre. Këta dy të fundit, sado mohues të jenë, janë të varur edhe politikisht nga fuqia e familjes Jashari që ka jo vetëm në Drenicë, por anë e kënd Kosovës. Ata do të sillen e do të pështillen dhe do të kthehen përsëri aty, sepse nuk janë aq të fuqishëm as moralisht e as politikisht sa të mos kenë nevojë për bekimin e familjes Jashari. Ata duhet ta kuptojnë se është nder shumë më i madh të jesh anëtar i familjes Jashari sesa të jesh një kryeministër shteti, apo një kryetar komune.

Hierarkia në Kosovë fillon moralisht nga familja Jashari e jo anasjelltas, nga Thaçi e Lushtaku – këta dy mohues të mëdhenj, apo harrestarë të qëllimshëm të historisë sonë më të re.

(Autori ka qenë mjek, reporter i luftës dhe komandant për moral në Brigadën 112 “Arben Haliti” të Zonës Operative të Drenicës, që nga themelimi i Brigadës e deri në përfundim të luftës)