LAJMI I FUNDIT:

​Guvernatori Ismaili: Sistemi i zhvilluar i pagesave, pamundëson pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

​Guvernatori Ismaili: Sistemi i zhvilluar i pagesave, pamundëson pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

Banka Qendrore e Kosovës, ka organizuar tryezën, takimin e Forumit të Ri-themelimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave në funksion të mbështetjes së reformave në fushën e pagesave, përmes zgjerimit të përfshirjes dhe rritjes së bashkëpunimit në mes të akterëve të ekosistemit të tregut të pagesave në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili tha se qëllimi i kësaj nisme është riorganizimi dhe funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Pagesave (KKP), përditësimi mbi zhvillimet e infrastrukturës ligjore dhe teknike në fushën e pagesave, dhe përcaktimi i një plani kombëtar për përfshirjen financiare dhe reduktimin e përdorimit të parave të gatshme ku aktivitetet e palëve të interesuara do të përcaktohen dhe dakordohen për rritjen e qasjes.


Ismaili tha se kjo platformë ndihmon në zhvillimin e ekonomisë së vendit, e po ashtu ndihmon edhe investitorët në zgjerimin e bizneseve të tyre.

Po ashtu sipas tij, sistemi i zhvilluar i pagesave pamundëson pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

“Një sistem i shëndoshë dhe efikas i pagesave mbështetë zhvillimin e mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar dhe rritjen e stabilitetit financiar duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre. Një sistem i zhvilluar financiar i pagesave ku pagesat realizohen me kosto të arsyeshme dhe me efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe mundësojnë që bizneset konkurruese të rriten dhe t’u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime. Një sistem i zhvilluar i pagesave siguron mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës euro, zvogëlimin e efekteve negative nga dukuria e falsifikimit të parave, mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e praktikave të tregut, zvogëlimin e efekteve nga aktivitetet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qasjen e shtuar në shërbimet financiare dhe gjithëpërfshirjen financiare”, tha Ismaili.

Ai po ashtu tha se edhe vet rregullorja e fundit e BQK-së për operacionet me para të gatshme, shënon një avancim shumë të madh në aspekt të përafrimit me kërkesar dhe standardet për anëtarësim në SEPA.

“Në linjë me Marrëveshjen për Asociim-Stabilizim dhe Procesin e Berlinit, procesi i reformave dhe avancimi i sistemit të pagesave përmes zhvillimit të pagesave të shpejta lokale dhe integrimi i sistemit të pagesave në nivel të rajonit do të përshpejtojnë edhe qasjen në zonën e vetme të pagesave në euro të BE-së e njohur si SEPA. Kjo ka për detyrë të sjellë në mënyrë efektive pagesat e brendshme dhe ndërkufitare brenda BE-së në të njëjtin nivel të kostos, efikasitetit në kohë dhe sigurisë si dhe qasjen në sistemin e pagesave të shpejta të BE-së të njohur si TIPS që është pjesë e Eurosistemit nga viti 2018. Kjo u mundëson ofruesve të shërbimeve të pagesave të ofrojnë transfere të fondeve për klientët e tyre në kohë reale dhe gjatë gjithë kohës, çdo ditë të vitit. Edhe vet rregullorja e fundit për operacionet me para të gatshme, shënon një avancim shumë të madh në aspekt të përafrimit me kërkesa dhe standardet për anëtarësim në SEPA, si dhe TIPS”, shtoi Ismaili.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati derisa tha se si qeveri janë të gatshëm për të bashkëpunuar që ky sistem të zhvillohet sa më shpejtë, potencoi se dixhitalizimi si i tillë ka shumë përparësi dhe shumë përfitime për vendin.

Sipas tij, përmes kësaj nisme parandalohet edhe financimi aktiviteteve ilegale. Ndërsa tha se qëllimi i kësaj është që të kalohet në një sistem digjital që kërkon më pak administratë dhe kosto më të ulta.

“Sa i përket aspektit ekonomik e zvogëlon barrën administrative, pastaj e zvogëlon edhe koston e operimit dhe i jep një dozë të integritetit çdo transaksioni, duke qenë se është e sigurt që po behët këmbim apo transaksioni me para të vërteta dhe eliminohet kjo çështja e parave falëse dhe të manipuluara. Dhe në anën tjetër e parandalon edhe financimin e aktiviteteve ilegale apo edhe shpëlarjen e parave dhe ekonominë informale”, tha Murati.

Ai shtoi se sa më pak para kesh ka më shumë likuiditet në sistem, dhe sa më shumë transkasione të tilla ka më shumë informacion për operatorët ekonomik.

BQK ka nisur ndarmarrjen e veprimeve në kuadër të Planit Strategjik 2024-2028 për aktivitetet të cilat janë planifikuar dhe që lidhen me fushën e sistemit të pagesave si janë, avancimi i infrastrukturës ligjore dhe teknike të BQK-së për anëtarësim në skemën e pagesave SEPA dhe qasje në sistemin e Pagesave të Shpejta të BE (TIPS), zhvillimin e infrastrukturës teknike për mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, krijimi i QR Kodit kombëtar dhe standardizimi i API-së për ndërlidhje të sistemeve si dhe reduktimin e pagesave me para të gatshme si dhe promovimi i pagesave elektronike. /KP/