LAJMI I FUNDIT:

Lajçak tregon “shqetësimet e Vuçiqit” pas takimit me presidentin serb – thotë se zgjidhjet të gjenden në dialog

Lajçak tregon “shqetësimet e Vuçiqit” pas takimit me presidentin serb – thotë se zgjidhjet të gjenden në dialog

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka bërë një postim në rrjetet sociale në të cilin ka treguar rreth takimit të fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në postimin e tij, Lajçak, ka theksuar se në takimin për përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve, “Vuçiq ka ngritur shqetësime të forta për situatën e serbëve të Kosovës”.

“Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”, ka shkruar më tej Lajçak, përcjell Telegrafi.


Postim i tij vjen pak pasi presidenti serb kishte thënë se “në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohet publikut” dhe siç ka thënë ai, “do t’i deklarojë qartë kërkesat dhe masat kundër sulmeve ndaj serbëve në veri të Kosovës”.

Ai ka pretenduar se masat dhe kërkesat e propozuara do të jenë “serioze”, duke bërë të ditur se gjatë muajit tetor do të prezantojë “planin dhe masat për Kosovën” në Kuvendin e Serbisë.

Ai ka bërë të ditur se ka pasur “biseda dy orëshe, të ndara dhe të kombinuara” me Lajçak dhe me ambasadorin amerikan, Christopher Hill. /Telegrafi/