LAJMI I FUNDIT:

Dështimi i NATO-s për ta shpëtuar Ukrainën, shtron pyetjen ekzistenciale: Për çfarë ekziston?

Dështimi i NATO-s për ta shpëtuar Ukrainën, shtron pyetjen ekzistenciale: Për çfarë ekziston?

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Festimi madhështor i ditëlindjes së 75-të të NATO-s në Uashington, në korrik, nuk ka kuptim në Kiev. Aleanca si mos më keq ka dështuar në sfidën e saj më të madhe të pas-Luftës së Ftohtë – betejën për Ukrainën. Mjerisht, kjo nuk mund të mohohet: Vladimir Putini po korr suksese.

Avancimi i forcave ruse përfitoi për fajin e Perëndimit për furnizimin e ngadalshëm dhe të paktë me armë për Kievën dhe nga frika kronike e udhëheqësve nga përshkallëzimi. Ukraina merr mbështetje sa për të mbijetuar – për të mos fituar kurrë. Tani madje edhe mbijetesa është vënë në dyshim.


Ukraina është lufta e Evropës. Është lufta globale e lirisë, thotë Joe Biden – luftë për demokraci. “Mbështetja jonë nuk mundet dhe nuk do të lëkundet. Britania është me ju për sa kohë që duhet”, zotohet Rishi Sunaku. Megjithatë, në terren, Ukraina është lënë kryesisht e vetme për të luftuar.

NATO-ja do të duhej të ndërhynte që në fillim me forcë për të penguar agresionin e Rusisë, siç vazhdimisht është kërkuar këtu. Zonat e ndalim-fluturimit do të kishin parandaluar mijëra viktima civile dhe do të kufizonin dëmtimet në qytetet e Ukrainës.

Ishin dhe janë disfatiste kufizimet për Kievin për përdorimin e raketave të prodhimit perëndimor, për të sulmuar bazat ushtarake dhe rafineritë e naftës brenda Rusisë. Forcat detare të NATO-s do të duhej të vendosnin kordonët mbrojtës rreth porteve që eksportojnë grurë nga Deti i Zi. Putinit duhet t’i tregohet se ku bien përpjekjet e tij të poshtra për shantazh bërthamor.

E gjithë kjo ende mund të bëhet, nëse ka vullnet. Gjenerali Richard Shirreff, ish-komandant i lartë i NATO-s, kërkon “ndryshim themelor” për një strategji më aktive. Ka të drejtë. Por, ka pak sinjale nëse politikanët dëgjojnë. Bideni dhe Olaf Scholzi i Gjermanisë e lejojnë maturinë e tepruar, miopike, dhe i bëjnë të paqarta imperativat ushtarake dhe morale. Emmanuel Macroni i Francës, pasi ka braktisur paqësimin, tash pretendon se vetëm humbja e Rusisë do ta shpëtojë Evropën. Pak si vonë, Manu.

Në Britani, Sunaku llomotit pa turp për rreziqet e pashembullta për sigurinë. Mundet me i tremb votuesit në Mbretërinë e Bashkuar – por, nuk e tremb Putinin apo mbështetësin e tij “të pakontrolluar”, Xi Jinpingun e Kinës, siç dëshmoi dashuria sfiduese ndaj Pekinit në javën e kaluar. Kjo për shkak se, me gjithë bisedat e tyre, NATO në tërësi, dhe as Sunak e as sekretari i Jashtëm i rreptë David Cameron, sokoli i Kotsulodsit, nuk janë të përgatitur të ndërhyjnë drejtpërdrejt për të ndihmuar Ukrainën që të fitojë. Kështu, disfatën e bëjnë më të mundshme.

NATO duhet të përshpejtojë anëtarësimin e plotë të Ukrainës në korrik. Por, nuk do. Shtetet e Bashkuara tashmë janë përcaktuar kundër – dhe pjesa tjetër e ndjek e heshtur. Kievit në mënyrë të paqartë i thuhet se duhet të presë derisa “kushtet të jenë të përshtatshme”. Arsyeja aktuale, diskredituese, është frika e tejkaluar e Bidenit e kohës së Luftës së Ftohtë për hakmarrjen ruse. A beson ai me të vërtetë se Putini do ta sulmonte grupin prej 32 vendeve të NATO-s, një forcë jashtëzakonisht superiore? Më shumë gjasa, frikacaku Putin do të tërhiqej.

Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, e ka idenë e duhur. Dëshiron që bisedimet e pranimit të Ukrainës të fillojnë menjëherë – dhe Scholz të ndalojë bllokimin e furnizimeve të raketave Taurus me rreze të gjatë veprimi.

“Nëse pohoni se nuk mund t’ia bëni ftesën Ukrainës për sa kohë që lufta vazhdon, atëherë ia jepni Putinit shtytjen për ta vazhduar luftën, për ta parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO”, tha ai. BE-ja gjithashtu duhet të ndalojë me hezitimet dhe të përshpejtojë kërkesën për anëtarësim të Kievit, në samitin e muajit të ardhshëm. Situata në linjën e parë të betejës bëhet kritike, pjesërisht sepse Rusia e ka shfrytëzuar vonesën e shkaktuar nga aleatët e Donald Trumpit për dorëzimin e pakos së armëve amerikane në vlerë prej 60 miliardëve dollarëve (55.2 miliardë euro). Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e pranoi të njëjtën gjë në Kiev në javën e kaluar. Ukraina gjithashtu ka mungesë të ushtarëve. Përsiatjet e fundit të Macronit për dërgimin e trupave tokësore, u hodhën poshtë me zemërim nga Uashingtoni dhe Berlini. Megjithatë, ky opsion e kërkon një konsideratë serioze. Thuhet se ShBA-ja tash po e shqyrton vendosjen e trupave si trajnerë.

“Udhëheqësit evropianë nuk mund të lejojnë që mosfunksionimi politik amerikan të diktojë në sigurinë evropiane”, argumentojnë analistët Alex Crowther, Jahara Matisek dhe Phillips O’Brien. “Ata seriozisht duhet të mendojnë për vendosjen e trupave në Ukrainë, për të ofruar mbështetje logjistike dhe trajnim, për të mbrojtur kufijtë dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës, apo edhe për të mbrojtur qytetet e Ukrainës. Duhet ta bëjnë këtë të qartë … Evropa është e gatshme të mbrojë sovranitetin territorial të Ukrainës.”

Gjithnjë e më shumë gjërat varen nga Evropa, e cila ka më shumë për të humbur. Përveç pasojave të tmerrshme të ndarjes së përhershme të Ukrainës ose nënshtrimit total të saj, suksesi i projektit neo-imperial i Putinit në të ardhmen rrezikon një numër të ish-republikave sovjetike – Gjeorgjia është rasti më i cenueshëm – BE-në dhe sigurinë evropiane.

Nëse realizohen skenarët e tillë, NATO patjetër që do të përfshihej. Apo ndoshta jo? Trumpi është opsion i paparashikueshëm. Nëse ai e mund Bidenin në nëntor, ish-këshilltarët janë të bindur se do të zmbrapset nga Ukraina dhe do të jetë lehtësim për Putinin. Ata gjithashtu besojnë se do të bëjë lëvizjet për të braktisur NATO-n, fillimisht duke sabotuar ose bllokuar operacionet. Festa e ditëlindjes së korrikut mund të jetë e fundit e NATO-s. Në atë moment, Evropa vërtet do të jetë e vetme.

“Nëse Trumpi rizgjidhet dhe ndjek instinktet e veta kundër NATO-s, viktima e parë do të ishte Ukraina”, shkroi Alexander Vershbow, ish-ambasador i ShBA-së në Rusi dhe në NATO. “Pasojat e tmerrshme fillojnë nga aty”.

Pse është kaq e vështirë për politikanët perëndimorë të kuptojnë natyrën më të gjerë dhe ekzistenciale të kërcënimit rus? Përplasjet e përsëritura të spiunazhit, sabotazhet, atentatet, zjarrvëniet dhe hakimet kibernetike tregojnë se Moska “po bën luftë kundër vendeve evropiane”, paralajmëroi eksperti Edward Lucas. “Si është e mundur që Rusia, një vend me ekonomi të përmasave të Italisë, të jetë në gjendje të sulmojë gjithë Perëndimin pa u ndëshkuar? Përgjigja është se Rusia nuk na merr seriozisht”.

Paramendoni se si historianët e ardhshëm mund ta shohin këtë. Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë dështoi të mbronte demokracinë fqinje evropiane dhe një shtet të pavarur sovran nga pushtimi i paligjshëm, i paprovokuar, nga një precedent, nga shkatërrimi i tmerrshëm dhe nga krimet e luftës të kryera nga një agresor autoritar më pak i fuqishëm. E jashtëzakonshme!

NATO-s së çorientuar nuk mund t’i besohet më shmangia e katastrofës me ndikim të gjerë në Ukrainë. Pra, lind pyetja: për çfarë shërben NATO-ja? Nuk është vetëm Trumpi ai që po pyet. Nëse nuk bëjnë përpjekje për përmirësime, shumë shpejt liderët e aleancës duhet t’i anulojnë manifestimet – dhe ta ulin kokën të turpëruar. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Lajme
Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Bundesliga

"Unë jam gjallë, nuk është ende vonë", gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi kërkon ndihmë përmes televizionit shtetëror

Botë
E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

Serie A
“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

Lajme
Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Amerika
Kalo në kategori