LAJMI I FUNDIT:

Disa mësime nga historia, për Lindjen e Mesme të ditëve të sotme

Disa mësime nga historia, për Lindjen e Mesme të ditëve të sotme
Ilustrimi në një revistë franceze që flet për masakrën e vitit 1860 në Damask.

Nga: Eugene Rogan, profesor i Historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin e Oksfordit / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Të hënën, më 9 korrik 1860, qyteti i vjetër i Damaskut shpërtheu në dhunë të paprecedentë lokale. Gjatë tetë ditëve, një turmë kryesisht myslimane u përpoq të shfaroste komunitetin e krishterë. Damaskasit e mbijetuar, të turpëruar e kujtonin gjakderdhjen si “Ngjarjet e Damaskut”.


Turma vrastare në Damask u frymëzua nga lufta civile në Malin Liban në fqinjësi, në fillim të po asaj vere. Në fund të majit 1860, komuniteti druze ndërmerr një seri të sulmeve të befasishme mbi fortesat e krishtera në malësitë jugore. Fitoret e druzëve mbi të krishterët libanezë, ngjallën epshin për gjak në Damask, gjë që ushqehej me antagonizmat e thella dhe në rritje kundër fqinjëve të krishterë. Kur në qershor të vitit 1860 druzët e pushtuan fortesën e krishterë libaneze të Zahlehit, në shenjë festimi tregtarët i ndezën fenerët në tregjet e Damaskut.

Derisa dhuna në Malin Liban buronte nga rrënjët më ndryshe se në Damask dhe që përfshinte komunitetet e ndryshme – druzët kundër maronitëve në malin Liban, myslimanët kundër të gjitha besimeve të krishtera në Damask – ato e kishin një element të përbashkët: sulmuesit besonin se të krishterët përbënin kërcënim ekzistencial për jetën dhe mënyrën e tyre të jetesës. Përballë kërcënimit të tillë, shfarosja u pa si zgjidhje e arsyeshme. Në këtë aspekt, të dy ngjarjet ishin momente gjenocidi.

E ngushëllojmë veten nëse distancohemi në shekullin XXI – larg tmerreve barbare të vrasjeve masive në shoqëri, si relike të epokave të shkuara. Fatkeqësisht, momentet gjenocidale dhe gjenocidet e drejtpërdrejta (dallimi mund të bëhet midis masakrave në të cilat sulmuesit pengohen në përpjekjet e veta për të shfarosur, dhe gjenocideve në të cilat arrihet shfarosja e pjesshme ose e plotë) mbeten tipar i qëndrueshëm i historisë moderne.

Gjatë 75 vjetëve, qëkur në dhjetor 1948 Kombet e Bashkuara e miratuan Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, bota ka dëshmuar rastet e përsëritura të vrasjeve masive – në të gjithë Evropën, në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe në Azi: mund të përmendim disa nga më të fundit, si konfliktin boshnjak dhe gjenocidin e Ruandës në vitet 1990, dhunën kundër popullit të Darfurit në Sudan, krimet e Shtetit Islamik kundër jazidive në Irak dhe sulmet birmaneze ndaj rohingjave në Mianmar në vitet 2010.

Sot Izraeli qëndron para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi Afrika e Jugut ngriti rastin duke e akuzuar për kryerjen e gjenocidit kundër popullit të Gazës, pas sulmeve të tmerrshme të Hamasit të 7 tetorit 2023. Cilido qoftë vendimi përfundimtar i gjyqtarëve për këto akuza, të cilat Izraeli i refuzon, të dy palët në këtë konflikt e shohin tjetrin si kërcënim ekzistencial që e kërkon shfarosjen. Pyesim veten se si, për të jetuar në paqe si fqinjë, izraelitët dhe palestinezët mund t’i kapërcejnë traumat thellësisht përçarëse të shkaktuara nga lufta Izrael-Hamas.

Megjithatë, rindërtimi dhe pajtimi i tillë duhet të ndodhë. Dhe, Ngjarjet e Damaskut, të cilat na tregojnë se si shoqëritë mund të bien në dhunë, janë gjithashtu shembull se si zmbrapset e keqja.

