LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Nuk insistoj të jem kryeministër

Haradinaj: Nuk insistoj të jem kryeministër

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ai nuk insiston më në postin e kryeministrit.

“Aleanca nuk insiston në këtë post. Kushdo që thotë, rrenë. Aleanca i ka ofruar Vetëvendosjes të zgjedhë, mandatarin apo bartësin e listës. Vetëvendosjes i ka takuar të zgjedhë, e kemi ndarë dhe ka qenë opsionale. Aleanca nuk insiston dhe më nuk është prioritet i imi të jem kryetar i Qeverisë”, ka thënë Haradinaj, në intervistën për Koha Ditore, në pyetjen se “a e keni kushtëzuar ofertën tuaj me postin e kryeministrit?”.


“E kemi menduar më të rëndësishme ndryshimin sesa postin, mirëpo Aleanca nuk është e gatshme të hyjë në një organizim formal politik, ku e dorëzojmë vizionin tonë në ‘Vetëvendosje’ ose ndonjë subjekt tjetër, pra nuk e parashohim formimin e një partie të re politike. Besoj e kuptoni dallimin. Pra, Aleanca nuk po lyp parti të re politike, me emër të ri, ku kishte me qenë vazhdim i vizionit të ‘Vetëvendosjes’. Nuk e kemi menduar ashtu veten, jemi subjekt politik një kohë të gjatë, por mundemi me pasë partneritet”, ka thënë Haradinaj.