LAJMI I FUNDIT:

Çështja kombëtare shqiptare si reagim ndaj çështjeve tjera kombëtare në Ballkan

Çështja kombëtare shqiptare si reagim ndaj çështjeve tjera kombëtare në Ballkan
Foto nga koleksioni i gazetës italiane Il Secolo (viti 1913), ndër të pakta fotografi ku shihen Isa Boletini dhe Ismail Qemali, në Londër (ku shkuan për të ndikuar tek Konferenca e Ambasadorëve, kur Fuqitë e Mëdha i caktonin kufijtë e Shqipërisë)

Nga: Daut Dauti

– Hyrja e librit Britania, çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Otomane (1876-1914) –


“Shqiptarët me pasion dëshironin një princ apo një mbret. Fuqitë e Mëdha ua premtuan një. Ata e dëshironin një anglez për arsye se besonin që Anglia, e vetmja nga Fuqitë e Mëdha, nuk kishte interesa të mëdha në Ballkan”. – Margaret Fitzherbert.

Në maj të vitit 1913, punimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër vazhdonin ende, por një vendim i rëndësishëm tanimë ishte marrë: Pavarësia e Shqipërisë. Ky vendim ndikoi që të lindnin spekulime në lidhje me emërimin e monarkut për Shqipërinë. Prandaj, shumë emra të monarkëve evropianë u përmendën si kandidatë potencialë. Në atë kohë, një delegacion i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë kishte ardhur në Londër, me qëllim që të influenconte procesin vendimmarrës të Konferencës dhe që të merrte përkrahjen e opinionit dhe qeverisë britanike.

Ismail bej Qemali, i njohur edhe si Ismail Kemal, kryesues i delegacionit të Qeverisë së Përkohshme, e pyeti politikanin dhe diplomatin britanik, Aubrey Herbertin, se si do të përgjigjej nëse i ofrohej froni i Shqipërisë. ‘Natyrisht, kryeministri dhe të tjerët e konsideronin (me jo seriozitet) këtë çështje për një kohë të gjatë, por nuk e di se a do ta kem përkrahjen e tyre nëse vjen deri te kjo punë’, kishte shkruar Herbert dhe kishte shtuar se ‘shqiptarëve nuk u pëlqen asnjë nga kandidatët prezent.’

Herbert, në shumë mënyra, ishte njeriu i duhur për fronin shqiptar, por ai nuk mund ta pranonte ofertën pa aprovimin e Qeverisë britanike. Herbert ia parashtroi këtë çështje sekretarit të Jashtëm Britanik, Edward Greyit. Një anglez në fronin e Shqipërisë, e kishte domethënien e marrjes së detyrave dhe përgjegjësive, të cilën gjë Qeveria britanike nuk ishte e gatshme ta pranonte.

Dëshira e udhëheqësve shqiptarë që të fitonin përkrahjen e opinionit dhe Qeverisë britanike, është një temë që do të paraqitet shpesh në këtë libër që ka për qëllim ta ekzaminoj zhvillimin e çështjes shqiptare dhe politikës britanike gjatë periudhës 1876-1914. Ky studim ndriçon qëllimet e politikës britanike, por gjithashtu duke e shoshitur edhe reagimin e shqiptarëve ndaj pozitës së diplomacisë britanike. Shprehur ndryshe, pozita britanike ndaj Perandorisë Otomane, brenda kontekstit të relacionit me Fuqitë e Mëdha, do të eksplorohet, po ashtu.

Ky libër argumenton se çështja kombëtare shqiptare është rritur si reagim ndaj çështjeve tjera kombëtare në Ballkan, krizës së vitit 1890 të Maqedonisë dhe dobësimit të Perandorisë Otomane. Më tutje, argumentohet se Qeveria britanike ka treguar vetëm interesim të limituar për çështjen kombëtare shqiptare, për shkak të mungesës së interesit të drejtpërdrejtë në Ballkan. Fakti që Britania nuk kishte interesa të mëdha apo vitale në Ballkan, ishte pikërisht arsyeja që shqiptarët dëshironin ndihmën dhe mbrojtjen e britanikëve.

