LAJMI I FUNDIT:

Banka e Shqipërisë ndërhyn për të ndalur rritjen e lekut

Banka e Shqipërisë ndërhyn për të ndalur rritjen e lekut

Banka Qendrore e Shqipërisë po bën një ndërhyrje të rrallë në treg për të blerë euro pasi monedha kombëtare, leku, arriti papritur nivelin më të lartë dhjetëvjeçar kundrejt monedhës europiane.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, njoftoi se Bordi mbikëqyrës i Bankës ka autorizuar ndërhyrjen në tregun e monedhës për të shmangur një forcim të mëtejshëm të lekut, pasi ai arriti nivelin më të lartë dhjetëvjeçar kundrejt euros një ditë më parë.


“Blerjet e valutave [të huaja] do të synojnë të eliminojnë monedhën përkohësisht të tepërt në treg, duke shmangur kështu forcimin e mëtejshëm të lekut”, tha Sejko në një njoftim për shtyp.

“Ky operacion do të vazhdojë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”, shtoi ai.

Leku shqiptar ka qenë i qëndrueshëm për disa vite në rreth 140 lekë për euro.

Megjithatë, ajo është forcuar që nga viti 2016 dhe ka shënuar fitime të mëdha këtë vit, veçanërisht gjatë muajit maj.

Të martën, një euro këmbehej me vetëm 124 lekë.

Shkaqet e forcimit të papritur të lekut janë diskutuar ashpër nga mediat, politikanët dhe ekonomistët.

Disa fajësojnë të ardhura të mëdha nga kontrabanda e drogës, por autoritetet, duke pranuar natyrën e jashtëzakonshme të rritjes së monedhës, kanë shmangur diskutimin e burimit të shumave të mëdha të euros në treg.

Sejko pranoi të mërkurën se deklarata e tij e mëparshme më 2 maj, që thoshte se forcimi i lekut ishte “i përkohshëm”, nuk ishte i saktë.

“Gjatë muajit të fundit, kursi i këmbimit u forcua më tej, dhe me një ritëm më të shpejtë”, tha Sejko, shkruan Reporter.

Ai shtoi se pritjet e forcimit të mëtejshëm të tij e shtynë Bankën Qendrore të ndërhyjë.

Ndërhyrja në treg është shumë e rrallë në Shqipëri, e cila kishte mbajtur një regjim të lirë të monedhës që prej vitit 1992, ndryshe nga disa vende të tjera në rajon që zgjodhën për kurset fikse të këmbimit me euron, si Bosnja dhe Hercegovina apo Bullgaria, apo lundrues, si Serbia. /Telegrafi/