LAJMI I FUNDIT:

Albanologia Margaret Hasluck dhe miqtë e saj

Albanologia Margaret Hasluck dhe miqtë e saj
Margaret Masson Hardie Hasluck

Nga: Refik Kadija

Albanologia e përkushtuar dhe mikja e rrallë e shqiptarëve Margaret Masson Hardie Hasluck (1885-1948) gjysmën e dytë të jetës së saj 63-vjeçare, deri në frymën e saj të fundit, e lidhi ngusht emocionalisht dhe intelektualisht me Shqipërinë. Për të është shkruar disa herë në shtypin tonë të përditshëm dhe periodik. Është botuar ndonjë libër biografik në shqip dhe janë botuar disa shkrime edhe në gjuhën angleze.


Interesimi për personalitetin dhe veprimtarinë e Margaret Hasluck-ut ka vazhduar deri në ditët tona, veçanërisht në vendin e saj dhe nga fusha e arkeologjisë. Këtu do të veçoja dy bashkatdhetarë të saj, historianen e Universitetit të Aberdeen-it Prof. Alison K. Brown dhe historianin skocez Roderick Bailey, por dhe një arkeologe amerikane të famshme – Prof. Sharon R. Stocker.

Historiania dhe antropologia skoceze Prof. Alison K. Brown ka një karrierë akademike të shkëlqyer pranë disa universiteteve – Aberdeen, Cambridge, Oxford, Smithsonian Institution, etj. Më 16-17 prill 1998 ajo mori pjesë në Konferencën Shkencore të Universitetit të Aberdeen-it organizuar nga UMIS (Muzeumet e Universiteteve në Skoci) dhe mbajti kumtesën “From Albania to Aberdeen: The Hasluck Collection in Marischal Museum” (“Nga Shqipëria në Aberdeen: Koleksioni i Hasluck-ut në Muzeumin Mariskal”). Në këtë kumtesë të botuar në librin e konferencës (the Book of Proceedings) Profesoresha Brown shtjellon jetën dhe veprimtarinë shkencore të Margaret Hasluck-ut, dy librat mbi Shqipërinë, artikujt shkencorë dhe hulumtimet e saja në Shqipëri e Ballkan dhe komenton vlerat muzeale të rreth 100 objekteve folklorike që Margaret Hasluck-u i kishte mbledhur në Shqipëri dhe ia kishte dhuruar Muzeumit Mariskal të Universitetit të Aberdeen-it.

Arkeologia dhe studjuesja amerikane Sharon R. Stocker, profesoreshë e Universitetit të Cincinatit, erdhi në Shqipëri disa herë për gërmime arkeologjike kryesisht në Durrës dhe Apolloni, së bashku me bashkëshortin e saj, arkeologun me famë botërore, Prof. Jack Davies. Në vitin 2001 ky çift amerikan arkeologësh punuan së bashku me një ekip arkeologësh nga Universiteti i Cincinatit, ku merrnin pjesë edhe arkeologë shqiptarë – akademiku Myzafer Korkuti (arkeolog i shquar dhe ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), Vangjel Dimo, Iris Pojani, etj. Ata bënë një punë të shkëlqyer për shpëtimin dhe konservimin e vlerave arkeologjike të Durrësit dhe Apollonisë, ku zbuluan artefaktet dhe “Tempullin e Bonjakëve”, njërin prej tempujve grekë më të hershëm në rajonin e Detit Adriatik. Më 9 qershor 2017 shteti shqiptar e dekoroi çiftin Davis-Stocker me titullin “Për Merita Civile të Veçanta”. Sharon Stocker botoi në revistën shkencore të Universitetit të Cincinatit “UC Magazine” një shkrim të hollësishëm prej 8-9 faqesh për jetën dhe veprën e Margaret Hasluck-ut, të pajisur dhe me një bibliografi, me titull “Margaret Masson Hardie Hasluck”.

Kurse Dr. Roderick Bailey, historian profesionist skocez në Universitetin e Oksfordit, anëtar i Këshillit të Shkollës Britanike të Athinës, si dhe ekspert zyrtar i historisë së OSE, më 2008 botoi librin The Wildest Province – SOE in the Land of the Eagle (Provinca më e egër – OSE-ja në Tokën e Shqipeve). Në këtë libër ai trajton edhe veprimtarinë e “çiftit të çuditshëm Hasluck” në Shkollën Britanike të Athinës dhe angazhimin e Margaret Hasluck-ut në OSE gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky historian skocez kishte mbrojtur gradën e Doktorit në Filozofi në Universitetin e Edinburgut me disertacionin “The Special Operations Executive (SOE) and British policy towards wartime resistance in Albania and Kosovo, 1940-44” (“OSE-ja dhe politika britanike gjatë rezistencës së kohës së luftës në Shqipëri dhe Kosovë, 1840-44”) në vjeshtën e vitit 2003.Në fillim të dhjetorit 2019 Bailey-t iu dha një çmim nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për përkthimin e këtij libri në gjuhën shqipe.          

Në sinopsin e librit të Bailey-t shkruhet: “Më 1943, në kulm të Luftës së Dytë Botërore, skuadra të vogla të ushtarëve britanikë elitarë filluan të dërgohen me parashutë në malet e Shqipërisë së pushtuar nga Boshti (Aksi Romë-Berlin-Tokio). Ata kishin marrë urdhër që të gjenin dhe të armatosnin çeta të vogla guerile vendase dhe ta godisnin armikun sa më fort që të mundnin. Këta djem të rinj ishin të gjithë anëtarë të Operacioneve Speciale të Zbulimit (OSE) të Britanisë. Duke u përpjekur për të mbijetuar në kushte ekstreme dhe në një terren tejet të vështirë, ata jetonin nën kërcënimin e vazhdueshëm të zënies rob dhe vdekjes. Humbjet ishin katastrofike. Më vonë, ata që mbijetuan, dëshmonin se komunistët britanikë mbrenda OSE-s, bile ndoshta kolegë të spiunëve të Kembrixhit, kishin komplotuar për të tradhtuar interesat britanike”. Kjo dëshmon parashikimet e Margaret Hasluck-ut në raportet që i dërgonte shtabit të OSE-s në Londër. I tillë ishte James Klugmann-i (1912-1977), komunist, historian i Partisë Komuniste Britanike, i diplomuar në Universitetin e Kembrixhit, i vërtetuar si agjent i KGB me emrin e koduar MER. Klugmann-i ishte mik i ngushtë i spiunit të famshëm Donald MacLean si dhe rekrutues i Pesëshes së Kembrixhit që i dërgonin informacion Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas lufte (një nga 5 spiunët ishte edhe Kim Filbi me pseudonimin “Sonny” dhe “Stanley”).

Margaret Masson Hardie/Hasluck, e njohur edhe si Peggy Hasluck, ishte një skoceze e talentuar dhe inteligjente dhe kishte një personalitet të jashtëzakonshëm e kompleks. Ajo ishte klasiciste, folkloriste, gjeografe, epigrafe, fotografe, linguiste, arkeologe dhe zbuluese vizionare.