Në vitin 1860, gati 85 për qind e popullsisë totale të Damaskut – me 150 mijë banorë – ishin myslimanë. Të krishterët ishin pakicë e veçantë, duke përfaqësuar jo më shumë se 10-12 për qind të popullsisë së përgjithshme. Komuniteti hebraik ishin me më pak se pesë për qind. Shtëpitë dhe kishat e krishtera ishin të përqendruara në lindje të qendrës së qytetit, të rrethuara me mure, ndërsa hebrenjtë jetonin në lagjet e afërta jugore.

Deri në mesin e shekullit XIX, të krishterët osmanë dhe hebrenjtë e gëzonin sigurinë për jetë dhe për pronë – si qytetarë të mbrojtur, por dukshëm të dorës së dytë. Megjithatë, në vitet 1840 dhe 1850, Damasku përjetoi ndryshime të mëdha në shoqëri dhe në ekonomi, të cilat do ta sfidonin këtë hierarki të gjatë shoqërore dhe do të kërcënonte primatin e komunitetit mysliman në qytet.

Duke filluar nga vitet 1840, mallrat industriale evropiane filluan të vërshojnë tregjet e Damaskut. Të krishterët sirianë, të punësuar si agjentë për shtëpitë tregtare evropiane, ishin përfituesit kryesorë të biznesit që minonte endësit dhe tregtarët vendas. Fuqitë evropiane i dërguan konsujt në Damask për të mbrojtur interesat e veta. Këta konsuj punësuan të krishterët vendorë për punët administrative të cilat atyre ua jepnin privilegjet tatimore dhe ligjore mbi tregtarët myslimanë të qytetit.

Në vitet 1850, të krishterët e Damaskut përfitonin pasuri dhe ndikim falë lidhjeve të tyre evropiane. Këto përfitime ndodhën në kohën e reformave osmane të vitit 1856, të cilat para ligjit ua dhanë barazinë myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve. Papritmas, komunitetet minoritare e hoqën statusin e tyre të klasit të dytë dhe e pretenduan barazinë me elitat myslimane të qytetit. Pakënaqësi të thella shkaktuan dy dekadat e fitimeve të të krishterëve në kurriz të myslimanëve.

Oborri i konsullatës britanike ku u strehuan shumë të krishterë gjatë Ngjarjeve të vitit 1860, si dhe xhamia Takia al-Sulejmania e cila u përdor si qendër paraburgimi për qindra burra myslimanë.

Në vend që të moderonin sjelljen e vet për të zbutur komunitetin mysliman, të krishterët e Damaskut ishin më këmbëngulës pas vitit 1856. Siç ka kujtuar një mysliman i shquar, në ditarin e vet: “Evropianëve … u bëri përshtypje se Tanzimati [reformat administrative osmane] i bëri njësojë të krishterët dhe myslimanët, të gjithë si krijesa të Zotit, kështu që pse të mos i veshte një i krishterë të njëjtat rroba si myslimani e kështu me radhë. Nëse një i krishterë grindet me një mysliman, çfarëdo që do t’i thoshte myslimani, i krishteri e thoshte të njëjtën gjë edhe më shumë. Nëse ankoheshin te qeveria, ajo e mbante anën e të krishterëve”. Për myslimanët e Damaskut, barazia me jomyslimanët ishte përmbysje e rendit natyror.

Në fund të viteve 1850, këto ndryshime krijuan antagonizma midis myslimanëve dhe të krishterëve. Megjithatë, ato forca, sado përçarëse, nuk ishin të mjaftueshme për t’i shkaktuar vrasjet masive. U desh gjakderdhja në Malin Liban për ta dhënë shembullin për dhunën gjenocidale. Por, po të mos ishin ngjarjet në Malin Liban, damaskasit mund të mos e kishin menduar kurrë masakrën e gjerë si zgjidhjen e “problemit të tyre të krishterë”.

Nëse masakrat e druzëve ndaj të krishterëve libanezë hapën derën për gjakmarrjen e myslimanëve të indinjuar të Damaskut, me kaq nuk u ndal rrëmbimi i shkaktuar nga emocionet e rrezikshme. Shumë myslimanë të Damaskut besonin se fqinjët e tyre të krishterë ushqenin aspirata të ngjashme të dhunshme ndaj tyre.

