LAJMI I FUNDIT:

Fushata e partive politike: KQZ miraton sloganin për zgjedhje, kandidatët vazhdojnë tubimet me qytetarët

Fushata e partive politike: KQZ miraton sloganin për zgjedhje, kandidatët vazhdojnë tubimet me qytetarët

Dita e dytë e fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2021 në Republikën e Kosovës, ishte sot e enjte (4 shkurt) ndërkaq, liderët e subjekteve politike janë paraqitur nëpër tubime të ndryshme para qytetarëve me deklarata.

Edhe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar sloganin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt 2021.

“Voto për Kuvendin e Kosovës”, do të jetë slogani i KQZ-së për këto zgjedhje.


Ndërsa dizajni i kësaj logoje pritet të ndryshohet pas disa kërkesave që patën anëtarët e KQZ-së e për të cilat u pajtuan të gjithë.

Anëtarët e KQZ-së u pajtuan edhe për dizajnin e fletëvotimit.

Edhe kandidatët për kryeministra, Avdullah Hoti, Albin Kurti e Enver Hoxhaj por edhe kandidati për president, Ramush Haradinaj janë paraqitur sot para qytetarëve të vendit në komuna të ndryshëm për të takuar votuesit e tyre.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të enjten gjatë tubimit elektoral në Klinë, se fitorja e LDK-së më 14 shkurt është fitore e Kosovës dhe zhvillimit të saj.

“Grupacioni tjetër me të cilin konfrontohemi për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, në vitet e 90-ta bënin thirrje që të marrim pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Kjo është e vërtetë! E kanë kundërshtuar marrëveshjen e Rambujesë, e kanë kundërshtuar Planin e Ahtisarit, janë vrarë njerëzit në rrugë në vitin 2007 duke e kundërshtuar këtë plan. Vetëm shihni listën e tyre, të mbushura me ekstremistë të të gjitha formave, duke përfshirë edhe adhuruar të Enver Hoxhës”, tha Hoti.

Ai shtoi se qeverisja 7 mujore e LDK-së ka arritur rezultate historike për Kosovën.

“Kemi dalë me rezultatet më të mira dhe e kemi nxjerr Kosovën nga izolimi. Me Marrëveshjen e Uashingtonit siguruam njohjen nga Izraeli dhe 1 miliard euro investime, kemi menaxhuar mirë me pandeminë, do ta rimëkëmbim ekonominë dhe do të ndihmojmë bizneset. Ne kemi gjeneruar 700 milionë euro që janë investuar në ekonomi dhe tash që po flasim e kemi kaluar krizën ekonomike. Pra ne dimë të menaxhojmë edhe me shtetin edhe me ekonominë”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.

Ai u shpreh i bindur se vota për numrin 132 më 14 shkurt është votë për projektin e shtetit të Kosovës.

“LDK është e palëkundur dhe do ta çoj projektin e ndërtimit të shtetit dhe zhvillimit deri në fund. Ne do të fitojmë për të mirën e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Për të mirën edhe të atyre që po na kundërshtojnë, sepse edhe ata përfitojnë nga zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik”, tha Hoti.

“Për të siguruar shtet ligjor plotësisht funksional, do të nisim vetingun në drejtësi që do të rrisim efikasitetin dhe transparencën në drejtësi. Në të gjitha këto procese do të përfshihet mërgata jonë. Sepse vetëm kështu, e konsolidojmë dhe forcojmë shtetin që e kemi nisur bashkë”, shtoi Hoti.

Kurse, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar se cilat janë vendimet e para që ai do t’i merr nëse fiton zgjedhjet parlamentare.

“Ne ndër vendimet e para që do të marrim për të mos thënë vendimi i parë si qeveri e re do të jetë rishikimi i vendimeve të kësaj qeverie, që nga fillimi ka qenë jo logale e që edhe Kushtetuesja e shpalli jo legale dhe jo kushtetuese. Mendoj se shumicën e atyre vendimeve do t’i kthejmë mbrapsht dhe do t’i hedhim poshtë”.

Albin Kurti ndër të tjera ka premtuar mbështetje për fëmijët dhe familjet me të ardhura të pakta vjetore, si dhe 1,000 mijë bursa për vajzat studente sidomos në drejtimet teknike.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista ‘Vjosa’, sonte janë të ftuar në “DebatPernime” që po transmetohet në RTV Dukagjini.

