LAJMI I FUNDIT:

Çka duhet bërë para se t’i shkruajmë letra Evropës

Para disa ditësh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi një artikull në European Voice (Zëri i Evropës) dhe i njëjti u pa i përkthyer edhe në ndonjërin nga mediat shqipe në Kosovë. Të tjerat botuan vetëm porosinë e këtij artikulli në formë të lajmit. Disa media, mendoj me të drejtë, e titulluan këtë lajm si Thaçi ndryshe, apo Thaçi tjetër, për faktin se kryeministri kishte bërë një kapërcim gjenial të vetvetes. Ai, nga pozicioni i bashkëpunëtorit servil të BE-së, befas u shfaq në një kritikues të ashpër të qasjes joadekuate të saj ndaj Kosovës. Sado që thirrja e tij për një qasje më aktive të BE-së drejt integrimit të Kosovës në gjirin e saj duket e goditur për momentin, ajo nxjerr në pah edhe disa momente të gjendjes psikologjike të autorit si pasojë e një relacioni të tij joadekuat me BE-në.

Vrima e zezë dhe klasa politike


Momenti i parë është skepticizmi i tij për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës. Ja çfarë shkruan kryeministri mes tjerash në artikullin e tij: ”Deri tani, qasja e BE-së ndaj Kosovës ka mbetur në rrafshin retorik. BE ka theksuar rëndësinë e një perspektive evropiane për Kosovën, por asnjë hap konkret nuk është ndërmarr. Si rezultat, Kosova vazhdon të shikohet si vrimë e zezë në Ballkan”.

Lideri që para qytetarëve të tij përbetohet çdo ditë se Kosova e ka të siguritë të ardhmen e vet dhe i cili ka premtuar futjen e Kosovës në Evropë (rrafshi retorik), befas del ne pozitën e një kosovari skeptik që shpëtimin mundohet ta gjejë në përgjërimet para Zonjës së Madhe të quajtur Evropë. Pra, kryeministri i Kosovës shfaqet si person kontrovers. Para qytetarëve të vet dhe para opozitës si një lider i fuqishëm me Evropën dhe SHBA-në përkrahë si “aleate personale” të tij, kurse para Evropës si një fëmijë i pafuqishëm që kërkon dorën e Zonjës së ftohët që në vend se aleate, është vetëm një padrone e dëshirueshme e tij!

Pastaj vazhdon me konstatimin se “Kosova shikohet si vrimë e zezë në Ballkan”! Nëse nuk mund të quhet paragjykim konstatimi i një kryeministri, atëherë duhet të shqetësohemi vërtetë pse miqtë tanë na shikan si një vrimë të zezë? Apo mos vërtet jemi shndërruar në një vrimë të zezë ku dominon krimi dhe korrupsioni dhe nuk duam ta pranojmë situatën faktike. Përmes kësaj vrime të zezë klasa politike përditë po pasurohet me djersën e qytetarëve, të cilëve po ju bëhet gjithnjë e më e vështirë jeta në Kosovën e tyre të lirë e të pavarur, në Kosovën e ëndrrave të tyre të mëdha. Kjo po ndodh para syve të Evropës, kurse asaj i kërkohet që t’i mbyllë sytë!

Frustrimi nga izolimi, braktisja, zhgënjimi…

Momenti i dytë, është ndjenja e izolimit, braktisjes dhe ekskomunikimit që kryeministri i Kosovës është duke ndier sidomos pas marrjes së mandatit të dytë të qeverisjes. Ka kohë që Hashim Thaçi po ballafaqohet me një refuzim gjysmë të heshtur të Perëndimit e ku nuk përjashtohet as SHBA (dështimi për t’u takuar me presidentin Obama) për ta pranuar atë në vizitat e niveleve më të larta shtetërore.

Duket se shkaku kryesor për këtë është një raport i Dick Martit ku kryeministri akuzohej pa të drejtë për nxjerrje organesh e gjëra të tjera që nuk i kap mendja e njeriut. Një raport i tillë i miratuar në Këshillin e Evropës nuk është një flluskë sapuni që zhduket vetvetiu, aq më tepër kur politika dhe diplomacia jonë nuk kanë bërë pothuaj asgjë për ta shlyer një njollë të tillë. Por, nëse raporti i Dick Martit nga një mendje e kthjellët shihet si jo fer dhe skajshmërisht tendencioz, bota perëndimore dhe asnjë botë tjetër normale nuk mund të kalojë indiferente ndaj disa ngjarjeve dhe dukurive jo normale në Kosovë.