Kjo mungesë e interesave është reflektuar në opinionin dhe në qarqet akademike britanike dhe është demonstruar nga fakti se gjatë periudhave që diskutohen këtu, madje edhe sot, Shqipëria mbeti gjerësisht një vend i panjohur. Ata që shprehin dëshirë për të hulumtuar dhe studiuar këtë fushë, ballafaqohen me mungesë relative të librave apo burimeve dytësore në gjuhën angleze. Numri i shkollarëve dhe ekspertëve që u morën me çështjen shqiptare të shekullit XIX dhe fillimit të shek XX, ka qenë i vogël, kurse punimet e tyre sot në Britani kanë mbetur pothuaj të panjohura. Një nga shkollarët e tillë është Edith Durham (1863-1944), specialiste e Ballkanit dhe eksperte e rrallë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, politikës dhe kompozicionit etnografik, puna e së cilës do të eksplorohet gjerësisht në këtë libër. Së voni është ringjallur një interesim për jetën dhe veprat e Durhamit. Një numër i letrave dhe shkrimeve të saja janë botuar dhe ofrojnë ndihmë për ata që janë të interesuar për këtë lëndë. Albania’s Mountain Queen, është një vepër e rëndësishme e Marcus Tannerit, që në fakt është biografia e vetme e botuar deri tani e Edith Durhamit. Prandaj, ky libër që e keni në dorë, bënë ekzaminimin e punës së Durhamit në një gjerësi dhe thellësi më të madhe, eksploron ndihmën e saj për çështjen kombëtare shqiptare, influencën e saj ndaj Qeverisë britanike dhe rolin që ajo ka luajtur në mesin e anëtarëve të Komitetit të Ballkanit që ishte një organizatë e themeluar dhe që funksiononte mbi parimet e liberalizmit gladstonian.

Në shumicën e librave të historisë, përfshirë burimet sekondare mbi Ballkanin e kësaj periudhe, shqiptarët përshkruhen si popull që kanë luajtur rol të vogël në ngjarjet e mëdha historike. Për këtë arsye, kur është fjala për vetëdijen kombëtare, shqiptarët gjithmonë karakterizohen si startues të vonshëm dhe konsiderohen si të fundit në krijimin e shtetit të tyre. Në realitet, studimet për rolin e shqiptarëve në historinë e Perandorisë Otomane vërtetojnë se kjo çështje, në mënyrë të gjerë, është lënë anash dhe është nënçmuar. James Tallon, në hulumtimin e tij për Kryengritjet shqiptare të viteve 1909-1912, potencon se shqiptarët kanë luajtur rol të madh në historinë e Ballkanit. Ai ka dhënë disa arsye se pse shqiptarët dhe historia e tyre sot në mënyrë të konsiderueshme nuk vlerësohet dhe merr fare pak interesim në krahasim me fqinjët e tyre ballkanik. Sipas Tallonit, punimet e hershme të autorëve ballkanikë (jo shqiptarë) ua kanë imponuar shkollarëve anglofonë pikëpamjet e tyre. Këta autorë tentojnë ta minimizojnë rolin e shqiptarëve, duke i paraqitur sllavët dhe grekët si ‘aktorë kryesorë në narrativin e përgjithshëm të Ballkanit’. Prandaj, në këtë kornizë shqiptarët janë paraqitur si ‘aktorë dytësorë’. Një faktor shtesë është se shumica e shkollarëve nuk kanë njohuri leximi e as shkrimi të gjuhës shqipe apo asaj osmane-turke. Arsyeja e tretë, siç e thekson Tallon, është se shqiptarët, shumica e të cilëve janë myslimanë, nuk kanë pëlqyer lehtë në kallëpin e asnjë ‘skeme, e cila shpesh është shtruar në monografitë e historisë së Ballkanit’. Prandaj, nocionet si ‘zgjedha turke’, ‘turkokracia’, apo ‘netët e gjata turke’ nuk janë aplikuar domosdoshmërisht ndaj popullatës myslimane të Ballkanit, që d.m.th. se është tentuar që shqiptarët të binin në kategorinë e ‘shtypësit’ e jo në atë të ‘shtypur’, term i cili është rezervuar ekskluzivisht për popullatën e krishterë.