Kurse, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, dje ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes para qytetarëve të Skënderajt, Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

Hoxhaj tha se PDK është e vetmja parti politike që ka program dhe vizion për ta rimëkëmbur vendin, gjë që është dëshmia më e mirë se PDK do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Hoxhaj shtoi se Drenica i ka dhënë Kosovës dy projekte kombëtare të mëdha, UÇK-në dhe PDK-në.

“Fitorja për neve është e natyrshme, a e dini pse, se Drenica i ka dhënë Kosovës dy projekte të mëdha, dy projekte kombëtare, një projekt të madh ia ka dhënë UÇK-në dhe një projekt të dytë të madh kombëtar ia ka dhënë PDK-në. Ju e dini që këto dy projekte kombëtare lidhen me dy emra, me Hashim Thaçin dhe me Kadri Veselin”, tha ai.

Hoxhaj në Skenderaj tha se kush është UÇK e voton PDK-në, e për këtë ai tha se kjo parti do të arrijë të dalë e para.

“Meqë kohët e fundit po bëjnë shumë sondazhe, sondazhe të cilat blehen dhe të cilat shiten dhe meqë jemi në një tubim të tillë madhështor këtu në Skënderaj unë po ju pyes juve dhe po e bëjmë një sondazh, kush do të fitojë?. Prandaj, ata të cilët kohët e fundit janë bërë mashtrues me certifikata, që manipulojnë sondazhe, që manipulojnë opinionin publik, ne duhet t’iu themi me 14 shkurt jo, fitorja është e jona, fitorja është e PDK-së. Mos ta leni që dikush ta përqajë Drenicën se kush është UÇK vota shkon për PDK-në”, tha Hoxhaj, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka pasur një porosi për ata, që po i gëzohen burgosjes së çlirimtarëve.

“Janë disa liderë politik që i gëzohen burgosjeve të çlirimtarëve të Kosovës, por unë mendoj që e kanë gabim shumë dhe ne ju themi atyre sot nga këtu, nga Drenica që unë dhe PDK do të dalim të parët me çdo kusht. Ata që i janë gëzuar burgosjes së çlirimtarëve nuk kanë vend në Drenicë, nuk ka vota në Drenicë. Ata që vijnë në Drenicë dhe e blindojnë me polici dhe njësi speciale të Kosovës nuk kanë vend në Drenicë, nuk ka vota për ta në Drenicë”, tha ai.

Hoxhaj gjatë ditës ka takuar qytetarët dhe ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes edhe në Mitrovicë dhe në Vushtrri.

Hoxhaj nga vendlindja e Kadri Veselit theksoi se janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, ata që i kanë prirë projekteve kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Kur sot jemi në Broboniq e ndjejmë mungesën e tyre, jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore, edhe vëllazërore, edhe njerëzore e emocionale, sepse ky fshat i ka dhënë shumë Kosovës. Ky fshat ka bërë shumë për Kosovën dhe ka dy projekte të cilat neve na kanë mundësuar që të jemi të lirë dhe të pavarur, UÇK dhe PDK. Ka edhe dy njerëz të cilët iu kanë prirë këtyre dy projekteve kombëtare e këta janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi”, tha ai.

Ndërkaq, kandidati për president të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh se ky subjekt politik ka një listë me kandidatët më të mirë për deputetë, profesionistë të përgatitur, kredibil dhe me integritet.

Haradinaj gjatë shpalosjes së programit qeverisës në hapjen e fushatës elektorale në Prizren, tha se ringjallja ekonomike është ndër prioritetet e AAK-së.

“Në e kemi një listë me kandidatët më të mirë. Profesionistë të përgatitur, kredibil e me integritet. Kemi programin qe ofron zgjidhje edhe për ringjalljen e ekonomisë, edhe për zhvillimin e qëndrueshëm, edhe për shtetin e së drejtës, edhe për sigurinë dhe gjithë̈ sektorët tjerë veç e veç”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka ripërsëritur se nëse nuk ka progres deri në vitin 2025, ai do te jetë̈ i pari që do të kërkojë̈ referendum për unionin Kosovë-Shqipëri.

“Dua të them se vota për Aleancën është votë për Presidentin, është votë për mbrojtjen e vendit dhe votë për përmbylljen e shtetësisë̈. Votë për Kosovën në NATO dhe integrim në BE. E kam deklaruar dhe po e përsëris, sot edhe nga shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, se nëse nuk ka progres të qartë deri më 2025, unë do të jem i pari që do të kërkojë̈ referendum”, është shprehur Haradinaj. /Telegrafi/