Manipulimi i zgjedhjeve të fundit, proceset gjyqësore komprometuese për udhëheqës të lartë të PDK-së për mashtrim, kërcënim a madje edhe eliminim fizik të kundërshtarëve politikë, identifikimi i qeverisë dhe gjyqeve si subjekt me numrat një – përkatësisht dy të korrupsionit janë vetëm disa nga shfaqjet kosovare që po e “argëtojnë” herë pas herë partnerin tonë të fuqishëm perëndimor.

Momenti i tretë është ndjenja e zhgënjimit apo e të zhgënjyerit. Kryeministri i Kosovës flet për detyrat e shtëpisë pa dhënë asnjë argument të vetëm se cilat nga ato detyra i ka kryer dhe për karotën që nuk po i ofrohet Kosovës, ndërkohë që Serbia ka përfituar nga “bujaria” (lëshimet) e delegacionit të Kosovës dhe vetë kryeministrit. Në këtë pikë ai del të jetë i pajtuar në fakt me të gjitha vërejtjet e bëra nga opozita se Kosova nuk ka përfituar asgjë nga bisedimet, ndërkohë që ai kishte trumbetuar për një avancim të Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Kryeministri Thaçi para se të ndjehet i zhgënjyer nga BE-ja për mos zgjatje të karotës, duhet të ndjehet i dështuar pse nuk ka arritur të sjell asnjë përfitim për vendin e vet përmes dialogut me Serbinë dhe sjelljes së tij inferiore dhe servile ndaj BE-së. Meqë ai tani e ndien këtë, është radha që t’ua shpjegojë qytetarëve të Kosovës arsyen e këtij dështimi. Në artikullin e tij drejtuar BE-së Hashim Thaçi shkruan: “Kosova ka bërë progres substancial, por ende nuk ka marrë ndonjë shpërblim për këtë. Si kontrast, shtetet tjera të rajonit kanë marrë disa karota nga BE. Pasojat për këtë janë negative…”.

Një emocion ky që i shkon përshtati fëmijës që babai nuk i ka blerë lodrat e premtuara as pas “kryerjes së detyrave të shtëpisë”!

Paranojë apo frikësim me shoshë

Momenti i katërt është ai i mohimit dhe papërgjegjësisë. Sipas kryeministrit të Kosovës fajin për ngecjen e vendit drejt integrimit e ka Serbia dhe Evropa, sepse qeveria i ka kryer të gjitha punët, të gjitha detyrat! Ai madje i mban leksion Evropës se “nëse BE vazhdon të vonojë përshpejtimin e anëtarësimit për pjesën e mbetur të shteteve të Ballkanit Perëndimor, kjo në mënyrë të drejtpërdrejt do të minojë përpjekjet tona për të ndërtuar shoqëri shumetnike. Për më shumë, vonesat do t’i japin zjarr aspiratave të radikalëve për të krijuar shtete mono-etnike. Kjo do të mund të çonte në ndryshimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht – që është skenari më i keq”.

Krejt kjo i ngjan një spekulimi laboratorik që ka për qëllim shfajësimin personal dhe infektimin e të tjerëve me paranojën e vet. Apo, një frikësim me shoshë, siç thuhet ndryshe në popull. Letërshkruesi është në mohim të plotë të rolit të lidershipit të këtyre shteteve ballkanike (dhe të rolit të tij personal) për t’i lëvizur vendet e veta drejt integrimeve evropiane.

Evropa është një strukturë dinamike. Integrimi në të nuk mund të bëhet me një të zgjatur të dorës nga BE. Nëse nuk i jep muskujve për t’u ngjitur në qerre do të rrëzohesh përtokë nga forca e gravitacionit. Kjo është ajo që po ndodhë aktualisht me Kosovën. Kjo po ndodh edhe me Shqipërinë, me Maqedoninë e deri diku edhe me Serbinë për shkak të mungesës reale të vizionit integrues të lidershipit të këtyre vendeve.