Deri më 1998, kur u botuar libri i Noel Malcolmit Kosovo, A Short History, i vetmi punim solid shkollar për histori ka qenë libri i Stavro Skendit, i botuar në vitin 1967. Sidoqoftë, në këto dy botime përfshirja britanike në çështjen shqiptare është studiuar vetëm në mënyrë parciale, sipërfaqësore apo në fragmente të izoluara. Vepra e Skendit e mbulon periudhën historike të këtij libri dhe ofron pikëpamjen e Fuqive të Mëdha mbi çështjen shqiptare në përgjithësi. Libri i tij, gjithashtu, koncentrohet në temën e çështjes shqiptare dhe rilindjes kulturore, kurse pozita britanike ndaj çështjes shqiptare është adresuar në mënyrë sipërfaqësore. Libri i Noel Malcolmit është një vepër tjetër serioze shkollare për këtë temë. Megjithatë, siç sugjeron edhe titulli, kjo vepër e mbulon territorin e Kosovës dhe nuk merret me studimin e politikës së jashtme britanike. Prandaj, qëllimi i këtij libri që e keni në dorë, është që të thellohet njohja dhe kuptimi ynë mbi këtë temë, duke u pasuruar me burime të reja dhe me shqyrtime më të thella.

Pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Federatës jugosllave, në mesin e historianëve dhe shkollarëve të fushave tjera, Shqipëria dhe Kosova kanë tërhequr ca vëmendje. Si rezultat, janë paraqitur disa vepra të vlefshme që studiojnë segmente të veçanta të historisë shqiptare. Libri i George Gawrychit me titull The Crescent and the Eagle është një nga këto vepra. Gawrych e ka pranuar ekzistimin e identitetit etnik shqiptar, që është paraqitur në fillim të shekullit XIX, i cili identitet vazhdoi të zhvillohej në nacionalizëm gjatë periudhës së aktiviteteve të Lidhjes Shqiptare (1878) dhe kryengritjeve të viteve 1908-1912. Me shoshitjen e përpjekjeve të nacionalistëve shqiptarë, të cilët synonin t’i merrnin të drejtat nacionale dhe me tentimet e konzervativëve që t’i ruajnë privilegjet nën sundimin otoman, Gawrych ka ofruar një perspektivë të re dhe të rëndësishme të zhvillimit të nacionalizmit shqiptar. Emiddio Licursi në tezën e doktoraturës së tij pohon se nacionalizmi shqiptar ka zhvilluar aktivitet nga viti 1878 deri më 1913, periudhë kjo e ngjashme me atë të shtruar nga Gawrych dhe shumë tjerë. Licursi e ka përshkruar nacionalizmin shqiptar si ‘multi-vokal’ dhe e paraqet si të ndryshëm nga lëvizjet tjera nacionale në Ballkan. Si shtesë, ai pohon se nacionalizmi shqiptar është zhvilluar si reaksion ndaj nacionalizmit turk.

Ky libër, në një masë, e pranon këtë model dhe, si shtesë, argumenton se embrionin e nacionalizmit shqiptar duhet kërkuar në fillim të shekullit XIX, i cili vazhdoi të zhvillohej me intensitet më të lartë në mes viteve 1878-1912. Më tutje, argumentohet se orvatjet e intelektualëve shqiptarë për ta zhvilluar gjuhën shqipe dhe çështja e Maqedonisë kanë qenë forca shtytëse që ka qëndruar pas zhvillimit të nacionalizmit shqiptar në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX.

