LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj propozon rishikimin e Asociacionit

Haradinaj propozon rishikimin e Asociacionit

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai dhe partia e tij janë kundër versionit të Asociscionit të Komunave me shumicë serbe që e ka nënshkruar në Bruksel kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Por, ai ka thënë se nuk është kundër që ndonjëherë komunat me shumicë serbe të kenë koordinim të ndërsjellë.


“Pra është paraparë një formë e koordinimit, por jo pushtet i tretë, jo me një legjislativ, ta quajmë ashtu shtet brenda shtetit. Ne jemi kundër, pa asnjë dilemë në këtë”, ka thënë Haradinaj, në një intervistë për Kohën Ditore.

“Jemi për anulimin e formës së tashme, rishikimin e kësaj teme, pra jo që ai asociacion të mund të bëhet nga kjo Qeveri përmes statutit, sepse është e pamundur që nga kjo marrëveshje të bëhet asociacion me ligje të Kosovës. Duhet të anulohet versioni i tashëm, të rishikohet kjo çështje nga Kosova. Pra nuk jam kundër që komunat të koordinohen mes vete, sepse asociacioni është menduar vetëm si formë e koordinimit dhe asgjë tjetër. Ajo që po thuhet shpesh, si NGO (Organizatë joqeveritare v.j.), nuk është e tillë. Pra duhet të jetë asisoj që nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv, legjislativ- është vetëm një mekanizëm koordinues dhe si i tillë, nuk jemi kundër”, ka thënë më tej Haradinaj.

Në pyetjen e gazetës se “serbët nuk po e duan Asociacionin si OJQ”, Haradinaj ka thënë se “edhe shqiptarët e Preshevës po duan të bashkohen me Kosovën, por s’po mbërrijnë në këtë kohë”.