Margaret Masson Hardie lindi me 18 qershor 1885 në familjen e John Hardie-t, një fermeri nga fshati Chapelton, Drumblade, Morayshire të Skocisë veriore. Ishte vajza e madhe e nëntë fëmijëve dhe u rrit në shtëpinë e gjyshit deri në moshë 6-vjeçare me disiplinë të rreptë. Sipas studjuesit Marc Clark, “Thuhet se kur u kthye në shtëpi, në moshën gjashtë vjeç, ajo e lexonte Shekspirin për qejf”. (Clark, Marc. 2000. “Margaret Masson Hasluck”. In Black Lambs & Grey Falcons: Women Travellers in the Balkans, edited by John B Allcock and Antonia Young, Chapter 9, 128). M. Clark-u jep edhe disa të dhëna për rrethin e saj familjar: “Një xhaxha u bë kirurg i famshëm, shkoi në Australi dhe mori titull kalorësie. Një motër e saj drejtonte një kolegj për vajza në Hyderabad (Indi) dhe u bë një nga gratë e para që vizituan Tibetin. Shumë anëtarë të familjes së saj shkuan në Amerikë ku, përveç gjërave të tjera, ndihmuan për themelimin e një qyteti në Teksas i cili mban emrin e vendlindjes së saj: Dallas.” (ibid, 128).

Shkollën fillore dhe të mesme Margareta i kreu në vendlindje në Elgin Academy – gjimnaz i themeluar më 1801. Pastaj ndoqi studimet në Universitetin e Aberdeen-it, të cilat i kreu me rezultate të shkëlqyera më 1907 në programin ‘Master’ për gjuhë, letërsi, histori e filozofi klasike greke e latine. Pastaj po këtë vit u pranua në kolegjin femëror Njunhem (Newnham College) të Universitetit të Kembrixhit, duke i kryer studimet pasuniversitare tre-vjeçare me bursa prestigjioze më 1910. Drejtoreshë e Kolegjit Njunhem, në kohën që stjudonte atje Hardie, ishte fizikantja dhe aktivistja për arsimimin superior të femrave Eleanor M. Sidgwick (1845-1936) ose Nora siç e thërrisnin, një nga themelueset e Kolegjit Njunhem më 1871. Ndër bashkëstudentët e Margaret Hardie-t kishte njerëz që u bënë të famshëm si feministja Katherine (“Ka”) Laird Cox, Nora Kershaw Chadwick (akademike e studjuese e kulturës kelte), romancierja e përkthyesja Hope Mirrlees (1887-1978) dhe çifti i famshëm Cornfords – Francis (klasicist dhe përkthyes i filozofisë greke) dhe Frances (poete e njohur, gjyshi i të cilës kishte qenë Çarls Darvini). Profesoresha e historisë ekonomike Eileen Power, njëkohësisht themeluesja e kolegjit të parë femëror në Britaninë e Madhe, Girton College, ishte tutore edhe e studentëve të Kolegjit Newnham gjatë kohës që Margaret-a vazhdonte studimet në Kembrixh.

Margaret Hardie i kreu studimet e plota pasuniversitare në Universitetin e Kembrixhit më 1911 me rezultatet e shkëlqyera më të larta në programin ‘Classical Tripos’ që përfshinte gjuhët greqishte e vjetër dhe latinisht, letërsinë klasike, historinë klasike, artin dhe arkeologjinë klasike, filozofinë klasike dhe gjuhësinë. Rezultatet e provimeve shënoheshin në një regjistër të veçantë të protokolluar për femra, sepse femrave nuk u jepej diplomë për njohjen e titujve shkencorë të fituar dhe për t’u pranuar si anëtare të ligjshme të universitetit. Kjo situatë absurde vazhdoi deri në vitin 1948, kur universitetet britanike lëshuan diplomat e para për femra. Bile ky absurditet, për të diplomuar femra dhe për të pranuar statusin e tyre zyrtar të barabartë me meshkujt, në disa universitete të Anglisë vazhdoi deri nga mesi i viteve 1970-të.

Për shkak të kësaj situate absurde diskriminuese të asaj kohe, zëvendës-kancelari i Universitetit të Kembrixhit i nxori probleme Margaret Hardie-it për të bërë kërkime arkeologjike në Greqi, ndonëse ishte femra e parë që kishte pasur nderin të fitonte të drejtën si Studentja e vitit për të bërë kërkime shkencore në Shkollën Britanike të Athinës për vitin 1911-1912. Megjithatë, në saje të bursës Wilson Travelling Fellowship që jepej për udhëtim dhe kërkime arkeologjike, ajo arriti të shkonte në Athinë.

Në shkrimet shqip për albanologen skoceze përmendet Shkolla Britanike e Athinës (BSA), ku shkoi me aq vështirësi e këmbëngulje Margaret Hardie për të punuar më 1911, por nuk është shpjeguar më tej se çfarë ishte kjo “shkollë” dhe pse lakmohej aq shumë nga studjuesit. Në fakt është instituti i kërkimeve shkencore të thelluara klasike e arkeologjike më cilësori në Europë, i themeluar më 1886, një nga tetë Institutet Kërkimore Ndërkombëtare Britanike nën kujdesin e Akademisë Britanike.

Fakti është se Margaret Hardie deri në moshën 26 vjeçare iu përkushtua shkollimit, formimit të saj profesional. Ndonëse nuk iu dha diplomë (kartë me vulë e firma) për asnjë nga gradat shkencore të fituara për arsyet që dihen, për shkak të diskriminimit që i bëhej gruas nga sistemi universitar konservator e pedant në shoqërinë maskiliste britanike të kohës, ajo ishte një intelektuale shumë e kualifikuar, me formim akademik të shkëlqyer.

Në verën e vitit 1911 Hardie kishte planifikuar që të merrte pjesë në gërmimet arkeologjike të organizuara nga BSA në Akanthosin e lashtë (Daça e sotme në Turqi), por Komiteti drejtues i BSA-s e kundërshtoi prerazi pjesëmarrjen e saj me pretekstin se përfshirja e femrave në gërmime arkeologjike mbrenda kufijve të Perandorisë Osmane ishte e papërshtatshme. Megjithatë Hardie këmbënguli dhe e mori lejen, por gërmimet u pezulluan për shkak të trazirave anti-osmane në ishujt grekë dhe fillimit të Luftës së Parë Ballkanike. Atëherë Hardie e shoqëroi Sir William Ramsey-n (arkeolog dhe shkencëtar i shquar, fitues i Çmimit Nobel për kimi më 1904) në gërmimet e tij arkeologjike në Antiok të Pisidias. Nën udhëheqjen shkencore të Ramsey-t, ajo hartoi një raport mbi këto gjurmime dhe e botoi një vit më vonë si artikull shkencor me titullin “Faltorja e Mê n Askaënos në Antiok të Pisidias” në revistën Journal of Helenic Studies (nr.32, 1912, f. 111-150). Më 1911 ajo bëri edhe një studim të veçantë për topografinë dhe mbishkrimet e Izmirit, por nuk arriti të shkonte vetë atje për shkak të shpërthimit të revoltave të grekëve në ishujt e Egjeut. Megjithatë, ajo arriti të botonte një artikull me titull “Dionisi në Smirna” (emri i lashtë i Izmirit të sotëm) në Vjetarin e BSA-s (nr. 19, 1912-13, f.89-94).

Në vjeshtën e vitit 1912, në moshën 27 vjeçare Margaret Hardie u martua me historianin dhe arkeologun 34-vjeçar Frederick William Hasluck, i cili ishte në atë kohë nëndrejtor i BSA-s (1911-1915) dhe bibliotekar i saj (1906-1915). Dasma u bë në shtëpinë e saj në Skoci. Që nga kjo kohë ajo mori dhe përdori ligjërisht mbiemrin ‘Hasluck’. Si dhuratë martese Frederiku i propozoi asaj që në pranverën e vitit 1913 të shkonin për pushime ku të dëshironte ajo. Margareta zgjodhi vizitën në Konia të Turqisë. Treva e pasur arkeologjike e historike e Konias me ndërthurje të kulturave greke e turke, islame e bizantine, kristiane e muslimane e frymëzuan Frederikun t’i përkushtohej deri në fund të jetës së tij studimit të ndërveprimit të Krishterimit dhe Islamit mbrenda Perandorisë Osmane. Më vonë kjo pati ndikim të madh dhe në drejtimin e punës kërkimore-shkencore të Margaret Hasluck-ut.

Për katër vite (1913-1916) Hasluck-ët u vendosën më Athinë dhe patën mundësi të udhëtojnë shpesh së bashku në Ballkanin jugperëndimor. Pikërisht këto udhëtime ndezën shkëndinë e interesit dhe dashurisë së Margaretës për Ballkanin e veçanërisht për shqiptarët.

Frederick Hasluck-u u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i tij në BSA më 1915 për shkak të intrigave të një ish-bashkëstudenti të Kembrixhit dhe koleg në BSA (A.J.B.Wace) që e shikonte si rival për marrjen e postit të drejtorit të BSA-s. Por Hazluck-ët qëndruan në Athinë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore ata të dy u punësuan në Legatën Britanike, ku ndihmonin me njohuritë e tyre operacionet e zbulimit anglez të luftës. Ndërkohë Frederiku ishte sëmurë nga tuberkulozi dhe më 1916 gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Margarita u detyrua ta shoqëronte të shoqin nëpër sanatoriumet e Zvicrës për 4 vjet, ndërkohë që herë pas here ajo shkëputej për hulumtime të shkurtra në Ballkan. Frederiku vdiq më 22 shkurt 1920, në moshën 42-vjeçare në sanatoriumin Beau Reveil në Leysin të Zvicrës. Kështu, Margaret Hasluck-u mbeti e ve kur ishte 35 vjeçe, pas një martese të lumtur por të shkurtër që zgjati vetëm 8 vjet. Ata nuk patën fëmijë. Ajo nuk u martua më. (“Hasluck” do të thotë “ka fat”, por duket se ky mbiemër nuk u solli shumë fat në jetë Hasluck-ëve).

Pas vdekjes së Frederikut, Margareta shkoi në Angli dhe filloi me përkushtim detyrën e vështirë e të lodhshme të redaktimit e botimit të tri veprave të papërfunduara të bashkëshortit: “Athosi dhe monastiret e tij” (1924), “Letra mbi fenë dhe folklorin (Një kompilim i korrespondencës me R. M. Dawkins)” (1926) dhe “Krishterimi dhe Islami në kohën e sulltanëve” (1929) në dy vëllime.

Më 1924 në Angli ajo u bë anëtare e Shoqatës Gjeografike dhe më vonë botoi artikuj për revistën e kësaj Shoqate duke mbajtur mbiemrin e të shoqit. Për të përgatitur për botim dy vëllimet për Krishterimin dhe Islamin asaj iu deshën katër vjet punë intensive. Kjo bëri që dhe interesat e saj kërkimore të merrnin një drejtim të ri. Gjatë kësaj kohe ajo udhëtonte shumë dhe ndërmori projekte të reja individuale në Maqedoninë perëndimore të banuar kryesisht nga shqiptarët (si Fellow e Universitetit të Aberdeen-it) dhe në Shqipëri me bursën prestigjioze “Leverhulme”. Ndërkohë zuri miqësi me Edith Durhamin dhe u bë korrespondente e saj.

Gjatë kohës që redaktonte veprën shkencore të bashkëshortit të saj Margaret Hasluck-u mblodhi informacion shumë të pasur për folklorin ballkanik bashkëkohor dhe për ritet e praktikat fetare. Kjo del qartë nga kërkimet e saj etnografike mbi çështje të tilla të larmishme si ligjet fisnore të pashkruara, komunitetet rome, gjakmarrja shqiptare dhe magjitë, përrallat popullore dhe legjendat. Gjatë dy dekadave të fundit të jetës së saj ajo nuk u muar më me arkeologji, por zhvilloi dhe kultivoi aftësi të reja si folkloriste, linguiste, etnografe dhe fotografe, veçanërisht në studimin e jetës rurale shqiptare të kohës.

Margaret Hardie/Hasluck shkeli në tokën e Shqipërisë për herë të parë më 1919, gjatë kohës që bënte kërkime antropologjike në Maqedoni (Julian Amery, “Bijtë e shqipes: Një studim mbi luftën guerrile”, 1948, 27). Po ta konsiderojmë këtë vit si fillimin e lidhjeve të Margaretës me Shqipërinë, mund të themi se ato lidhje vazhduan për gati 30 vjet, gjatë gjithë gjysmës së dytë të jetës së saj dhe erdhën duke u forcuar gjithnjë e më shumë.

Më 1926, pas udhëtimeve të shpeshta nëpër Ballkanin jugor, Margaret-a vendosi të kishte një banesë të përhershme në Shqipëri dhe ndërtoi një shtëpi të madhe të tipit ‘elbasançe’ me 12 dhoma, në qendër të qytetit piktoresk e mikpritës të Elbasanit, në Rrugën Rinia (sot). Ajo jetoi aty për 13 vjet, deri më 1939, kur u detyrua të largohej nga Elbasani dhe Shqipëria përgjithmonë me ikjen e Mbretit Zog dhe me invazionin fashist italian, sepse asaj i rrezikohej jeta, nga që italianët kishin dijeni për veprimtarinë e saj si zbuluese gjatë Luftës së Parë Botërore. Por ajo mbajti lidhje të ngushta me miqtë e saj shqiptarë dhe e ruajti thellë në zemër dashurinë për Shqipërinë deri në fund të jetës.

Vitet e rezidencës në Elbasan për Margaret Hardie/Hasluck-un ishin frutdhënëse, të këndshme dhe të paharrueshme. Në shtëpinë e saj vinin shumë miq të huaj dhe shqiptarë. Aty nisi dhe u ngjiz miqësia e madhe dhe e ngushtë e saj me atdhetarin e eruditin elbasanas Lef Nosi. Udhëtarë e misionarë anglezë që vinin për qëndrim të përkohshëm ose kalonin nëpër Shqipëri mirëpriteshin në shtëpinë e “englezkës”, siç e quanin elbasanasit.

Një nga udhëtarët e shquar që ndaloi në shtëpinë e saj kur vizitoi Shqipërinë ishte historiani, kompozitori dhe autori anglez i 140 librave (romane dhe travelogë) Bernard Newman (1897-1968), i cili botoi dy libra mbi Shqipërinë: “Porta e mbrapme shqiptare” (1936) dhe “Udhëtim nëpër Shqipëri” (1938). Midis dy luftërave botërore ai vizitoi mbi 60 vende, shumë prej tyre me biçikletë. Ai lindi më 1897 në zemër të Anglisë, në Ibstock, Leicestershire, dhe vdiq në Londër më 1968 nga një plagë që kishte marrë si ushtar në Luftën e Parë Botërore. Në dy librat mbi Shqipërinë ai flet me simpati për Margaret Hasluck-un, “personin anglisht-folës në Elbasan fama e së cilës kishte shkuar shumë më larg se vendi i saj i origjinës” (“Porta e mbrapme shqiptare”, 1936, 209). Ai tregon se ajo ishte një legjendë në të gjithë Shqipërinë dhe gjithashtu ishte një “personalitet i padiskutueshëm” me kulturë të gjerë, e cila ushtronte “ndikim të madh në Elbasan” (po aty). Më tej ai shpjegon se qeveria shqiptare ngulte këmbë që Hasluck-ut t’i jepej një ushtar si rojë personale, por ajo e refuzonte vazhdimisht këtë, deri sa më në fund e pranoi rojën, por e caktoi si kryeshërbëtor të shtëpisë. Njumani thotë se kur ishte mik në shtëpinë e saj, “i ashtuquajturi ‘shërbëtori’ i saj i serviri atij verë qershie me elegancën e një shërbëtori klasi” (ibid, 210).

Përveç Bernard Njumanit, disa njerëz të shquar që janë takuar me Margaretën kanë komentuar përvojën e tyre me atë, sidomos disa oficerë elitarë të zbulimit të OSE-s që erdhën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që pas lufte u bënë personalitete të shquara në Britaninë e Madhe.

Një nga këta ishte Sir Patrick Michael Leigh Fermor (1915-2011), ushtarak me dekorata të larta në Luftën e Dytë Botërore, studjues. poliglot dhe autor i shquar i shumë travelogëve. Në gusht të vitit 1940 ai u caktua nga OSE-ja oficer zbulimi në Shqipëri dhe më 1944 udhëhoqi grupin që zuri rob gjeneralin gjerman Kreipe në ishullin e Kretës. Më 1984 Fermori shkroi Parathënien e librit të Kolonel David Smiley-t “Detyra e veçantë në Shqipëri” (angl. Albanian Assignment”, Chato & Windus, London, 1984), me nëntitull “Historia e OSE-s në Shqipëri, nga një vëlla armësh i Leigh Fermor-it, i cili më vonë u bë agjent i MI6”. Fermori e kujton Margaret Hasluck-un, nga takimi më të, si një grua hijerëndë me energji të jashtëzakonshme, e sjellshme dhe e përzemërt, që e kishte zakon të vishte funde të gjatë të stilit viktorian. Ai gjithashtu thekson se ajo kishte “një guxim të papërmbajtur” që manifestohej nga jeta e vetmuar e një gruaje të ve në një kulturë të huaj, ekstremisht maskiliste.

Një studjues tjetër britanik i kulturës së lashtë greke dhe operativ i OSE-s britanike kryesisht në Greqi, por dhe në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili shprehet me respekt të veçantë për Margaret Hasluck-un, është Nicholas Geoffrey L. Hammond (1907-2001). Në artikullin e tij me titull “Udhëtime në Epir dhe në Shqipërinë Jugore përpara Luftës së Dytë Botërore” të botuar në revistën shkencore “Ancient World” (Bota e lashtë), nr. 8, 1983, f. 26-27, Hammond-i e përshkruan Margaretën si “një person zemërmirë e të dhembshur që ndihmonte shumë familje fshatare dhe e çmonte dashurinë e tyre” (26). Ai e takoi atë për herë të parë në Elbasan, ku ajo e ftoi ta kalonte natën në shtëpinë e saj dhe të dëgjonin së bashku një rapsod që ajo priste të vinte atë mbrëmje. Pasi kreu studimet për kulturë klasike në Universitetin e Kembrixhit me rezultate të shkëlqyera më 1929, Hammond-i i kaloi pushimet në verën e atij viti duke eksploruar Greqinë dhe Shqipërinë në këmbë, duke marrë njohuri e duke mbledhur të dhëna për topografinë dhe terrenin atje dhe mësoi të fliste shqip rrjedhshëm. Këto aftësi që fitoi bënë që ai të rekrutohej nga OSE-ja gjatë Luftës së Dytë Botërore më 1940. Veprimtaria e tij përfshinte shumë misione të rrezikshme sabotazhi në Greqi (veçanërisht në ishullin e Kretës) dhe në Shqipëri.

Arkeologu britanik dhe Drejtor i Shkollës Britanike të Athinës gjatë viteve 1906-1913 Richard M. Dawkins (1871-1955) e ka njohur shumë mirë Margaret Hasluck-un sepse e kishte punonjësen e tij për disa vjet. Pas vdekjes së saj, ai shkroi një nekrologji për të në revistën Folk-Lore (vol. 60, No. 2, June, 1949, pp. 291-292), ku thekson “energjinë e saj të pashtershme” dhe “mënyrën këmbëngulëse e të shëndetshme të punës së saj”.

Ushtarakët britanikë të OSE-s që u dërguan në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore i shprehën kujtimet e tyre të ngrohta për skocezen energjike e të palodhur në memuaret që shkruan disa dekada pas lufte. Në mënyrë të veçantë kujtime të paharrueshme ruajnë për Hasluck-un dy prej këtyre oficerëve elitarë të OSE-s: Kolonel David de Crespigny Smiley dhe Baron Julian Amery.

Colonel David de Crespigny Smiley (1916-2009) vinte nga një familje baronësh. Ishte ushtarak i kompletuar që kishte kryer akademinë ushtarake britanike Royal Military College. Gjatë Luftës së Dytë Botërore luftoi në disa vende me detyra ushtarake të ndryshme në anën e Aleatëve kundër Boshtit nazi-fashist, në Palestinë, Irak, Iran, Siri, Egjipt dhe, si oficer i OSE-s, në Shqipëri dhe Tailandë. Pas lufte vazhdoi të kryente detyra ushtarake të rëndësishme, si atashe ushtarak britanik në Suedi, Komandant i Forcave të Armatosura të Sulltanit të Omanit e Muskatit (1958-61) dhe Këshilltar Ushtarak i Jemenit (1962-67). Për kontributin e tij në Luftën Antifashiste në Shqipëri David Smailey është dekoruar nga qeveria britanike me “Kryqin Ushtarak” (për operacionet e OSE-s në Shqipëri më 1943) dhe me dy dekorata të larta nga shteti shqiptar: me “Urdhrin e Çlirimit të Klasit I” dhe me Kordonin e Madh “Urdhri i Skënderbeut”.

Gjatë tri dekadave të fundit të jetës së tij 93-vjeçare ai shkroi tre libra kujtimesh nga lufta, një prej të cilëve është libri mbi Shqipërinë “Detyra e posaçme në Shqipëri” (1984)[1]. Në këtë libër David Smiley e kujton Margaret Hasluck-un si “një zonjë në moshë, e veja e një arkeologu të famshëm, me flokë që po i thinjeshin, të mbledhura mbrapa topuz, faqe-kuqe dhe me sy të ndritshëm bojëqielli…. Ishte plot energji dhe ishte e përkushtuar kokë e këmbë ndaj Shqipërisë së saj të dashur” (f.8).

Baron Julian Amery (1919-1996) ishte i diplomuar në Universitetin e Oksfordit, anëtar konservator i Parlamentit britanik për rreth 40 vjet, ishte dhëndëri i Kryeministrit Konservator Harold Makmilan (1957-1963); gjithashtu ai u bë Ministër Shteti për Punët e Jashtme dhe Komonuelthin, katër herë ministër, kapiten i ushtrisë angleze gjatë Luftës II Botërore, një nga “Tre Musketierët” (bashkë me Major David Smiley-n dhe Lieutenant-Colonel Neil McLean-in), të cilët shërbyen si këshilltarë ushtarakë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Shqipëri më 1943-1944). Pasi u largua nga Shqipëria, ai u dërgua si përfaqësues personal i kryeministrit britanik pranë Gjeneralisimo Çang Kai Shekut në Kinë (1944-1945). Amery ishte gjithashtu mik i ngushtë i Mbretit Zog I, siç deklaron ai vetë dhe shprehet se “Ahmet Zogu ishte burri më i zgjuar që kam takuar ndonjëherë” në librin e tij autobiografik “Afrimi i marsit: Përpjekje për një autobiografi” (1973). Amery është dhe autor i librit mbi Shqipërinë Sons of the Eagle: A Study in Guerilla War” (London 1948) dhe autor i shkrimit “Shqipëria në Luftën II Botërore”, botuar në enciklopedinë “Oxford Companion to the Second World War” më 1995 (f. 25-26), një vit para se të vdiste.

Gjashtëmbëdhjetë vitet e Margaret Masson Hardie/Hasluck-ut në Shqipëri (1923-1939) bënë që jo vetëm ajo ta lidhte jetën e saj pazgjidhmërisht me Shqipërinë dhe shqiptarët, por dhe qenë vite të frutshme të hulumtimeve të saj, rezultatet e të cilave i botoi në revista shkencore prestigjioze.

Drejtimet e hulumtimeve shkencore të saj ishin shumë të larmishme, pak a shumë të ngjashme me kërkimet e Edith Durham-it përpara saj kryesisht në zonat e Shqipërisë së Veriut. Ato përfshinin besëtytnitë e ‘syrit të keq’, traditën e ‘vasilopites’ (kekut të Vitit të Ri me monedhën e fshehur brenda që besohet se sjell fat për atë që e gjen), magjitë, gjakmarrjen shqiptare, ndikimet kristjane në besimin musliman të arvanitasve (shqiptarëve të Greqisë), praktikimin e fesë islame në Shqipëri (çështjet e lidhura me fenë mendoj se ishin kryesisht ndikim i bashkëshortit të saj, Frederikut); mënyra e jetesës dhe zakonet e ciganëve (romëve dhe egjiptianëve), vllaheve dhe sekteve të dervishëve në Maqedoni, Shqipëri e Serbi; mbetjet e greqishtes së lashtë në shoqërinë shqiptare bashkëkohore (p.sh. çmimi për nusen dhe miti i Edipit, që mendoj se lidheshin me formimin e saj akademik); si dhe hulumtimi i saj i gjerë për ligjin fisnor shqiptar – Kanunin e Lek Dukagjinit, me të cilin ishte marrë më parë thellësisht Edit Durhami.

Ndonëse e përfshirë në një vorbull të tillë veprimtarie, ajo mundi të mblidhte disa qindra (rreth 500) përralla popullore “nga nxënës shkolle në krahina të ndryshme të Shqipërisë”. Ky ishte kryesisht kontribut vetjak, por pjesërisht ajo u ndihmua dhe nga studjuesi dhe intelektuali erudit Lef Nosi, sipas albanologut të shquar anglez Stewart Edward Mann (1905-1986) (“Margaret Masson Hasluck,” Journal of the Gypsy Lore Society 29, 1950, 80).

Më 1932 ajo botoi librin “Këndime Anglisht-Shqip”, ku përfshiheshin 16 përralla popullore shqiptare, të mbledhura e të përkthyera në anglisht nga ajo, dy gramatika dhe dy fjalorët përkatës (‘Fjalurthi Shqip – Englisht’ dhe ‘Fjalurthi Englisht – Shqip’) (Margaret M. Hasluck, “KËNDIME ENGLISHT-SHQIP or ALBANIAN-ENGLISH READER”,Pp.xl+145, Cambridge at the University Press, 1932).

Për përgatitjen e këtij libri Hasluck-u, siç shkruan në Parathënien e librit, kërkoi ndihmën e tre mësuesve të shquar të Elbasanit – Aleksandër Xhuvanit, Dhimitër Paparistos dhe Parashqevi Gignasit: “Për mbledhjen e ktyne përrallave më ndihmuan zz. Parasqevi Gegnasi, Aleksandër Xhuvani, edhe Dhimitër Paparistja.” Në mënyrë të veçantë, ajo pati ndihmën e pakursyer të mikut të saj të ngushtë Lef Nosi: Si e huejë, kam pasë nevojë për bashkpunimin e nji Shqiptari, i cili të më ndihmonte në përkthimin e sa mȃ tepër në rendimin e fjalorthëvet edhe në pjesën e grammatikës. Për ktȇ bashkpunim i u drejtova z. Lef Nosi, i cili édhe nuk m’a kurseu, gjȃ për të cilën i falem nderës botënisht.”

Për vlerat e librit të Hasluck-ut dhe ndihmën e pakursyer të Lef Nosit shkruan edhe Meri Edit Durhami në recensionin që shkroi për librin e mikes së saj, pas botimit nga Shtypshkronja e Universitetit të Kembrixhit më 1932. Këtë recension ajo e botoi me inicialet M. E. D. (Mary Edith Durham) në revistën shkencore “Journal of Hellenic Studies”, organ i Universitetit të Kembrixhit. Ndër të tjera, Edit Durhami shkruan: “Zonja Hasluck ka pasur idenë brilante që t’i vinte nxënësit e shkollës të shkruanin përrallat dhe i ka përdorur si ushtrime leximi në librin e saj. Për këtë ajo ka pasur ndihmën e Zotit Lef Nosi, me përpjekjet patriotike të cilit unë jam njohur së pari para njëzet vitesh” (d.m.th. më 1912, kur Lef Nosi, një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, u zgjodh Ministër i Postave dhe Komunikacionit në qeverinë e parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali, R.K.). Më tej Durhami shkruan: “Përrallat janë përkthyer në anglisht thuajse fjalë për fjalë, dhe dy variantet janë në faqet kundruall njëra tjetrës, duke e bërë kështu krahasimin shumë të lehtë. Në rastet ku idioma e bën të pamundur përkthimin fjalë për fjalë, ajo shpjegohet në shënimet në fund të faqes. Libri kështu jo vetëm lehtëson studimin, por dhe jep një njohje të ideve dhe zakoneve të popullit, sepse përrallat janë plot kolorit lokal. Me qenë se libri mund të futet kollaj në xhep, ai do të jetë me vlerë të madhe për të gjithë udhëtarët në atë vend interesant e të bukur – Shqipëri”. (Journal of Hellenic Studies, vol. 52, Issue 2, 1932, p. 336).

Për mbështetjen që i ka dhënë Lef Nosi Margaret Hasluck-ut në hulumtimet dhe botimet e saj mbi Shqipërinë me erudicionin dhe bibliotekën e tij të pasur, si dhe për miqësinë e ngushtë midis tyre është shkruar mjaft dhe me interpretime e aludime të ndryshme. Edit Durhami shprehet qartë. Arkeologia dhe studjuesja bashkëkohore amerikane Sharon (Shari) R.Stocker shkruan se për hartimin e librit “Këndime Anglisht – Shqip” Hasluck-u “u ndihmua në këtë përpjekje të fundit nga studjuesi dhe patrioti i shquar shqiptar Lef Nosi, i cili gjithashtu banonte në Elbasan”. Gjithashtu dhe David Smiley shkruan se “Hasluck-u kishte një miqësi të veçantë te ngushtë me Lef Nosin”, i cili “kishte marrë pjesë aktive në krijimin e një Shqipërie të pavarur pas Lufts së Parë Botërore” (D. Smiley, “Albanian Asignment”, 1984, 9). Por më mirë e më qartë se kushdo tjetër për miqësinë e Margaret Hasluck-ut me elbasanasin e ditur ka shkruar ajo vetë. Përveç mirënjohjes së shprehur në hartimin e librit të këndimit, ajo thotë: “Nëse do kishim qenë më të rinj kur u njohëm dhe të kishim pasur ca të holla, ne do të ishim martuar. Ajo që ne kishim pa martesën ishte diçka e mrekullueshme, gati-gati një lidhje perfekte intelektuale dhe ide të përbashkëta si dhe punën që kishim planifikuar të bënim”. Por Lufta e Dytë Botërore do t’i prishte të gjithë planet dhe do t’i jepte një fund tragjik jetës së secilit.

Rezultat i punës së palodhur kërkimore-shkencore të Margaret Hardie/Hasluck-ut deri në prag të Luftës së Dytë Botërore janë të paktën 22 artikuj shkencorë që ajo i botoi në revista shkencore angleze. Ndër këta mund të përmendim: “Physiological Paternity and Belated Birth in Albania,” MAN: A Monthly Record of Anthropological Science 32, 53-54, (1932); “Bride-Price in Albania: A Homeric Parallel,” MAN: A Monthly Record of Anthropological Science 33, 191-195, (1932); “The Gypsies of Albania,” Journal of the Gypsy Lore Society, 17 (3rd Series), 49-61; 110-122, (1938); “Oedipus Rex in Albania,” Folk-Lore, 60, 340-348 (botuar pas vdekjes, 1949); Reprinted in 1995, Oedipus: A folklore Casebook, L. Edmunds and A. Dundes (Eds.), etj.

Përveç këtyre, ajo bëri edhe shkrime për lexuesin e gjerë që i botoi në periodikë popullorë si British Weekly, Discovery, Nature, dhe Everywoman. Gjithashtu ajo botoi dhe një mori artikujsh në gazetat The Times, Illustrated London News, dhe Manchester Guardian.

Gjatë viteve 1932-1936 ajo ishte korrespondente për Shqipërinë e periodikut Great Britain and the East (“Britania e Madhe dhe Lindja”). Gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri ajo shkroi shumë recensa për libra të ndryshëm që trajtonin çështje të Ballkanit jugperëndimor.

Pas largimit nga BSA-ja dhe vdekjes së bashkëshortit të saj, hulumtimet e saj nuk lidheshin më thuajse fare me arkeologjinë, me përjashtim të tre artikujve rreth Liqenit Ostrovo të Maqedonisë perëndimore, të botuar në “Revistën Gjeografike” (Geographical Journal, 87, 1936, 338-347).

Lufta e Dytë Botërore solli një ndërprerje të papritur të studimeve e kërkimeve të Hasluck-ut. E dimë tashmë se ajo u largua përfundimisht nga Shqipëria në pranverën e vitit 1939, kur Mbreti Zog iku dhe Shqipërinë e pushtoi Musolini, ndonëse ajo i ruajti lidhjet me Shqipërinë deri në fund të jetës.

Ajo shkoi në Greqi dhe gjatë viteve 1939-41 punoi në Ambasadën Britanike në Athinë, ku fillimisht hapi zyrën e shërbimeve operative britanike të Seksionit “D” dhe pastaj u bë këshilltare e kësaj zyre për Shqipërinë. Puna e saj ishte që të krijonte kontakte me shqiptarët që do t’i mbështesnin anglezët për të penguar Boshtin nazi-fashist që të pushtonte Ballkanin. Në mënyrë të veçantë, ajo u ngarkua me detyrën për të vendosur komunikim me çetat shqiptare në jug të Shqipërisë. Siç shprehet ish-drejtori i saj i BSA-s Richard M. Dawkins, ajo ishte e kualifikuar mirë për këtë punë në “zyrën shqiptare”, sepse “ishin të pakët ata të huaj që mund t’i kishin njohur shqiptarët aq mirë sa ajo” (R. M. Dawkins, 1949, 292). Mirëpo, siç shprehet studjuesja amerikane Sharon Stocker, “me gjithë përpjekjet e saj, pjesa më e madhe e planit britanik për të organizuar revoltën në Shqipëri u shëmb pasi gjermanët e shpartalluan ushtrinë jugosllave në pranverën e vitit 1941”.

Në verën e vitit 1941, pasi kushtet u bënë të pasigurta në Athinë, Hasluck-u shkoi në Stamboll, ku zëvendësoi në detyrën e zbulimit Kolonel Frank Stirling-un, sepse ai u caktua me detyrën e Oficerit Politik në Frontin Verior në Damask, Siri gjatë viteve 1941-1943. Gjatë Luftës së Parë Botërore Stërlingu ishte officer i stafit kryesor të Lorencit të Arabisë (T. E. Lawrence). Gjatë periudhës 1923-1931 punoi në Shqipëri për riorganizimin e Ministrisë së Mbrendshme dhe xhandërmarisë shqiptare. Më 1953 Stërlingu botoi librin mbi Shqipërinë “Siguria e fundit” (Safety Last), në të cilin, ndër të tjera, shpreh konsideratën e tij për Ahmet Zogun: “Fenomen i jashtëzakonshëm gjatë shërbimit tim në Shqipëri ka qenë ngritja e shpejtë në pushtet e Mbretit Zog dhe thermelimi i dinastisë së tij. Ajo që e bënte sundimin e tij aq të ndryshëm nga sundimi i shumicës së udhëheqësve ballkanikë ishte aftësia e tij për t’i dhënë popullit të tij, i cili ishte më i trazuari dhe më individualisti në të gjithë Europën, paqe dhe një shkallë shumë të konsiderueshme mirëqenieje për një periudhë pesëmbëdhjetë vjeçare. Nga të gjithë burrat e shtetit në Lindjen e Mesme—dhe unë kam takuar shumicën e tyre – unë e konsideroj Zogun që është padyshim më brilanti, më i kulturuari dhe më vizionari.”

Për gati dy vjet “përgjegjësia për të ndjekur situatën në Shqipëri, për të mbajtur kontakte me shqiptarët e mërguar dhe për të kërkuar rivendosjen e kontakteve me Shqipërinë ra tërësisht mbi shpatullat e saj” (J. Amery, “Sons of the Eagle: A Study in Guerilla War”, 1948, 48). Ndër britanikët, vetëm ajo nuk u lëkund nga bindja e saj se një revoltë kundër pushtuesve nazi-fashistë po përgatitej të fillonte dhe faktikisht ajo krejt e vetme e mbajti gjallë shpresën dhe interesin në vend duke dërguar në Shtabin e Përgjithshëm Britanik në Kajro një seri të vazhdueshme telegramesh, memorandumesh dhe raportesh mbi veprimtarinë antifashiste dhe kushtet në Shqipëri.

Atëherë, në vitin 1942 Hasluck-u u transferua nga Stambolli në Kajro, ku shërbeu deri në vitin 1945 si eksperte e OSE-s për Shqipërinë. Midis detyrave të tjera, kur më në fund u bë e qartë se nga fundi i vitit 1942 ishin formuar dhe po vepronin çeta partizane thuajse në gjithë Shqipërinë, ajo e ndihmonte Zbulimin Ushtarak Britanik duke u dhënë informacion oficerëve britanikë që do të dërgoheshin në Shqipëri për të drejtuar këtë rezistencë kundër gjermanëve.

Hasluck-u ishte e ngarkuar me detyrën e përgatitjes së fletushkave propagandistike që hidheshin në Shqipëri. Përveç kësaj, ajo u jepte infiltruesve britanikë kurse intensive mbi folklorin, zakonet dhe psikologjinë e shqiptarëve (ibid, f. 50). Nëpunësit britanikë të Seksionit D, të cilët më vonë u quajtën Forca 133, si dhe oficerët e zbulimit që trajnonte e thërrisnin me ngrohtësi me nofkën “Fanny”. Kjo nofkë vinte nga inicialet e First Aid Nursing Yeomanry (FANY) – kështu quheshin shumë vajza të reja që punonin për OSE-n për kodimin, hedhjen në hartë të të dhënave ose bënin punë të tjera administrative. Nga simpatia që ushqente për Hasluck-un, David Smiley ia vuri emrin “Fanny” mushkës së tij shqiptare (Albanian Assignment, 1984, 8). Ajo shkruante edhe letra rekomandimi, në shqip dhe në anglisht, për ushtarakët që dërgoheshin në Shqipëri. Një letër të tillë rekomandimi ajo shkroi (në anglisht) për oficerin Reginald Hibbert, të cilën ai e ruajti edhe pas luftës dhe e botoi në librin e tij “Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë” (1991). Në atë letër shkruhet:

“Miq të mi në Shqipëri! Leitnant Hibbert-i i cili ju sjell këtë letër, është anglez dhe miku im. Siç më keni mirëpritur kur ju kam kërkuar për të më treguar një përrallë të bukur ose kur ju kam pyetur për bektashinjtë apo për Kanunin e Lekës së Madh, ju lutem ashtu mirëpriteni edhe këtë anglez, ashtu siç dini ju të jeni mikpritës. Miq që nuk ju harroj kurrë, ju dërgoj urimet e mia më të mira”. (R. Hibbert, “Albania’s National Liberation Struggle”, 1991, 88).

Sir Reginald Hibbert-i (1922-2002) ishte officer, diplomat, albanolog i njohur dhe historian britanik. Pasi kreu studimet në Universitetin e Oksfordit më 1942 shkoi ushtar vullnetarisht dhe u caktua në një regjiment tankesh. Më 1943 u dërgua për përforcim në OSE dhe u lëshua me parashutë në Shqipëri, ku shërbeu si officer zbulimi fillimisht pranë nacionalistëve shqiptarë, pastaj pranë partizanëve komunistë. Më 1944 u ribashkua me regjimentin e tij tankist në Itali si komandant derisa u çmobilizua. Pasi bëri edhe një vit në Oksford për gjuhë ruse, ai u punësua në Ministrinë e Jashtme më 1946. Ai shërbeu si diplomat në Bukuresht, Vjenë, Guatemalë, Ankara dhe Bruksel, gjersa mori përsipër detyrën e të ngarkuarit më punë a.i. në Ulan Bator gjatë viteve 1964-1966. Pastaj mori një vit leje (sabbatical) për një bursë kërkimesh shkencore në Universitetin e Leeds-it dhe më 1967 u caktua në zyrën e Komisionerit të Përgjithshëm në Azinë Juglindore në Singapor dhe pastaj si këshilltar politik i Kryekomandantit të ushtrisë në Lindjen e Largët. Ai ishte ministër fuqiplotë në Bonn (1972-750, Ndihmës Nën-Sekretar Shteti (1975-76) dhe në fund Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Paris (1979-1982). Pas daljes në pension, Hibbert-i u muar me studime pasuniversitare. Pastaj ai u bë Kryetar i Shoqatës franko-britanike (1990-1995), President i Federatës Britanike të Aleancës Franceze (1997-1999) dhe President i Shoqatës Shqiptare të Britanisë (1996-2000), e cila kishte prirje të majta. Kjo Shoqatë ndryshon nga një shoqatë miqësie paralele – The Anglo-Albanian Association (AAA), themeluar më 1912 nga Aubrey Herbert (me emrin fillestar “Albanian Committee”) i cili ishte Drejtor i parë i saj dhe Edith Durham ishte Sekretare e saj. Drejtor aktual i saj është Stephen Nash, ish-Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.

Hibbert-i është autor i një vepre të mirënjohur, tashmë të cituar dhe të përkthyer e botuar në gjuhën shqipe The Albanian National Liberation Struggle: the bitter victory, Pinter Publishers, London, 1991. ISBN 0-86187-109-X; por dhe i një vepre tjetër albanologjike, The Kosovo question: origins, present complication and prospects, David Davies Memorial Institute (Occasional paper no.11), London, 1999.

Sipas Reginald Hibbert-it, “Në një nga raportet informative të saj, të datës 15 dhjetor 1943, Margaret Hasluck-u në Kajro shkroi një apologji elokuente për qeverinë e Regjencës. Ajo shkroi: ‘Drejtimet e politikës së qeverisë do të përputheshin me miratimin tonë të ngrohtë sikur ne të mos ishim në luftë me vendin, forcat e armatosura të cilit tani kanë pushtuar Shqipërinë…. Ata (Këshilli i Regjencës, R.K.), për më tepër, i kanë bërë thirrje të rinjve ta shmangin luftën civile dhe ta ruajnë të paprekur Shqipërinë, të cilën ata, të moshuarit në qeveri e kanë bërë, por të cilën ata, të rinjtë, do ta trashëgojnë nesër. Vërtet, këta të moshuar duhet të jenë në hall të madh kur shohin kaosin në të cilin e ka zhytur vendin lëvizja guerilë. Ata kishin lindur nën shtypjen e sundimit dekadent turk. Ata u rritën për të luftuar për pavarësinë, shumë prej tyre si vëllezrit Butka dhe i ndjeri Idhomen Kosturi me luftë guerrile, disa si Lef Nosi dhe i ndjeri Prenk Pasha i Mirditës me vite në burgim, internim dhe mërgim. Pasi u arrit Pavarësia, ata e kthyen fytyrën, muslimanët po aq sa dhe të krishterët, nga perëndimi dhe fituan, për veten e tyre dhe ndihmuan edhe brezin e ri të fitonte, njëfarë shkalle të qytetërimit perëndimor. Ata u ngazëllyen kur panë se qeveritë e tyre që erdhën njëra pas tjetrës ia hoqën popullit armët që shërbenin vetëm për të ruajtur barbarinë e tyre mesjetare. Tani ata shohin orën që kthehet mbrapsht drejt vitit 1920 ose dhe më herët, shohin armët përsëri në tokën e çdo burri, jetën e njeriut që nuk ka asnjë vlerë dhe anarkinë që vërshon nga të katër anët.

Ata do të ishin më pak se njerëz në qoftë se nuk do të pyesnin nëse përfitimi ndaj përpjekjeve luftarake të Aleatëve që vjen nga taktikat e pritave partizane (run-away tactics of the guerrillas) ia vlen për dëmin politik dhe ekonomik që i shkaktojnë ata vendit’”. (R. Hibbert, “Albania’s National Liberation Struggle, 1991, 64-65)

Hasluck-u qëndroi në Kajro kur zyra e saj “Forca 133” u transferua në Bari në prill të vitit 1944, por ajo mbajti lidhje të ngushta me seksionin shqiptar deri në fund të luftës. Në Kajro, nga maji 1943 deri sa dha dorëheqjen nga detyra në OSE në shkurt 1944, Hasluck-u punoi si asistente e shefit të Seksionit Philip Leake. Leake-u dinte pak për Shqipërinë, ndonëse ishte stërnipi i udhëtarit e albanologut të mirënjohur të shekullit XIX Colonel William Martin Leake (1777-1860) që kishte udhëtuar shumë nëpër Shqipërinë e jugut në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Philip Leake-u vdiq në moshën 38-vjeçare, më 1944, pak muaj para largimit të Hasluck-ut nga Kajroja.

Në verën e vitit 1945 Hasluck-u u diagnostikua me leucemi dhe shkoi nga Kajroja në Qipro me shpresë se do të përmirësohej në një klimë më të përshtatshme. Pikërisht në Qipro u informua për arrestimin e burgosjen e mikut të saj të ngushtë Lef Nosi për pjesëmarrje në Këshillin e Regjencës gjatë pushtimit gjerman. Ai kishte mundësi të ikte jashtë Shqipërisë, por nuk e ndërmori këtë hap. Po të kishte ikur, si Mit-hat Frashëri, ai nuk do të stigmatizohej nga kundërshtarët e tij politikë si kriminel e tradhtar, por (besoj) do të rehabilitohej në demokraci nga të gjithë, siç ndodhi me Mit-hat Frashërin. Gjatë pesë muajve që Lef Nosi u mbajt në hetuesi, Margaret Hasluck-u bëri përpjekje për ta shpëtuar.

Ajo i shkroi një letër Enver Hoxhës me lutje që t’ia falte jetën Lef Nosit, por askush nuk mori mundimin për t’i kthyer përgjigje kësaj gruaje të rrallë, aq më pak për t’ia falur jetën mikut të saj. Në letrën e saj ajo shkruante shqip fjalë për fjalë si më poshtë:

“Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhtoj….Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj lët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë.

Me nderime të nalta, shkëlqés

Margaret Hasluck d.v.”

Por më kot. Atje mëson lajmin e vdekjes së mikut të saj të ngushtë, Lef Nosi, ekzekutuar më 12 shkurt të vitit 1946. Sipas oficerit britanik Dejvid Smaili “Hasluck nuk e mori më veten pas zhgënjimit të madh që pësoi nga humbja e mikut të saj të ngushtë”. Më 1947 kur e pa qartë se gjendja e saj shëndetësore nuk përmirësohej më, pas disa ecejakeve të dëshpëruara Zvicër-Qipro për kurim, më në fund u largua nga Qiproja dhe u vendos në Dublin, ku, me kurajo të madhe dhe këmbëngulje, u përpoq të përfundonte librin e saj, të cilin synonte ta kishte historinë e parë të Shqipërisë në gjuhën angleze. E rraskapitur, më në fund iu dorëzua leucemisë më 18 tetor 1948 në Dublin dhe u varros në vendlindje pranë prindërve të saj në Dallas, Skoci. Në këtë kohë ajo i kishte mbaruar katër nga njëzet kapitujt si edhe skicën e detajuar të librit të saj, i cili u botua pas vdekjes në vitin 1954, me titullin “The Unwritten Law in Albania” (“Ligji i Pashkruar në Shqipëri”) nga Shtypshkronja e Universitetit të Kembrixhit me një Parathënie të ngjeshur nga antropologu i shquar dhe Profesori i Universitetit të Kembrixhit John Henry Hutton (1885-1968), i cili ishte dhe President i Institutit Antropologjik Mbretëror të Britanisë së Madhe dhe Irlandës.

Ky libër ishte rezultat i hulumtimeve disavjeçare të Hasluck-ut mbi mënyrën e jetesës dhe zakonet e fiseve të malësorëve të Shqipërisë së veriut, veçanërisht mbi mënyrën e ekzekutimit të gjakmarrjes si detyrim ritual, mbi rregullat e pashkruara për shpagimin, faljen dhe përfundimin e armiqësisë. Përveç gjakmarrjes, Hasluck-u trajton edhe ligjet që rregullojnë drejtimin e familjes dhe hierarkinë e fisit, ndarjen e pasurisë dhe trashëgiminë. Gjithashtu ajo tregon edhe rregullat e përcaktimit të kufijve të pronës, kullotave e staneve, dënimet e ndëshkimet për vjedhje e vrasje, format e lashta të betimit e besës, etj. Hasluck-u ka përshkruar gjithshka me qartësi të madhe e simpati të dukshme. Sipas Hutton-it, përshkrimet e saj “japin informacion të ri me interes të madh për etnologët dhe psikanalistët.”

Më 18 qershor 2010, për 125-vjetorin e lindjes së saj, Margaret Masson Hardie/Hasluck-u u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit” dhe një pllakë përkujtimore është vendosur në shtëpinë e saj të dikurshme. Nipi i saj John Donald Morrison Hardie (27.09.1927-04.08.2019) me disa pjesëtarë të tjerë të familjes Hardie morën pjesë në këtë ceremoni. Shtëpia me 12 dhoma që ajo ndërtoi me shpenzimet e saja më 1935 në Elbasan, gjatë viteve 1945-1990 u bë maternitet, kurse që nga viti 1991 është tashmë një jetimore [Kopështi Publik Nr. 17].

Më 1944 Margaret Hardie Hasluck-u u dekorua me medaljen MBE (Anëtar i Urdhrit të Perandorisë Britanike) për kontributin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

[1] David Smiley vdiq më 9 janar 2009. Në vitin 2012 u botua në shqip libri i David Smiley-t “Vitet shqiptare ’43-‘45” – Kujtimet dhe fotot e kolonelit anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore, 364 faqe, UET Press, me Parathënie nga Prof. Dr. Sali Berisha.