LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitari thotë se s’ka shumë njohuri për njësitin BIA, ndërsa Mustafën e takoi gjatë luftës një apo dy herë

Dëshmitari thotë se s’ka shumë njohuri për njësitin BIA, ndërsa Mustafën e takoi gjatë luftës një apo dy herë

Dëshmitari i njëmbëdhjetë i mbrojtjes, Musli Halimi, në seancën e së mërkurës, në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës në Hagë ka thënë se nuk ka shumë njohuri për njësitin BIA dhe se Mustafën e takoi gjatë luftës një apo dy herë.

Pas pushimit të drekës, fillimisht dëshmitari Musli Halimi, duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Silvia D’Ascoli, ka deklaruar se Adem Shehu ka ardhur në brigadë nga fundi i marsit.


Ai bëri të ditur me 1 shkurt është emëruar komandant i zonës stërvitore në Zllash, e se më herët kishte qenë ushtar i thjeshtë. Ndërkaq, konfirmoi se ka kontribuar në përgatitjen e qendrës stërvitore, në mënyrë që e njëjta të fillonte të punonte.

Sipas dëshmitarit, pas funksionalizimit të kësaj qendre, ai ishte marrë me trajnimin dhe përgatitjen e rekrutëve.

Ky dëshmitar sërish konfirmoi se gjenerata e parë e rekrutëve kishte rreth 50 persona, ndërsa tha se ky numër i kujtohet pasi ka qenë i zakonshëm dhe fillimi gjithmonë ka qenë pak më problematik.

Kurse, sipas tij, në gjeneratat e tjera ka filluar të zgjerohet numri i kadetëve. Dëshmitari Halimi tha se i duket se gjenerata e dytë ka pasur diku rreth 150 persona.

“Gjitha gjeneratat e tjera kanë vazhduar me të njëjtin numër sepse më shumë nuk kemi pas kapacitet me pranu rekrutë të rinjtë”, tha tutje Halimi, i cili konfirmoi se nga gjenerata e dytë, të gjitha gjeneratat e tjera kanë pasur numrin rreth 150 persona.

Dëshmitari Halimi ka thënë se ka punuar sipas plan-programit që e kanë pasur, ku i është përmbajtur të njëjtit dhe është dashur të kryej detyrat e tij.

“Nuk kam pas mundësi të di emrat e tyre përmendësh, të të gjithëve, bile as një përqindje të vogël. Por, ju kam përmbajt planit. Rekruti ka ardh me u stërvit, sëm ka interesu emri i tij, prej ku ka ardh e qysh ka ardh. Qëllimi jem ka qenë ta kryej detyrën time, me temat që i kam pas sipas plan-programit”, bëri të ditur dëshmitari.

Sipas tij, personi me nofkën “mësuesi” ka qenë përgjegjës për personelin dhe logjistikën, duke përfshirë listat, kurse tha se nuk e mban mend se ku i mbante i njëjti listat me emrat e rekrutëve.

I pyetur se a rifreskohej lista, ai tha se lista nuk ka pas si të rifreskohet dhe ka mbetur si ka ardhur nga brigada, e nuk ka pasur mundësi as të futet e as të largohet dikush nga kjo listë.

“S’ka mund të vi për ditë rekruti. Lista ka ardh prej fshatrave, lagjeve, të mbledhura nga aktivistët e caktuar të lagjeve ku kanë jetu. Ata i kanë pru në brigadë, brigada e ka përpilu listën, lista ka ardh në qendrën stërvitore. S’ka mujt të futet dikush ma, as të hiqet dikush ma. Ajo listë ka mbet deri në përfundim të gjeneratës”, tha Halimi.

Ai sërish tha se nuk ka pasur mungesa të rekrutëve në trajnimet që i mbanin në këtë qendër. Kurse, tha se mbahej shënim për praninë e tyre, ku çdo herë rekrutët janë ftuar në mëngjes me emër dhe mbiemër e është numëruar numri i tyre, si në mëngjes, si në mbrëmje, kur është bërë ngritja e zbritja e flamurit.

Sipas tij, nuk ka ndodhur që dikush nga rekrutët mos të paraqitet në mëngjes pasi çdo herë kanë qenë të gjithë prezent.

“Ditët kur thërrisnit emrat e rekrutëve në mëngjes ju personalisht, prezenca e tyre a regjistrohej në listë për shembull me një kryq apo shenjë tjetër për të konfirmuar që emrat që thërrisnit ishin prezent aty”, ka pyetur prokurorja D’Ascoli.

Ai konfirmoi se prezenca e tyre shënohej në listë, si dhe konfirmoi se në ditët kur kishte ai turnin, nuk mungonte askush nga rekrutët.

“Nëse ka pas sëmundje diçka serioze, brigada ka pas mjekët e vet dhe kemi pas të drejtë të thirrim mjekun ta kontrolloj. Por, nuk ka pas një rast që dikush ka qenë i sëmurë dhe është dashur ta lëshoj trajnimin dhe mos ta përfundoj deri në fund”, tha dëshmitari tutje.

Ndërkaq, tha se ka pasur ndonjë rast kur i kanë lejuar të shkojnë në shtëpi, por prapë janë kthyer në mëngjes dhe se kanë qenë raste të rralla, një apo dy, duke iu referuar arsyeve shëndetësore.

“kur thatë që kishte disa raste kur kemi lejuar personat të shkonin në shtëpi dhe të ktheheshin në mëngjes që ishin raste të pakta, 1 ose 2, a e mbani mend për çfarë arsye lejoheshin të shonin në shtëpi dhe të ktheheshin personat”, ka pyetur prokurorja D’Ascoli.

“Ka pas raste të rralla, kena leju një apo dy në të gjitha trajnimet që të shkoj në shtëpi dhe kthehet prapë. Nuk ka qenë mirë me shëndet, e ka ni vetën jo mirë, ja kena dhon mundësinë me shku në shtëpi, po mu kthy prapë në qendër stërvitore”, u përgjigj dëshmitari.

Ndërkaq, i pyetur në çfarë gjenerate ka ndodhur kjo gjë, ai tha se nuk i kujtohet. Ndërsa, bëri të ditur se për raste të tilla mbahej shënim për këta persona.

“Në fletore, gjatë kujdestarisë, dhe gjitha punët e kryera apo pakryera është dashur të shkruhen në libër të kujdestarisë. Ajo ka qenë një libër, fletore”, tha ai, kurse tha kjo ka ndodh vetëm për kujdestari.

Kurse, bëri të ditur se ndonjë gjë tjetër nuk mbahej shënim në këtë fletore.

“Këto shënime kanë qenë të gjitha në shkollë, por me futjen e forcave srbe në Zllash, kanë kall gjithçka çka kanë pa përpara, një ndër to dhe shkolla e për fat të keq edhe ato lista, edhe ato libra, janë djeg, janë kall në shkollë”, tha Halimi.

“Nëse pa pasur këto shënime jeni apo nuk jeni në gjendje që sot të jepni hollësi, detaje për emrat e njerëzve dhe për datat kur për ta është mbajtur shënim që ka munguar për shkak të sëmundjes, fjala bie”, pyeti prokurorja D’Ascoli.

“Kjo çka po thom është e vërtetë. Çka e kam cek edhe më herët, gjithçka që e kam thënë është e vërtetë. Ju a besoni a s’besoni se di”, tha dëshmitari Halimi.

Ai tha se në shumicën e orëve të tij që ai i ka pasur ka punuar me të gjithë rekrutët sepse 70% të plan-programit e ka zbatuar në natyrë, jashtë shkolle.

Sipas Halimit, emri i personit me nofkën “Triumfi” ka qenë Emin Borovci, ndërkaq emri i personit me nofkën “mësuesi”, tha se nuk i kujtohet, ndërkaq bëri të ditur se mbiemrin e ka pasur Gashi.

Më pas, prokurorja lexoi një pjesë të deklaratës të dhënë për mbrojtjen nga Halimi.

“Pyetja që jau ka bërë avokati “ku rrinte Adem Shehu, ku flinte”. Ai rrinte në shtabin e brigadës. Ku gjendej ky, përgjigja juaj është ishte 300-400 metra larg shkollës ishte një shtëpi private. Pyetje e ke vizituar shtabin e komandës së brigadës Përgjigja jo, ai vinte te na dhe na kontrollonte, gjithashtu merrte pjesë në stërvitje, ai ishte trajneri kryesor”, ka lexuar prokurorja.

Tutje, ai konfirmoi këtë deklaratë e po ashtu tha se ai ka qenë komandant i brigadës dhe ka pasur të drejtën kurdo që e ka parë të arsyeshme ta kontrollojë qendrën stërvitore.

Dëshmitari tha se ka qenë e panevojshme që Shehu të merret me stërvitje pasi kanë pas instruktorët aty. Për të njëjtin tha se ka mundur t’i këshilloj apo sugjeroj, pasi ka qenë i përgatitur në aspektin ushtarak më shumë se ata.

“Nuk muj me qujt instruktor ato, ai ka qenë komandant brigade. Nuk ka qenë instruktor, instruktor jo. Por, këshillues”, tha Halimi.

Ai konfirmoi se e ka parë Adem Shehun në qendrën stërvitore.

Ky dëshmitar është pyetur se si ka mundësi të jetë i informuar për gjendjen, kur nga 7 deri 10 prill nuk i pranishëm gjatë ditës në qendër stërvitore, pasi shkonte në Prapashticë.

“E kam cek që ka qenë kujdestaria, çdo 24 orë ka kujdestaru dikush dhe deri me 10 prill jam kon komandant i asaj qendre edhe është dasht sipas rregullave të raportohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, personi kujdestar raportonte se si kishte shkuar trajnimi.

