[tag_tagmanagerringier]a Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin - Telegrafi - Telegrafi Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin - Telegrafi
LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin

Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qeverinë për mos punë.

Sipas kreut të LDK-së, kryeministri ka dështuar në të gjitha fushat.

“Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomik të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.


Më tej ai ka shkruar se “jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit”.

“Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend. Kosova nuk po prodhon. Kosova nuk po krijon! Ky është rezultati i ekonomisë së Kurtit! Paaftësia kushton”, ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, as investime e as projekte të mëdha nuk ka. Kryetari i LDK-së ka shkruar se bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj.

“Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dinë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten. Sikur të kishim një qeveri që e kupton ekonominë, Kosova do ta reduktonte varësinë në import”, ka shkruar ai.

“Kosova meriton më mirë. Jemi pak muaj larg ndryshimit të madh. Me 9 shkurt do ta bëjmë këtë ndryshim të madh bashkë”, ka shkruar në fund Abdixhiku. /Telegrafi/