Kosova dështon te jetë shtet funksional. Shqipëria mbetet peng i polarizimeve politike dhe i liderëve egoistë. Maqedonia dështon të sillet konform përmasave reale të fuqisë që ka në rajon. Serbia vazhdon me politikën e vet tredimensionale: me Kosovën, drejt Evropës e në dashuri me Rusinë! Dhe që të katrat kanë për emërues të përbashkët krimin e organizuar dhe korrupsionin. E gjithë kjo përbën një lëmsh që do t’i mbetej në fyt Evropës që në tentimin e parë të gëlltitjes. Evropa mendon për oborr të vetin dhe pret që secili ta ndreq shtëpinë e vet para se të shkel në këtë oborr.

Evropa nuk është e verbër

I kemi bërë detyrat thotë kryeministri! Cilat detyra? Nëse letërshkruesi dhe personi tjetër (BE) e di për çka është fjala, lexuesi këtë nuk e di. Ai i di vetëm ato fakte që i gjen në artikull, si këto bie fjala: “Mbi të gjitha, ne e kuptojmë se BE kërkon nga ne që të arrijmë standardet evropiane sa i përket, mes tjerash, tolerancës ndëretnike, respektit për të drejtat e minoriteteve dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit”.

E para, toleranca ndëretnike dhe respektimi i të drejtave të minoriteteve nuk mund të arrihet pa një shtet funksional në tërë territorin e vet. Një shtet që nuk e kënaq shumicën, si mund ta kënaq pakicën?! Evropa kurrë nuk do ta integrojë një shtet në territorin e të cilit veprojnë strukturat e një shteti tjetër. Është çështje tjetër se sa po e ndihmon Evropa ndërtimin e një shteti të tillë! Dhe, këtu duhet kërkuar që ndihma e saj të jetë më e sinqertë dhe shume më e fuqishme se deri tani, para se të parabolohet te integrimi.

Por, nuk duhet harruar se kjo punë në rend të parë i takon udhëheqjes politike të Kosovës, jo SHBA-ve, jo BE-së e as mbinjeriut. Kosova vuan për liderin që di dhe mundet dhe jo për një lider vajtues.

E dyta, korrupsioni dhe krimi përmenden vetëm shkarazi në periudhën e nënvizuar më lartë. Duket se kjo fjalë ka hyrë dhunshëm në artikull, sa për të qenë aty. Shihet hapur se autori luftën kundër krimit dhe korrupsionit nuk e ka për qejf. Ai harron se BE-ja është deri ne detaje e informuar për përgjegjësinë që mban pushteti aktual, sidomos për korrupsionin. Me këtë shkallë të lartë dhe me këtë mentalitet të korrupsionit Kosova mbetet tepër larg Evropës. Serbia dhe as radikalizmat e ndryshëm, të cilave iu referohet autori, nuk mund ta pengojnë Kosovën në rrugën e vet drejt Evropës aq sa e pengon korrupsioni dhe papërgjegjësia e qeveritarëve tanë – në rend të parë për të mos qenë të përzier në krim dhe korrupsion dhe tek pastaj për t’i luftuar ato si dukuri.
Para se t’i shkruajmë letra Evropës duhet të provojmë se ne e kemi marrë vetë seriozisht çështjen e shtetësisë së Kosovës. Se po i vëmë bazat e një ekonomie të qëndrueshme për një mirëqenie të qytetarëve tanë. Se po heqim dorë nga të qenit subjekt i korrupsionit. Se po e vëmë korrupsionin dhe krimin në shënjestër të angazhimeve tona politike. Se po e bëjmë një shtet ligjor dhe funksional në tërë territorin e Kosovës. Se po krijojmë siguri kombëtare dhe rajonale duke mos lënë hapësirë manovruese në Kosovë, jo vetëm për Serbinë po as për dreqërit tjerë dhe të bijtë e tyre! Apo thjesht, se po e ndërtojmë shtetin tonë me standardet evropiane.

Evropa na sheh edhe pa letrat tona. Ajo nuk është larg. As nuk është e verbër. Kosova do ta ketë vendin në Evropë në momentin kur ajo e meriton atë.