“Duke mendu qe forcat serbe nuk do të vendosen, do të vijnë në fshat, por do të kthehen. Ka ndodh shumë raste në Kosovë, kanë hi, kanë dal brenda një dite dy dhe qëllimi jem ka qenë mos të lëshoj qendrën stërvitore, por ka qenë pamundshme veç kam bo rrugë kot se ashtu kështu është dashtë të shkoj në Prapashticë dhe mos të kthehem mo. Oficeri kujdestar e ka pas një fletore, aty është dashtë të shënohet gjithçka çka osht punu ton ditën, unë thjesht e kam lexu çdo herë atë raport të kujdestarit, por ma ka thënë edhe gojarisht nëse ka pas diçka të veçantë. Por, nuk ka pas ka shku gjithçka në rregull edhe pse s’kam qenë une”, tha ai.

Ai kur u pyet si mund të mbaj mend gjërat, ka thënë se ato që përjetohen nuk harrohen kurrë.

“Po diskutojmë gjëra që nuk i keni parë me sytë tuaj sepse nuk keni qenë i pranishëm aty. Si mund të përjashtoni që në qoftë se nuk ju është raportuar diçka, ajo gjëja nuk ka ndodhur?, tha prokurorja D’Ascoli.

Dëshmitari Halimi deklaroi se nuk ka ndodh asgjë e keqe, gjithçka ka shkuar në rregull sipas plan-programit dhe oficeri kujdestar ka qenë iobliguar të përshkruaj gjendjen për 24 orë dhe ata deri me 10 prill është dashur t’i raportojnë atij.

Tutje, ai tha se nuk e di se kur e ka kuptuar qe Salih Mustafa është komandant i njësitit BIA.

Ndërkaq, tha se gjatë luftës janë takuar një herë apo dy, kanë pasur përshëndetje, por se nuk kanë pasur kontakt për të zgjatur bisedë.

“Thjesht një përshëndetje edhe pse kam pas respekt ndaj tij, sipas informatave që kam pas ka qenë i burgosur politik në një moshë shumë të re kështu që kam pas respekt”, tha Halimi.

Tutje, tha se ka ndodhur një herë apo dy që është takuar rrugës në Zllash me Mustafën.

“Aso kohe kur e keni takuar dhe thatë që thjesht jeni përshëndet, a e dije çfarë roli kishte në UCK ai”, pyeti prokurorja D’Ascoli.

Dëshmitari tha se atë kohë nuk e ka ditur, por e ka kuptuar nga shokët e tij, pasi Mustafa nuk i ka thënë “unë jam ky, ky”.

“E kam pas një shok në brigadë, ka qenë edhe ai i burgosur politik, edhe ai na ka treguar që edhe ai ka qenë në burg me to. Më ka tregu që ka qenë i burgosur politik dhe se Salih Mustafa është komandant i BIA-së. Ai shoku që më ka tregu mu ka qenë Rrahman Dini që ka qenë në burg me to, por më ka thënë që ai ka qenë në moshë shumë të re dhe ka qenë i burgosur politik”, rrëfeu Halimi, kur u pyet se kush i ka treguar për roli e Mustafës.

Dëshmitari Halimi ka deklaruar se nuk ka shumë njohuri për njësitin BIA.

Kurse, ai tha se pas luftës ka punuar me Mustafën në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) jo në të njëjtën komandë, por në komanda të ndryshme.

Ai tha se në TMK ka punuar deri në vitin 2010. Ndërkaq, ka deklaruar se me Mustafën gjatë kësaj periudhe pas luftës i ka bashkuar ndonjë përkujtim i dëshmorëve dhe sidomos në Viti të Marevcit, ku për çdo vit është mbajtur Epopeja e Marevcit, ku ka pasur dëshmorë shumë.

“Aty jo vetëm me Calin, por edhe shumë shokë të tjerë na ka bashkuar ai vend dhe mbetet prapë të na bashkoj ai vend”, ka thënë Halimi.

Më pas, ai u pyet a do të befasohej që Mustafa kishte numrin e tij të listuar në kontaktet në telefon, kurse dëshmitari tha se nuk është ndonjë gabim apo diçka e ndaluar kjo.

Më pas, atij iu tregua një dokument, ku i tha se aty është i regjistruar me emrin “Llapi i Gollakut” dhe u pyet nëse numri i listuar aty është i tij. Kurse, dëshmitari e konfirmoi këtë.

“Mos po përpiqeni të minimizoni njohuritë që keni për zotin Mustafa”, ka pyetur prokurorja D’Ascoli.

“Jo, po s’mu ka kujtu që unë ja kam jep numrin ose ma ka dhënë sepse është e pamundur të mbahet mend gjithçka”, tha dëshmitari Halimi.

Ky dëshmitar pritet të vazhdojë dëshminë e tij në seancën e së enjtes.

Dëshmitari Halimi thotë se nuk ka pasur mundësi që dikush të marrë ndonjë rekrut nga qendra stërvitore, raporton betimiperdrejtesi.