LAJMI I FUNDIT:

Fjala pajtim “në” rapsodi

Fjala pajtim “në” rapsodi

Nga: Adem Nimani

A kuptojmë diçka kur e dëgjojmë një rapsod? Fjalët që shpesh tingëllojnë pa kuptim, por që nxirret patllakja për të shtënë nja pesë herë, pa ditur kurrë se për çka!?


Në jo pak raste, dasma është shndërruar në tragjedi – ndonjëherë edhe për vet dhëndrin e ndonjëherë për ndonjë mik të ftuar që është goditur, “pa dashur”, nga “çmenduria” e gëzimit të dikujt. Dhe, pasi ndodh vrasja, ai dikushi del e thotë se nuk e ka bërë këtë me qëllim!

Jo pak këngë rapsodësh dëgjohen por, për habi, në mesin e aq shumë njerëzve që e dëgjojnë këtë zhanër, zor se gjendet dikush që mund të thotë se mban mend porosinë që mund të nxirret nga teksti. Shtrohet pyetja: pse këndohen dhe dëgjohen aq shumë ato këngë? Pse dëgjohen kur prej saj nuk është nxjerrë mësimi i duhur? A kuptoi dikush çka është një vrasje e një njeriu, një djali, një prindi, një vëllai, një nipi a një gjyshi, të një a dy a tre fëmijëve që mbeten jetim, të një vëllai a motre që mbeten pa vëlla, të një babai a një nëne që mbeten pa djalë!? A ndjeu dhembje vrasësi për të vrarin dhe a i shkoi mendja dikujt se ajo dhembje ka për ta ndjekur dorasin derisa të jetë gjallë? Njeriu i vrarë iku me dhimbje, pa pasur mundësi të ankohet e as t’i thotë dikujt edhe një fjalë, se pse e vranë?

Me vrasje ikën vetëm i vdekuri, ndërsa mbeten zvarrë e vriten për së gjalli me dhjetëra e qindra njerëz që do të jetojnë një jetë tjetër që nga ai moment kur një “i krisur” ngre këmbëzën e armës.

Shumë këngë rapsodësh meritojnë analizë. Ndaj, dikush duhet të bëjë me dije përmbajtjen e këtyre këngëve, sepse një pjesë e madhe s’e dinë se çka thotë këngëtari. Është p.sh. një kënge e moçme, ku autori anonim ka përfshirë të gjitha të ligat me të cilat u ballafaqua njeriu ynë, për shekuj me radhë. Fjala është për këngën e “Dan Derofcit”. Autori aty ka përfshirë gjithçka, deri te përballja fatale. Sipas këngës, dihet gjithçka për Danin. Autori ishte një si biograf profesionist që ka jetuar e përjetuar nga afër peripecitë dhe të bëmat e tij. Kështu dëshmon çdo varg i këngës. Duke e dëgjuar atë, duke i vendosur shkronjat në letër, kuptojmë më mirë përmbajtjen. Nëse e dimë se çka është epi dhe cilat janë mjetet teknike për ta thurë një këngë epike, do të shohim dhe duhet ta pranojmë se autori i ka njohur të gjitha këto detaje si një shkrimtar elitar klasik. Ndoshta autori ka qenë pa asnjë ditë shkollë, por varg për varg, strofë për strofë, çdo shprehje e tij është e fuqishme e përmbajtjesore. Prandaj, them se një profesor i Teorisë së Letërsisë, krahas “Iliadës” së Homerit, studentëve mund t’ua ofrojë njohuritë themelore të thurjes së epit nëse merr si shembull “Dan Derofcin”.

Po si duhet të shpjegohej më konkretisht, për ta kuptuar brezi i ri këtë fatkeqësi?

Moti është dashur të rrëfehet syzhei i kësaj kënge, me fjalë të thjeshta, për ta kuptuar më mirë, dëgjuesi, qëllimin e rapsodit anonim. Sepse, ka pak rapsodë të mirëfilltë; ka pak rapsodë të mirë që latojnë, si skulptori i mirë, çdo fjalë që radhisin në varg. Të rralla janë tekstet që nuk janë ndryshuar nga këngëtarët tjerë. Tekstet e këngëve si të “Dan Derofci” dhe “Selman Kadrisë” janë të formësuara aq mirë sa që çdo ndryshim, i cilës do fjalë, mund të hetohet. Madje edhe muzika, rima dhe ritmi i vargjeve të kësaj kënge ruhen me ngulm nga të gjitha ata rapsodë që e kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë.

E nisa shkrimin me fjalën e madhe pajtim, që mungon në rapsodi. Mund dikush të thotë se pse autori anonim, as edhe rapsodët tjerë, as edhe një herë nuk e përdorën fjalën pajtim në rapsodi? Përgjigja gjendet te përshkrimi i të gjithë atyre të ligave të shoqërisë sonë, dhe ato do të duhej kuptuar si mesazh i fuqishëm pajtimi, e jo ta dëgjojmë këngën si një muzikë për të rënë në gjumë apo për të nxjerr patllaken për të shtënë qorrazi.