Frika ndezi flakët e thashethemeve. Një damaskas i krishterë vërejti se, pas masakrave në Malin Liban, një mik mysliman “Më pyeti nëse është e vërtetë se janë 100 shtëpi të krishtera ku secila fshihte një mijë burra të armatosur” të cilët prisnin të ngriheshin dhe të vrisnin myslimanët e Damaskut në shenjë ndëshkimi. I njëjti i krishterë raportoi për thashethemet e çmendura për masakrat e pretenduara të të krishterëve kundër myslimanëve të Jerusalemit dhe të qytetit sirian të Homsit në veri, ndërkohë që myslimanët gjendeshin në xhumanë e së premtes. “Kështu, shpejt u pranuan gënjeshtrat që synonin të ndiznin zemërimin e myslimanëve”, përfundoi ai.

Derisa po mbaronte qershori i vitit 1860, myslimanët në Damask u përgatitën për të festuar Kurban Bajramin, festën më të rëndësishme në kalendarin islamik. Normalisht, në sezonin festiv afrimi i Bajramit të vitit 1860 u shënua nga frika irracionale për hakmarrje të të krishterëve kundër myslimanëve të Damaskut. Xhamitë u lanë bosh në prag të festës. Edhe guvernatori i Damaskut nuk arriti të kryente faljen, duke konfirmuar frikën e shumicës së damaskasve se thjesht nuk ishte e sigurt të dilje jashtë. Siç shënoi një predikues në xhaminë e nderuar Umajad në qytet, “Ky lajm përhapi ankth të thellë midis myslimanëve të cilët bënin thirrje për vrasjen e të krishterëve”.

Më 9 korrik 1860, guvernatori i Damaskut e dërgoi një grup të banditëve të rinj myslimanë për të demoluar rrugët e lagjes së krishterë, si ndëshkim për vendosjen e kryqeve në rrugë dhe për të përdhosur simbolin e krishterë. Reagimi i të rinjve myslimanë, si kriminelë të zakonshëm për një shkelje në dukje të vogël, provoi shkëndijën që për tetë ditë shpërtheu në dhunën e turmave. Siç kujtoi një i mbijetuar i krishterë: “Kishte angazhim të përgjithshëm për të vrarë të gjithë të krishterët nga të gjitha sektet, besimet dhe klasat – pa përjashtim”. Ishte moment gjenocidi.

Konventa e OKB-së e vitit 1948 e përkufizon gjenocidin si “akt të kryer me qëllimin për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Siç e qartëson Konventa, ka shumë mënyra të ndryshme për të çrrënjosur një komunitet. Gjatë Ngjarjeve, të krishterët e Damaskut ishin viktima të shumë praktikave që ndërlidhen me gjenocidin.

Rrënojat e Damaskut më 1862 dhe trungjet e grumbulluara për rindërtim.

Mjet kryesor i gjenocidit është vrasja masive. Gjatë Ngjarjeve u vranë rreth pesë mijë të krishterë – 2 500 të Damaskut dhe 2 500 të tjerë nga fshatrat fqinjë që kishin kërkuar strehim në Damask. Qindra burra e zgjodhën konvertimin e detyruar dhe qindra fëmijë u ndanë nga familjet e veta dhe u dërguan në shtëpitë myslimane – për t’u rritur si myslimanë. Edhe këto janë praktika të njohura gjenocidale, si mënyra alternative për të shfarosur komunitet e synuara.

Raportimet e shumta për përdhunime dhe rrëmbime të grave nga familjet myslimane, madje edhe për mbarsje të detyruar, ndodhën gjatë Ngjarjeve ku të krishterët u detyruan të lindnin fëmijë të cilët sipas ligjit islam njiheshin si myslimanë.

Më në fund, kishat, manastiret dhe shtëpitë e krishtera u plaçkitën dhe u zhveshën deri në tulla – përpara se të digjeshin. Shifrat osmane konfirmojnë se asnjë kishë nuk mbeti në këmbë në Damaskun qendror, se 1 500 shtëpi të krishtera u dogjën deri në themel dhe 270 të tjera u dëmtuan rëndë. Dyqanet dhe vendet e punës të të krishterëve pësuan shkatërrime të ngjashme. Ishte përpjekje e bashkërenduar për ta zhdukur njëherë e përgjithmonë praninë e krishterë në Damask.