Çështja shqiptare ka tërhequr një vëmendje të limituar edhe në botimet e fundit, të cilat në mënyrë primare, i dedikohen Maqedonisë ose Ballkanit të dekadës së parë të shekullit XX. Në këtë aspekt, disa autorë e kanë studiuar çështjen e Maqedonisë, Lëvizjen dhe Revolucionin Xhonturk të vitit 1908 nga pikëpamjet e ndryshme dhe kanë ofruar narracion të gjerë të këtyre ngjarjeve. Megjithatë, të gjithë këta studiues e kanë lënë anash rolin e nacionalizmin shqiptar që ka luajtur në konfliktin me Lëvizjen Xhonturke dhe turqizmin. Në tezën e doktoraturës së Christopher Psilosit, roli i shqiptarëve në Revolucionin Xhonturk është pranuar, por çështja shqiptare në Maqedoni nuk merr vëmendje të duhur. Ahsene Gül Tokay, në tezën e saj të doktoraturës, ka treguar interesim të konsiderueshëm për rolin e shqiptarëve në Lëvizjen Xhonturke dhe Revolucionin, por çështja shqiptare dhe nacionalizmi shqiptar mungon pasi që kjo e prezanton çështjen e Maqedonisë si problem muslimano-krishterë. Şükrü Hanioglu, në studimet e tija shumë të vlefshme për Xhonturqit, ka bërë me dije për rëndësinë e nacionalistëve shqiptarë, të cilët morën pjesë në Lëvizjen dhe Revolucionin Xhonturk.

Por, asnjë nga këta studiues nuk janë fokusuar në çështjen shqiptare në Maqedoni dhe në të gjitha këto studime, gati në tërësi, mungon angazhimi britanik. Më tutje, asnjë nga këta autorë nuk e ka kërkuar arsyen që i shtyri nacionalistët shqiptarë t’i jepnin përkrahje të nivelit të lartë Lëvizjes Xhonturke dhe nuk janë marrë me pyetjen pse më vonë këta udhëheqës shqiptarë u zhgënjyen aq shumë me Revolucionin dhe pse u përfshinë në organizimin e kundër Revolucionit, i cili ndodhi vetëm disa muaj më vonë. Keqësimi i marrëdhënieve në mes udhëheqësve të nacionalistëve shqiptarë me ata të Xhonturqve, në këtë libër do të ekzaminohet nëpërmjet të çështjes së gjuhës, e cila ka shërbyer si objekt i konfrontimit në mes nacionalistëve shqiptarë dhe nacionalizmit turk, i cili doli në sipërfaqe në radhët e Xhonturqve. Ky konfrontim, i cili përfundoi me konflikt të armatosur, gjithashtu e ka paralajmëruar fundin e Perandorisë Otomane dhe lindjen e shtetit shqiptar. Prandaj, kapitulli V dhe VI i këtij libri orvatet t’i shoshit shpjegimet që kanë munguar, me qëllim që të mbyllet kjo zbrazëti në literaturën ekzistuese.

Ky studim ka për qëllim që të gjejë arsyen e cila qëndron pas faktit të mungesës së interesit britanik në çështjen shqiptare. Në lidhje me këtë, shtrohet çështja se si është krijuar imazhi i Shqipërisë në Britani të Madhe gjatë shekullit XIX dhe si u zhvillua gjatë fillimit të shekullit XX. Në disa raste, formimi i imazhit të Shqipërisë do të krahasohet me atë të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Kapitulli I i këtij libri paraqet dy pikëpamje të cilat kanë kontribuar në procesin e krijimit të imazhit, themelet e të cilit janë vënë nga diplomatët dhe udhëpërshkruesit britanikë. Pikëpamja e parë është themeluar nga udhëpërshkruesit, të cilët e kanë përshkruar Ballkanin dhe Shqipërinë pa pasur ndonjë konsideratë për religjionin. Kjo pikëpamje më vonë është adoptuar nga partia konservative britanike dhe udhëheqësi i saj, Benjamin Disraeli dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe diplomatike britanike. Pikëpamja e dytë, e cila po ashtu është themeluar nga udhëpërshkruesit dhe diplomatët, e konsideron religjionin si element të rëndësishëm në krijimin e politikës britanike dhe pamjes së Shqipërisë. Në mesin e anëtarëve të këtij grupi, rol të rëndësishëm në krijimin e politikës liberale ka luajtur William Gladstone. Ideja e tij u bë e njohur edhe si Liberalizmi Gladstonian. Pikëpamja e parë joreligjioze e konservativëve e ka favorizuar kauzën kombëtare shqiptare kurse e dyta, ajo religjioze liberale, i ka injoruar shqiptarët, shumica e të cilëve ishin myslimanë, dhe i ka dhënë prioritet të krishterëve në Ballkan, pothuaj në të gjitha aspektet.

