LAJMI I FUNDIT:

Bullgaria ndryshoi qëndrim, dërgon ndihmë ushtarake në Ukrainë

Bullgaria ndryshoi qëndrim, dërgon ndihmë ushtarake në Ukrainë

Deputetët bullgarë kanë miratuar paketën e parë të ndihmës ushtarake të vendit për Ukrainën që përfshin një listë të klasifikuar të armëve të përgatitur nga qeveria.

Parlamenti i Bullgarisë votoi 148-46 me një abstenim në favor të armëve për Kievin pas disa muajsh grindjesh politike mbi këtë çështje në shtetin anëtar ballkanik të NATO-s.


Bullgaria më parë ra dakord të riparonte pajisjet ushtarake ukrainase në fabrikat e saj, por refuzoi të dërgonte armë drejtpërdrejt për shkak të kundërshtimit të presidentit, Rumen Radev dhe partive politike miqësore të vendit ndaj Moskës, raporton skynews.

Së bashku me Hungarinë, Bullgaria ishte i vetmi vend anëtar i Bashkimit Evropian që fillimisht refuzoi t’i jepte Ukrainës armë pas pushtimit të Rusisë.

Ndërsa lista e plotë e armëve mbetet e klasifikuar, anëtarët e kabinetit u thanë gazetarëve përpara votimit se paketa përfshinte armë të vogla dhe municione.

Ministri i Mbrojtjes, Dimitar Stojanov tha në një intervistë televizive se ndihma “është plotësisht në përputhje me prioritetet e Ukrainës”, por shtoi se Bullgaria nuk do të sigurojë as sisteme raketore S-300 dhe as aeroplanë luftarakë MiG-29.

Politikanët ratifikuan gjithashtu një marrëveshje midis ministrive të mbrojtjes të Bullgarisë dhe Ukrainës për transferimin e armatimeve, pajisjeve dhe municioneve.

Marrëveshja përfshin trajnimin e deri në 60 personelit nga forcat e armatosura të Ukrainës si mjekë luftarakë. /Telegrafi/