Ngjarjet e vitit 1860 ishin moment gjenocidi, por nuk ishin gjenocid. Fisnikët kryesorë myslimanë, të tmerruar nga dhuna kundër banorëve të tyre të krishterë, u dhanë strehë të mbijetuarve. Amir ’Abd al-Qadir al-Jaza’iri, i cili e kishte udhëhequr rezistencën e algjerianëve kundër kolonizimit francez të vendit në vitet 1830 dhe 1840, më 1855 ishte vendosur në Damask dhe komandonte një grup prej 1 200 veteranëve algjerianë të cilët zgjodhën të shkonin në mërgim, në vend që të jetonin nën sundimin perandorak francez. Njerëzit e armatosur të Abd al-Qadirit luajtën rol kyç në shpëtimin e mijëra të krishterëve nga turma dhe përcjelljen e tyre në shtëpitë e sigurta – deri në përfundimin e dhunës. Në këtë mënyrë, rreth 85 për qind e të krishterëve të Damaskut mbijetuan nga Ngjarjet.

Mbijetesa e shumicës së të krishterëve, sigurisht që ishte rezultat i mirë. Megjithatë, këta persona kishin shpëtuar vetëm me plaçkat mbi shpinë. Kishin humbur gjithçka dhe tani prisnin nga qeveria osmane për të plotësuar çdo nevojë të tyre. Fuqitë evropiane po vëzhgonin. Viktimizimi i mëtejshëm i të krishterëve levantinë, pothuajse me siguri do të provokonte ndërhyrjen dhe me shumë mundësi pushtimin kolonial të Sirisë.

Rreziqet, për osmanët, nuk mund të ishin më të larta. Qeverisë së sulltanit i duhej të rivendoste autoritetin mbi kryeqytetin e rebeluar të provincës dhe të shmangte nga gjenocidi popullsinë e saj vrastare. Lagjet e tëra duhej të rindërtoheshin dhe popullsia e krishterë të riintegrohej në jetën shoqërore dhe ekonomike të qytetit të vdekur. Antagonizmat myslimane duheshin mundur dhe frika e të krishterëve të zbutej. Restaurimi i shoqërisë civile, pas traumës së thellë përçarëse, ishte një proces sfidues.

Ishte e ngadaltë qasja osmane drejt rindërtimit, por në fund e suksesshme. Masat e para në shumë mënyra ishin përçarëse. Për ta rivendosur shtetin e së drejtës, zyrtarët osmanë mblodhën mijëra myslimanë të Damaskut, nga të gjitha klasat dhe profesionet. 57 vetë u varën dhe 110 të tjerë u ekzekutuan me pushkatim për krimet e kryera. Të tjerët u dërguan në internim. Mijëra të rinj u rekrutuan në ushtrinë osmane. Dënimet e tilla drakoniane bënë që myslimanët e Damaskut t’i frikësoheshin qeverisë, por gjithashtu ndezën armiqësinë ndaj fqinjëve të tyre të krishterë. Gjithmonë ishte i pranishëm rreziku për një valë të re të masakrave.

Sfida tjetër ishte mbledhja e parave për të rindërtuar shtëpitë dhe bizneset e krishtera. Qeveria osmane nuk kishte fonde për ta bërë këtë, ndaj vendosi një taksë të rëndë për shumicën myslimane në Siri – për të krijuar kështu një fond të posaçëm dëmshpërblimi. Taksa mblodhi vetëm një pjesë të humbjeve të të krishterëve, por ishte e mjaftueshme për të financuar rindërtimin e shtëpive dhe për të mundësuar artizanët dhe tregtarët e krishterë që të ktheheshin në punë. Nga fundi i vitit 1864, katër vjet pas masakrës, puna e rindërtimit kishte përfunduar. Megjithatë, ende ishin të larta tensionet midis myslimanëve dhe të krishterëve. Kur në vitet 1866-‘69 të krishterët e Kretës u revoltuan kundër Perandorisë Osmane, shpërthyen tensionet sektare dhe damaskasit kishin frikë nga rikthimi i tmerreve të vitit 1860.

