LAJMI I FUNDIT:

Epiziotomia, çfarë është dhe në cilat raste duhet të bëhet

Epiziotomia, çfarë është dhe në cilat raste duhet të bëhet

Epiziomia është prerje kirurgjikale e cila bëhet në pjesën muskulare midis vaginës dhe anusit. Epiziotomia bëhet pak para lindjes së bebes më qëllim që të zgjerohet hapja e vaginës.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Më parë obstetrit e bënin epiziotominë në mënyrë rutinore me qëllim që të parandalonin çarjen e vaginës. Atëherë mendohej se shërimi do të jetë më i mirë nëse bëhet një prerje “e pastër” siç është epiziotomia, se sa në rastet kur çarja e vaginës ndodhë në mënyrë spontane. Për më tepër mendohej se epiziotomia mund të parandalojë edhe komplikimet e mëvonshme, si për shembull inkontinenca (ose pamundësia që të kontrollohet urinimi).


Shumë studime që janë bërë kohët e fundit nuk e mbështesin kryerjen e epiziotomisë në mënyrë rutinore. Sipas këtyre studimeve, nuk ka fakte se epiziotomia mbron vaginën dhe muskujt e dyshemesë së pelvikut, bile kjo procedurë mund të shkaktojë probleme.

Për këtë arsye American Congress of Obstetricians and Gynecologists si dhe shumë ekspertë të tjerë, pajtohen se epiziotomia nuk duhet të bëhet në mënyrë rutinore.

A është më mirë që të bëhet epiziotomia apo që çarja të ndodhë në mënyrë spontane?
Studimet kanë treguar se nëse çarja bëhet në mënyrë spontane, shërimi bëhet në kohëzgjatje të njëjtë ose edhe më të shkurtër dhe me më pak komplikacione se sa kur bëhet epiziotomia.

Gratë tek të cilat bëhet epiziotomia, kanë tendencë që të humbin më shumë gjak gjatë lindjes, kanë më shumë dhimbje pas lindjes dhe duhet të kalojë më shumë kohë derisa t’iu kthehen aktiviteteve normale të përditshme (përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale). Poashtu, epiziotomia e rrit rrezikun për infeksion dhe për çarje të përsëritur gjatë lindjeve të ardhshme.

Nëse shtatzënia juaj ka rrjedhur mbarë dhe pa probleme, atëherë pritet që edhe lindja të jetë e tillë, pa pasur nevojë për ndonjë intervenim (përfshirë edhe epiziotominë). Normalisht, gjatë vizitave antenatale ju dhe burri juaj do të merrni informata të mjaftueshme lidhur me lindjen. Që nga mesi i shtatzënisë bashkë me mjekun tuaj, ju duhet ta diskutoni planin e lindjes ku do të merrni informacione të bollshme lidhur me shenjat e para të lindjes si dhe procesin e lindjes. Gjatë diskutimit të planit të lindjes ju do të merrni informacion për secilën procedurë që mund të kryhet, përfshirë edhe për epiziotominë.

Rekomandohet që në 4-5 javët e fundit të shtatzënisë të bëni masazhe të perineumit një herë ose dy herë në javë. Në këtë mënyrë ju e zvogëloni rrezikun që të keni çarje të perineumit ose epiziotomi.

Sot, rekomandohet që gjatë fazës së parë të lindjes (domethënë derisa kanali i lindjes është duke u hapur) ju të ecni dhe të lëvizni. Poashtu, rekomandohet që ju ta zgjidhni pozicionin e lindjes edhe në fazën e dytë të lindjes (domethënë gjatë kohës kur bebja del nga kanali i lindjes). Gjatë fazës së dytë të lindjes ju mund të qëndroni në këmbë, gjysëmulur ose shtrirë në krah dhe në këtë rast as që mund të bëhet epiziotomia.

Sipas rekomandimeve të fundit, mamia nuk ka nevojë që ta “mbrojë” me duar perineumin. Pra, rekomandohet që mamia të mos e prekë fare perineumin gjatë kohës kur është duke dalë koka e bebes nga kanali i lindjes. Në këtë rast, indet do të traumatizohen më pak dhe do të ndodhin më pak çarje dhe më pak epiziotomi.

