LAJMI I FUNDIT:

Brechti i panjohur: Kolazhet të cilat flasin për mënyrën se si ndikon fashizmi

I mahnitur nga gjestet ... Brechti i ri në Berlin

Nga: Philip Oltermann / The Guardian (titulli: Glued to Hitler: what Brecht’s overlooked collages tell us about how fascism takes hold)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Bertolt Brecht besonte se teatri thjesht nuk duhet të argëtojë audiencën, por t’i shtyjë ata të mendojnë politikisht. Për ta arritur këtë efekt – mendonte dramaturgu dhe poeti gjerman – drama nuk duhet të lëmohet, por të shkundet. Aktorët duhet të dalin nga karakteri, për t’iu drejtuar audiencës; fjalitë duhet të ndahen dhe të ndërpriten. Në një frazë të paharrueshme, e përshkroi dramën e tij ideale si dramë që mund të “ndahet në copa individuale, të cilat ende mbeten krejtësisht të afta për të jetuar”.

ANALFABETI POLITIK
Lexo po ashtu ANALFABETI POLITIK

Një ekspozitë e re në Raven Row në Londër tregon se sa i fjalëpërfjalshëm ishte autori i Operës për tri groshë, kur doli me atë përshkrim. Kuruar bashkë me Arkivin Bertolt Brecht në Berlin, brecht: fragmentet është ekspozita deri tash më e gjerë e materialit vizual të cilin dramaturgu e ka mbledhur gjatë karrierës së vet, që nga fotografitë e gazetave dhe revistave e deri te fotokopjet e pikturave mesjetare dhe imazhet nga teatri kinez.


Ditarët e kolazhit të cilat Brechti i krijoi – shumica e të cilëve nuk janë shfaqur kurrë më parë – u anashkaluan për shkak të mënyrës sesi vepra e Brechtit u arkivua në Gjermaninë Lindore socialiste ku ai jetoi nga viti 1949 e deri në vdekjen e tij më 1956 në moshën 58-vjeçare. Studiuesit që kërkuan materialet në një sallë leximi [në Robert-Koch-Platz] të Berlinit, kishin mundësi të shikonin vetëm fotografi me cilësi të ulët të këtyre imazheve, të cilat që të gjitha ishin kataloguar individualisht, jo si vepra arti të bëra bashkë.

“Si kopertinë e një disku postpank” … detaj në ditar nga shënimi i Brechtit për William Wordsworthin

“Nuk e keni idenë se gjithë ato ishin në të njëjtën fletë letre”, thotë Tom Kuhn, profesor i Kolegjit të Shën Hjuit në Oksford. “Konteksti i tyre plotësisht u shkatërrua”. Kuhn, i cili rreth 10 vjet më parë i zbuloi kolazhet dhe i cili është bashkëkurator i ekspozitës në Raven Row, u bind se këto fragmente të mbledhura, larg nga të qenit album, në vetvete përbëjnë një projekt të rëndësishëm artistik. “Shumë qartë janë të kompozuara”, thotë ai. “Nuk janë thjesht materiale të cilat synojnë të kontribuojnë për diçka tjetër”.

FËMIJËT LUAJNË LUFTASH
Lexo po ashtu FËMIJËT LUAJNË LUFTASH

Pas kaosit të Luftës së Parë Botërore, Republika e Vajmarit e Gjermanisë e kishte parë lindjen e kolazhit si formë arti, gjë që e cila u krijua nga njerëzit si Kurt Schwitters dhe Hannah Höch. Dy nga praktikuesit më politikë të saj, George Grosz dhe John Heartfield, ishin miq të Brechtit. Derisa montazhet e dramaturgut janë më pak dinamike, është e dukshme përpjekja për të sugjeruar kuptimin përmes ballafaqimit. Një hyrje në ditarin e tij në lidhje me poezinë e William Wordsworthit, Ajo ishte fantazma e kënaqësisë (një shpirt i qetë, dhe i ndritshëm / me diçka nga drita engjëllore) shoqërohet nga një fotografi e ushtarëve me maska ​​gazi. Duket si kopertinë e një disku postpank.

