LAJMI I FUNDIT:

21 Janarit, sot mbrojtja jep konkluzionet

21 Janarit, sot mbrojtja jep konkluzionet

Zhvillohet sot në Gjykatën e Shkallës së Parë seanca gjyqësore për të akuzuarit e 21 Janarit ku pritet që mbrojtja të paraqesë konkluzionet e saj përfundimtare. Seanca zhvillohet një jave pas pretencës së Prokurorisë, e cila kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues.

Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.

E vetmja vrasje e pazbardhur e protestës së 21 Janarit është ajo e Aleks Nikës, për të cilën Prokuroria ka theksuar se është akoma në hetim.


Ndërkaq, ish-shefi i gardës Ndrea Prendi në seancën e kaluar gjyqësore nuk pranoi akuzat e Prokurorisë, duke hedhur dyshime mbi punën e organit të akuzës në hetimin e çështjes. Sipas Prendit mbi gardën është ushtruar presion nga ana e Prokurorisë gjatë fazës së hetimeve.

Ky proces gjyqësor i nisur dy vjet më parë po shkon drejt mbylljes së tij në Gjykatën e Shkallës së Parë ku pritet që kjo trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha të dalë me një vendim për dy të akuzuarit. /Telegrafi/