Autonomia, si kërkesë kryesore e nacionalistëve shqiptarë, zë një vend të rëndësishëm në këtë studim dhe kjo do të demonstrohet duke i analizuar qasjet konservative dhe liberale ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Çështja e autonomisë shqiptare do të ekzaminohet si objekt që qëndron në mes politikës britanike dhe asaj otomane. Në këtë kuptim, një pjesë e konsiderueshme e këtij studimi e mbulon veprimin e Kongresit të Berlinit (1878), por edhe veprimet politike dhe ushtarake të shqiptarëve që janë udhëhequr nga Lidhja Shqiptare (Lidhja e Prizrenit) nga viti 1878 deri më 1881. Ky aktivitet eksplorohet në kapitullin II, i cili ka për qëllim analizimin e çështjes shqiptare dhe interesit britanik në këtë çështje. Edhe pse shqiptarët me aktivitetin e Lidhjes së tyre vërtetuan se kishin aftësi të qeverisjes autonome, kërkesa e tyre për autonomi u refuzua. Kongresi i Berlinit pati ndikim të madh ndaj nacionalistëve shqiptarë, të cilët i kishin shënuar (katër) vilajetet (provincat administrative otomane) të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, si territore që duhej të hynin në shtetin e ardhshëm të Shqipërisë. Rëndësia e Kongresit të Berlinit, gjithashtu, mund të shihet në pasojat e sotshme pasi që kufijtë e vendosur atëherë, ende e ruajnë potencialin e krijimit të konflikteve të reja dhe ringjalljeve të konflikteve të vjetra.

Në Kongresin e Berlinit Fuqitë e Mëdha, përfshirë Britaninë, e përfillën fare pak parimin e nacionalitetit kur vendosën mbi kufijtë e rinj. Që nga atëherë, për shkak të kësaj mospërfillje, janë bërë shumë luftëra. Luftërat Ballkanike (1912-1913) dhe Lufta e Parë Botërore (1914-1918) erdhën si rezultat i orvatjeve për ndryshim të kufijve. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), në Konferencën e Paqes në Paris (1919) që rezultoi në Marrëveshjen e Versajit, Fuqitë e Mëdha vazhduan me qëndrimin që e shprehën në Kongresin e Berlinit dhe nuk treguan respekt për parimin e nacionalitetit kur vendosën për kufijtë e vendeve të Ballkanit. Si rezultat, më shumë se gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë u përfshinë brenda Greqisë dhe shtetit të ri që u njoh me emrin Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene e më vonë Jugosllavia. Jugosllavia, përsëri, nuk e përmbushi detyrën e parimit të nacionalitetit dhe u zhbë dhunshëm në fund të shek. XX që përfundoi me Luftën në Kosovën në vitin 1999.