Klientë në një kafene në brigjet e lumit Barada, në Damask më 1895.

Për sa kohë që masat e qeverisë për të ndihmuar të krishterët shkonin në kurriz të myslimanëve, ato prireshin të përkeqësonin tensionet mes dy komuniteteve. Suksesi përfundimtar i masave osmane erdhi në vitet 1870 dhe 1880, kur qeveria pati një periudhë të investimeve të mëdha në Damask. Kjo u bë e mundur nga bashkimi i tri provincave nën sundimin e Damaskut, duke i dhënë guvernatorit të Damaskut më shumë se pesëfishin e të ardhurave të mëparshme për punën që bën. Ajo që pasoi midis viteve 1865 dhe 1888 ishte asgjë më pak sesa rinovimi urban nga i cili përfituan që të gjithë njësoj – myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë.

Gjatë këtyre dy dekadave, qeveria riparoi administratën provinciale. Krijoi këshillat e rinj të të zgjedhurve, me ulëset për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë të cilët e kishin fjalën e vetë në vendimet komunale. Zgjerimi i burokracisë qeveritare çoi në bum ndërtimi, duke ofruar vende pune për ndërtuesit dhe artizanët dhe për shumë punë të tjera të çmuara në shërbimin qeveritar.

Më e rëndësishmja, qeveria shpenzoi shumë për zgjerimin dhe rinovimin e tregjeve qendrore të Damaskut. Rrugicat mesjetare ia lanë vendin shtigjeve moderne sipas modelit evropian, duke siguruar strehë në harqet e gjera për të akomoduar trafikun në të dy drejtimet. Hapësirat e reja publike, si kafenetë dhe teatrot, siguruan terrene takimi për damaskasit e të gjitha komuniteteve. Në thelb, këto reforma sollën përfitime për të gjithë – pa humbur asnjë komunitet.

Duke investuar në tërësi në shoqërinë post-konfliktuoze, ku përfitimet rriteshin në mënyrë të barabartë për sulmuesit dhe për viktimat e tyre, rindërtimi ua lejoi komuniteteve të ndara të rikuperoheshin nga tmerret e kaluara. Damasku bashkëkohor, edhe pse sot kryeqytet i një vendi të thyer nga lufta civile, që nga Ngjarjet e 1860-ës nuk e dëshmoi rikthimin e dhunën sektare,.

Përvoja e Damaskut për t’u tërhequr nga pragu i gjenocidit, ofron mësime të dobishme për shoqëritë e tjera të cilat shërohen nga traumat përçarëse. Është thelbësore rivendosja e shtetit të së drejtës, por drejtësia totale mund të jetë sa e dëmshme aq edhe e rreme. Në mënyrë të ngjashme, është thelbësore që të mbijetuarve t’ju sigurohen mjetet për të rindërtuar jetën, por do të ishte gabim të ngarkoheshin pafundësisht fajtorët në përpjekjen për të kompensuar të gjitha humbjet e viktimave. Sa më shumë që zvarritet procesi i drejtësisë dhe i dëmshpërblimeve, aq më i madh është rreziku i ripërtëritjes së dhunës.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion që të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit të respektohen. Ata që janë përgjegjës për mizoritë, duhet të dalin para përgjegjësisë, por njëfarë shkalle e përmbajtjes ose mëshirës do të ndihmojë në stabilizimin e shoqërive thellësisht të ndara. Rindërtimi duhet të përfshijë çatinë e denjë dhe mjetet për të rifilluar jetën profesionale.

Por, testi përfundimtar i rindërtimit qëndron në premtimin e së ardhmes më të mirë për brezin e ardhshëm – përmes paqes, sigurisë dhe edukimit. Vetëm përmes kësaj shprese, agresorët dhe viktimat e momenteve gjenocidale do të motivohen që ta kthejnë faqen e tmerreve të së kaluarës. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Atdheu

Atdheu

LOTI

LOTI

KUJTIMI

KUJTIMI

AJO ËNDËRR QË …

AJO ËNDËRR QË …

Simpatia për Kroacinë

Simpatia për Kroacinë

“Letërsia nga burgu”

“Letërsia nga burgu”

Kalo në kategori