Në cilat raste duhet të bëhet epiziotomia?
Epiziotomia duhet të bëhet në rastet kur lindja duhet të kryhet sa më shpejt për shkak se të rrahurat e zemrës së frytit tregojnë se ka vuajtje. Në raste të tilla shpeshherë lindja do të duhet të ndihmohet me instrumente (për shembull me vakuum aspirator ose forceps).

Si kryhet epiziotomia?
Mjeku ose mamia ju informon se do të kryejë epiziotominë. Paraprakisht ju jepet një injeksion me anestetik lokal për të bllokuar dhimbjen dhe më pas prehet me gërshërë perineumi. Pas lindjes së bebes, juve do t’ju jepet sërish anestezion lokal përpara se të bëhet qepja e perineumit.

Në orët dhe ditët e para pas lindjes ju mund të keni dhimbje ose parehati që mund të zgjasë deri edhe për një muaj. Qepja është bërë në një pjesë shumë të ndjeshme të trupit tuaj dhe duhet kohë që indet të shërohen.

Për ta lehtësuar dhimbjen pas qepjes së epiziotomisë ose çarjes së perineumit ju mund të bëni këto veprime:
• Ndërroni bindet (ulloshkat) sa më shpesh dhe lani duart para dhe pasi që ta ndërroni bindën. Bëni dush së paku një herë në ditë. Në këtë mënyrë ju e parandaloni mundësinë që të shkaktohet infeksion.
• Vendosni akull mbi perineum, por keni kujdes që akullin ta mbështillni me një peshqir të pastër. Akulli e bllokon dhimbjen dhe e ulë të enjturit. Akullim mos e mbani më shumë se 10-15 minuta, por mund ta aplikoni çdo 2-3 orë.
• Bëni banjo me ujë të nxehtë. Fshini trupin dhe perineumin me peshqir të butë dhe të pastër.
• Ekspozoni perineumin ndaj ajrit. Disa herë gjatë ditës hiqni brekët dhe largoni binden për 10-15 minuta në mënyrë që plaga të jetë në kontakt me ajrin.
• Lëvizni sa më shumë që të jetë e mundur dhe bëni ushtrimet e dyshemesë së pelvikut. Kur lëvizni stimulohet qarkullimi i gjakut në perineum dhe shpejtohet shërimi i plagës.
• Nëse ndjeni dhimbje merrni paracetamol. Paracetamoli është bar i sigurt si për ju ashtu edhe për beben tuaj që jeni duke e ushqyer me gji.

Shërimi zakonisht bëhet për rreth 10 ditë dhe zakonisht nuk zgjatë më shumë se një muaj. Penjtë treten vetvetiu dhe me kalimin e ditëve ju do të vëreni nyjet e perit të cilat biejnë. Kontaktoni me mjekun nëse ju duket se nga plaga rrjedhë sekret me erë të rëndë ose nëse keni probleme me urinim.

Kur mund të filloni marrëdhëniet seksuale?
Duhet ta keni parasysh se perineumi duhet të shërohet krejtësisht për 4-6 javë pas lindjes. Paraprakisht, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Në fillim mund të keni ndjenjën e të shtrënguarit, tendosjes ose edhe të dhimbjes. Provoni që përpara marrëdhënieve seksuale të bëni dush me ujë të nxehtë dhe kaloni më shumë kohë për paralojë.

Ekzistojnë disa pozicione seksuale në të cilat mund të ndjeheni më rehatshëm dhe mund të keni më pak dhimbje, për shembull kur ju qëndroni mbi burrin tuaj ose kur qëndroni shtrirë në krah (në këtë rast ju mund ta kontrolloni thellësinë e penetrimit dhe e parandaloni dhimbjen).

Nëse jeni duke e ushqyer beben me qumësht gjiri, vlera e estrogjenit në trupin tuaj është e ulët dhe rrjedhimisht vagina prodhon më pak sekret lubrifikues. Për këtë arsye mund të keni nevojë për lubrifikant në mënyrë që marrëdhëniet seksuale të mos jenë të dhimbshme. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori