LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët: Qeveri teknike gjithpërfshirëse nxjerr vendin nga kriza (Video)

Ekspertët: Qeveri teknike gjithpërfshirëse nxjerr vendin nga kriza (Video)

Ekspertët juridik dhe analistët politik pranojnë dy format e qeverisë kalimtare si zgjidhje për dalje nga kriza politike, por në të dyja rastet ata janë kundër idesë e cila së fundmi qarkullon në opinion për formimin e një qeverie me përfaqësues të katër partive më të mëdha në vend, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Nëse përcaktohen për Qeveri teknike, disa nga ekspertët thonë se ajo duhet të jetë gjithpërfshirëse. Ndërsa disa të tjerë mendojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte formimi i Qeverisë së ekspertëve të pavarur.


“Për situatën aktuale konfuze dhe krizën shumë dimensionale, në këtë moment është shumë më e preferueshme Qeveria e ekspertëve, e cila do të përbëhej nga njerëz të shkencës dhe të lëmive të ndryshme, për të cilën do të konsultohen akademia e shkencave, universitetet dhe institucione tjera të ndryshme. Kurse qeveria teknike ka një botëkuptim më të ngushtë, ajo formohet vetëm për një qëllim, poashtu mund të angazhohen ekspertë, por në radhë të parë propozohen nga partitë parlamentare, dhe ka një qëllim vetëm, për shembull në Maqedoni vetëm t’i organizojë zgjedhjet, dhe kjo për mua është pak”, ka deklaruar për Tv Shenja, eksperti juridik, Mersim Pollozhani. Por, dilema e vetme sipas tij është se a ka ekspertë të pavarur, veçanërisht në kampin maqedonas. Në këtë rast ai thotë se do të mjaftonte që të njëjtët të mos jenë të angazhuar politikisht nga partitë aktuale.

Për analistin Xhelal Neziri, zgjedhjet e ardhshme mund t’i organizojë edhe një Qeveri teknike e përbërë nga eksponent partiak. Por, kjo sipas tij nuk guxon të formohet vetëm me pjesëmarrje të katër partive më të mëdha. Neziri thotë se pjesë e një Qeveri të këtillë duhet domosdo të jenë edhe partitë jashtëparlamentare.

“Mendimi im është se një qeveri e koalicionit të gjërë do të ishte një zgjidhje më e mirë për shkak se ajo qeveri do të kishte mundësi dhe legjitimitet për të vendosur dhe të funksionojë në mënyrë efikase në krahasim me qeverinë e ekspertëve e cila dukshëm do të kishte të kufizuar hapësirën e veprimit shkaku I kontrollit të cilën e kanë partitë politike në teren dhe institucione. Një qeveri të koalicionit të gjërë e mendoj edhe një koalicion gjithëpërfshirës ku do të ishin të përfshira edhe partitë jashtëparlamentare, por edhe shoqatat joqeveritare”, ka deklaruar analisti politik Xhelal Neziri.

Ekspertët dhe analistët idenë e qeverisë teknike me pjesëmarrjen e katër partive parlamentare e kundërshtojnë me argumentimin se një qeveri e ngjashme, ku mungonte vetëm PDSH, u formua nga bisedimet e Përzhinos dhe u dëshmua si e paaftë për të zgjidhur krizën./Telegrafi/