Pra, qëllimi i këtij libri është që të ofrohet një interpretim i ri i politikës britanike, duke argumentuar se Qeveria britanike, për shkak të mungesës së interesit në Ballkan, nuk krijoi politikë të veçantë për çështjen shqiptare dhe e konsideroi këtë çështje brenda kornizave të gjëra të çështjes së lindjes. Çështja shqiptare hyri në konsiderim të Qeverisë britanike vetëm gjatë krizave ndërkombëtare, të cilat ndodhën në pjesën otomane të Ballkanit. Krizat e tilla u adresuan gjatë periudhës së Kongresit të Berlinit, krizës së Maqedonisë (1903-1908) dhe Konferencës së Londrës që erdhi si rezultat i Luftërave Ballkanike (1912-1913).

Debati në mes liberalëve dhe konservativëve, dy partive në Parlamentin britanik, dhe në shtyp në lidhje me çështjen shqiptare, ka vazhduar gjatë kohës së mbajtjes së Kongresit të Berlinit. Megjithatë, eventualisht nuk pati shumë dallime në mes këtyre dy partive sa i përket qëllimit kryesor të politikës britanike. Madje, edhe Gladstone e pranoi se përkrahja për ekzistimin e Perandorisë Otomane e kishte domethënien e mbrojtjes së rrugës për Indi. Gjithashtu, që të dy partitë politike kishin deklaruar se Ballkani, si rajon, qëndronte jashtë interesave vitale britanike. Megjithatë, pasi që Disraeli dhe konservativët e kishin pranuar ekzistimin e nacionalitetit shqiptar, për udhëheqësit shqiptarë ekzistonte shpresa që në Britani në të ardhmen të gjendet përkrahje për kauzën e tyre kombëtare.

Mundësitë që udhëheqësit shqiptarë të gjenin përkrahjen britanike u zvogëluan me zhvillimin e politikës liberale gladstoniane. Pas krizës së Maqedonisë (1903), opinion publik britanik dhe organizatat liberale, siç ishte Komiteti i Ballkanit, ushtronin presion ndaj qeverisë për angazhim më të madh në Ballkan. Në mënyrë që të shpjegohen këto zhvillime të fillimit të shek. XX në Ballkan dhe Shqipëri, ky studim parashtron disa pyetje: Pse dhe si kontribuoi çështja maqedonase në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar? Në mënyrë të pashmangshme, përgjigjja ngritë pyetje të reja: pse shqiptarët, të cilët mësynin krijimin e shtetit të tyre, ishin angazhuar në Lëvizjen dhe Revolucionin Xhonturk?

Pjesa e fundit e këtij libri (kapitujt VII dhe VIII) fokusohet në analizimin e fuqisë politike liberale britanike dhe në efektin e saj që kishte në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Si u manifestuan idetë liberale gladstoniane në opinionin publik britanik? Pse u adoptua një politikë e tillë britanike dhe pse ajo ofroi ndihmë vetëm për të krishterët e Ballkanit? Për këtë arsye Edith Durham, Aubrey Herbert dhe një grup i intelektualëve britanikë që e formuan Komitetin Shqiptar më 1912, u angazhuan që ta hidhnin poshtë një opinion të tillë dhe një politikë, e cila, sipas tyre, në rastin e Shqipërisë nuk ishte në favor të aplikimit të parimit të nacionalitetit.

Qasja e zbatuar në këtë studim është kronologjike, analitike, empirike dhe narrative. Fushat kryesore të hulumtimit janë primare dhe ato arkivore të botuara. Burimet arkivore përfshijnë dokumentet e Foreign Officeit britanik, departamenteve tjera qeveritare, raportet konsullore dhe diplomatike, korrespondencat personale apo private që ruhen në National Archives (Arkivi Kombëtar) në Kew të Londrës, sikur edhe ‘Hansard’ që ruhen në Dhomën e Epërme dhe të Ulët të Parlamentit britanik.

