LAJMI I FUNDIT:

Dakordim pa nënshkrim – gjithçka nga takimi i 18 marsit mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër

Dakordim pa nënshkrim – gjithçka nga takimi i 18 marsit mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër

Takimi i 18 marsit në Ohër, solli një tjetër pajtim mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket procesit të dialogut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pavarësisht pajtimit në takimin që zgjati më shumë se 12 orë, megjithatë nuk pati nënshkrim zyrtar.


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell, shkruan Telegrafi.

Edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, Borrell tha se ato u pajtuan që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kurti e cilësoi si njohje “de facto” takimin në Ohër

Pas përfundimit të takimit maratonë, kryeministri Albin Kurti konfirmoi para gazetarëve se janë pajtuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbi ankesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kurti e cilësoi dakordimin e arritur si njohje “de facto” nga Serbia, derisa akuzoi presidentin serb se sikurse në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, ishte ai që sërish refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen.

“Kemi arritur pajtim publik për një ankes që do të sigurojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellët de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sot mund të themi që e kemi edhe aneksin e zbatimit përcjellës, por i ikën nënshkrimit të marrëveshjes bazë, e i ikën edhe nënshkrimit të aneksit. I takon BE-së të gjejë mekanizmin ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, deklaroi Kurti.

Kryeministri ka theksuar se i takon BE-së që të gjej një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarit të obligueshme.

“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, deklaroi Kurti.

Vuçiq: Nuk nënshkruam asgjë, por patëm njëfarë marrëveshje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve të gjata në Ohër njoftoi se nuk kanë nënshkruar asgjë, por se kanë arritur “njëfarë marrëveshje”.

Në një deklarim para mediave, Vuçiqi u shpreh i lumtur për këtë, ndërsa ka thënë se për Serbinë është shumë me rëndësi formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kemi arritur njëfarë marrëveshje. Unë jam i lumtur për këtë. Por kjo nuk është e tëra. Për ne është shumë e rëndësishme që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] është vendosur si detyrim me prioritet dhe atë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, deklaroi Vuçiq në Ohër.

Sipas tij, fillimisht do të formohet një komision i përbashkët monitorimi që do të raportojë pas 30 ditësh, e që, sipas tij, do të nisë punën me Asociacionin e pastaj me personat e pagjetur.

Vuçiq tutje u shpreh se çështja e Asociacionit është e nënshkruar dhe se “kjo duhet të realizohet”.

Escobar u shpreh se marrëveshja ishte “e vështirë, por e nevojshme”

I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka cilësuar “të vështirë, por të nevojshme” marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën të shtunën në Ohër në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

“Është marrëveshje e vështirë, por e domosdoshme për të gjetur marrëdhënieve paqësore dhe afatgjata. Kjo marrëveshje jo vetëm që hap derën për integrim evropian por edhe për paqen rajonale. Ishte moment vizionar. Do të bëjmë gjithçka që kjo marrëveshje të zbatohet”, u shpreh Escobar.

Sipas tij, marrëveshja i hap rrugë integrimit euroatlantik për të dyja shtetet dhe rajonit epokë të re paqeje.

Opozita në Kosovë me kritika rreth rezultateve të takimit në Ohër

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar takimin e djeshëm në Ohër dhe rezultatet që prodhoi ai takim.

Krasniqi në një postim në Facebook, ka shkruar se në më pak se tri javë, Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, shkruan Telegrafi.

“Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se përtej mashtrimeve të Kurtit, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët sipas Krasniqit përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas dakordimit mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Abdixhiku e ka cilësuar epilogun e Kurtit në dialog, si mashtrim dhe një humbje historike.

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot.

Nga AAK ende nuk ka pasur reagime zyrtare për takimin e 18 marsit në Ohër, ku kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Si u pa nga ndërkombëtarët dakordimi pa nënshkrim zyrtar mes Kurtit dhe Vuçiqit

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë përshëndetur dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se SHBA-të mirëpresin marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja.

“Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Watson.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier e ka quajtur të rëndësishme pajtimin e djeshëm në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Hovenier në një postim në Twitter ka shkruar se SHBA ofron mbështetje të plotë për implementimin e saj.

“Është arritur marrëveshje e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës dhe të rajonit”, thuhet në reagimin e tij.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e ka quajtur lajm të mirë arritjen e dakordimit për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Von Cramon në një postim në Twitter ka thënë se shpreson që të zbatohet shpejt kjo marrëveshje, shkruan Telegrafi.

“Është vërtetë lajm i mirë. Po shikoj me padurim të marrë më tepër detaje për këtë. Vërtetë shpresoj që të shoh zbatim të shpejtë”, ka shkruar Von Cramon.

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi ka reaguar për takimin e 18 marsit në Ohër, në të cilin kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq janë pajtuar që ta implementojnë zbatimin e marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.

Varhelyi ka potencuar se përkushtimi i plotë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës tregon guxim dhe vendosmëri drejt rrugës së tyre në BE.

“I përgëzoj të gjitha palët. Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim të dyja në procesin e zbatimit.”, ka shkruar ai në Twitter.

Dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë, e ka përshëndetur edhe ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt. Bildt ka thënë se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm për të ardhmet e dy vendeve.

“Urime Miroslav Lajçakut dhe Josep Borrellit për arritje të kësaj marrëveshje, pas viteve diplomaci të durueshme. Koordinimi me SHBA-në po ashtu ka qenë i rëndësishëm. Por, më kryesore urime Kosovës dhe Serbisë për një hap të rëndësishëm drejt të ardhmeve të tyre”, ka shkruar Bildt.

Një koment ka ardhur edhe nga ish-ministri britanik për Evropë dhe Ballkan, Denis MacShane. Ai ka thënë se topi ndodhet tash në anën e BE-së për implementimin e kësaj marrëveshje.

“Pra, pas një pune të gjatë me durim nga BE dhe SHBA të mbështetur nga Franca, Gjermania u arrit një marrëveshje për të lejuar Serbinë dhe Kosovën të jetojnë së bashku. Presidenti serb Vuçiq në takim me kryeministrin e Kosovës Kurti dhe përfaqsuesin e BE-së Borrell. Por më pas refuzon të nënshkruajë marrëveshje në përputhje me dëshirat e Putinit. Pra, topi në fushën e BE-së”, ka shkruar MacShane.

Reagimet e liderëve të rajonit për takimin e Ohrit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas takimit të djeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Rama ka përshëndetur pajtueshmërinë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq mbi aneksin e zbatimit të planit evropian.

Kryeministri shqiptar ka deklaruar se shpreson që arritja e marrëveshjes së panënshkruar Kosovë-Serbi të mos jetë tjetër mashtrim ballkanik.

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”, ka shkruar Rama në Twitter.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur dakordësimin e Kosovës dhe Serbisë për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes, në bazë të së cilës qëndron normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Përshëndes arritjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut të dakordësimit publik mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit për të zbatuar marrëveshjen bazë dhe të aneksit përkatës. Ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian. Besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët. Falënderoj Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar Begaj.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka përgëzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin kosovar Albin Kurti, për, sipas tij, guximin dhe vizionin e tyre, si dhe i ka uruar qytetarët e të dyja vendeve në rrugëtimin drejt BE-së.

Politikanët nga Maqedonia e Veriut urojnë arritjen e marrëveshjes Kosovë - Serbi
Lexo po ashtu Politikanët nga Maqedonia e Veriut urojnë arritjen e marrëveshjes Kosovë - Serbi

“Jam krenar të pres, në emër të qytetarëve tanë, me ekipin tim, procesin negociues ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përgëzoj presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për guximin dhe vizionin e tyre dhe u uroj përparim dhe sukses të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.

Pikat e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

-Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.

-Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

-Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.

-Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

-Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

-Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

-Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

-Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

-Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

-Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

-Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

-Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ende mos ta pranoj këtë si fakt. Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Drejtësi
Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Lajme
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori