LAJMI I FUNDIT:

E pranon ministri i Shëndetësisë: Turqia nuk i numëron si raste pozitive me COVID-19, nëse njerëzit nuk kanë simptoma

E pranon ministri i Shëndetësisë: Turqia nuk i numëron si raste pozitive me COVID-19, nëse njerëzit nuk kanë simptoma

Shifrat për rastet me COVID-19 të publikuara çdo ditë nga Turqia përjashtojnë numrin e njerëzve që kanë rezultuar pozitivë por nuk po shfaqin simptoma, ka pranuar ministri i Shëndetësisë i vendit, Fahrettin Koca.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, Koca tha se të gjitha shifrat zyrtare të lëshuara që nga 29 korriku u referoheshin vetëm “pacientëve” – që do të thotë ata që shfaqin simptoma të coronavirusit.


Ai nuk tha sa pacientë shtesë asimptomatikë ishin regjistruar në Turqi, por tha se ata përbënin “shumicën” e të gjitha rasteve.

Autoritetet shëndetësore në të gjithë botën kanë thënë se disa njerëz janë në gjendje të mbajnë COVID-19 pa treguar ndonjë simptomë dhe ta transmetojnë atë tek të tjerët, të cilët mund të zhvillojnë simptoma.

Dhe shumica e vendeve perëndimore raportojnë rastet asimptomatike brenda numrit të përgjithshëm të rasteve pozitive.

Deklarata e ministrit turk të shëndetësisë erdhi pasi një deputet i opozitës Murat Emir pretendoi se numri i vërtetë i rasteve ishte 20 herë më i lartë se shifrat zyrtare.

Ai akuzoi qeverinë për fshehjen e shkallës së vërtetë të shpërthimit të COVID-19 në Turqi.

Por Koca hodhi poshtë pretendimin e Emir se numri i përgjithshëm i rasteve pozitive të identifikuara në 10 shtator ishte 29,377 – dukshëm më i lartë se 1,512 pacientë të njoftuar nga ministria e shëndetësisë atë ditë. /Telegrafi/