Raportet tjera diplomatike dhe konsullore që janë eksploruar janë edhe ato të Başbakanlik Osmanli Arşivi (Arkivi Otoman i Zyrës së Kryeministrit) në Stamboll, Arkivi i Shtetit Shqiptar në Tiranë dhe Arkivi i Kosovës në Prishtinë. Shumica e këtyre burimeve arkivore janë shfrytëzuar për të shpjeguar ngjarjet e rëndësishme për shqiptarët, por edhe rolin dhe pozitën e Portës së Lartë, sikurse edhe pozita që Fuqitë tjera dhe shtetet ballkanike që kishin për çështjen shqiptare.

Po ashtu, janë shfrytëzuar edhe koleksionet e dokumenteve të Aubrey Herbertit që gjenden në Arkivin e Somersetit (Heritage Centre, Taunton) të cilat deri tani, në studimet e këtij lëmi, janë përdorur rrallë. Këtu përfshihen një numër i dokumenteve që janë përdorur në këtë studim për të shpjeguar aktivitetet e Herbertit, i cili më 1912 formoi Komitetin Shqiptar, që kishte për qëllim që të ushtronte influencë ndaj opinionit dhe politikës britanike në dobi të çështjes shqiptare (kapitulli VIII).

Edhe pse Herberti ishte diplomat prominent britanik, ushtarak (kolonel) dhe deputet i parlamentit, ka mbetur gati i panjohur për historinë britanike dhe shqiptare. Herberti, veçanërisht, ishte i njohur për arsyen që udhëheqësit shqiptar ia ofruan fronin e mbretërisë shqiptare. Dokumentet (korrespondenca personale, fjalimet dhe artikujt e gazetave) që gjenden në Arkivin e Somersetit dhe veprat e botuara të Herbertit janë shfrytëzuar në këtë studim për të shpjeguar këtë munguesë, e cila është e rëndësishme për historinë britanike dhe shqiptare.

Ndihmë e veçantë për kapitullin VII të këtij libri është ‘Edward Boyle Collection’ që është korrespondenca dhe dokumente tjera që janë depozituar në vitin 1976 në Bibliotekën e Universitetit të Leedsit (Brotherton Library – Special Collections). Ky koleksion i vlefshëm për herë të parë shfrytëzohet në këtë studim. Fjala është për korrespondencën në mes Edward Boyleit dhe Edith Durhamit dhe dokumenteve që lidhen me Komitetin e Ballkanit që po ashtu janë pjesë e këtij koleksioni. Kjo korrespondencë hedh dritë mbi aspektet e rolit dhe kontributit të Durhamit ndaj kauzës kombëtare shqiptare, përfshirjes britanike në Shqipëri, sikur edhe disa aktiviteteve të Komitetit të Ballkanit, të cilat, deri më tani kanë qenë të panjohura. Kjo korrespondencë tregon rëndësinë e ndikimit që kishin pikëpamjet e liberalëve në politikën, diplomacinë britanike dhe në qarqet intelektuale liberale. Dokumentet tjera që janë përdorur më rrallë, janë edhe ato të ‘Surrey History Centre Archives’ dhe ‘Archives of the Royal Anthropological Institute’ në Londër, që janë shfrytëzuar për këtë studim.

Raportimet e diplomatëve dhe konsujve britanikë kanë ofruar ndihmë të madhe, duke qenë burime më se të rëndësishme për këtë studim. Këto raportime janë përdorur këtu për të përshkruar situata dhe ngjarje, edhe nëse ato nuk kanë qenë të lidhjes apo interesit të drejtpërdrejtë britanik në Shqipëri. Këto raportime britanike nga tereni apo vendi i ngjarjes kanë mbuluar pothuaj çdo ngjarje të rëndësishme që ka pasur të bënte me ngjarjet shqiptare në Shqipëri, Stamboll dhe në vendet fqinje. Një numër i konsiderueshëm i dokumenteve për herë të parë hedhin dritë mbi zhvillimet e nacionalizmit shqiptarë dhe ngjarjeve tjera të rëndësishme.

Natyrisht, ky studim bazohet edhe mbi literaturën sekondare në forma të librave, memoareve, pamfleteve dhe artikujve të gazetave. /Telegrafi/