Në një album të madh, të njohur si BBA 1198, është një faqe me dy fotografi: njëra e Adolf Hitlerit që ngre grushtet lart nga kaptimi i zemërimit, dhe tjetra e një nxënësi biond, ende pa hyrë në pubertet, duke e bërë të njëjtin gjest. Krahasimi është çorientues. Kjo e bën Firerin të duket si fëmijë i prapë, i cili aktron, por gjithashtu tregon se sa e etur ishte Gjermania naziste për të imituar zemëratën e tij performuese: nxënësi i shkollës mban fjalim për çështjet aktuale. Gazeta e hapur përballë tij është një botim nazist.

Diktatorët si gangsterë … një prerje e fotografisë së Hitlerit i shtohet dorëshkrimit të Arturo Uisë, alegorisë së Brechtit për rrugën e Firerit drejt pushtetit

Në Gjermani, Brechti është dramaturgu më i interpretuar pas Shekspirit dhe dramaturgët kryesorë bënin roje përgjatë murit të katërt të cilin Bertolti e rrëzoi – në rast se dikush mendonte ta ngrinte përsëri. Diku tjetër, termi “brehtian” është bërë metodë për pothuajse çdo manovër teatrale që synon të politizojë audiencën.

LUFTA QÍ PO VJEN
Lexo po ashtu LUFTA QÍ PO VJEN

Kjo ekspozitë ndihet si antidot freskues për gjithë atë pikëpamje të Brechtit, duke zbuluar një version më të papërpunuar, më pank të shkrimtarit. Në mënyrë të duhur, do të ketë dy herë në ditë shfaqje të fragmenteve nga dramat e tij eksperimentale – të papërfunduara, jo nga ato klasiket. Mjetet brehtiane që përmbajnë janë ende ide të papërpunuara dhe jo teknika të arritura.

Ajo që është e qartë nga fotografitë e mbledhura nga Brechti është se ai ishte i magjepsur nga gjestet – dhe se si ato mund të përdoreshin dhe të abuzoheshin. Shohim njerëz që lypin ushqim, ushtarët që përqafojnë më të dashurit përpara se të niseshin për në front. Hitleri shfaqet gjithashtu përkrah kryebashkiakut të korruptuar të Nju-Jorkut, Jimmy Walker: të dy ngrenë gishtat në të njëjtën mënyrë; dy liderë mashtrues që shikuesve ua ofrojnë sinqeritetin e tyre.

Brechti dhe një nga dashuritë më të mëdha e më tragjike të jetës së tij
Lexo po ashtu Brechti dhe një nga dashuritë më të mëdha e më tragjike të jetës së tij

Shumica e imazheve në Raven Row u gjetën dhe u mblodhën gjatë viteve të mërgimit të Brechtit. Nga frika e persekutimit, socialisti i përkushtuar u largua nga Gjermania më 28 shkurt 1933, një ditë pas zjarrit të Rajhstagut. Në kohën kur nazistët dogjën librat e tij, Brechti dhe familja e tij tashmë ishin strehuar në një ishull danez në detin verior, nga ku përfundimisht arrin në ShBA. Në Kaliforni, Brechti u përpoq të bëhej skenarist i Hollivudit. Megjithëse e shkroi [skenarin për filmin] Xhelati po ashtu vdesë – regjinë e të cilit u bëri bashkë-mërgimtari i tij Fritz Lang – ai kishte vështirësi për të depërtuar në industri.

Krahasimi çorientues … nxënësi imiton zemërimin performativ të Hitlerit

Megjithatë, edhe pse Brechti iki larg nga shtëpia, fotomontazhet e tij sugjerojnë se ngritja e fashizmit nuk ishte kurrë larg mendimeve të tij – veçanërisht se si kaq shumë kishte infektuar politikën gjermane. Duke pasur parasysh statusin e Brechtit si ungjilltar të teatrit politik, ia vlen të pyesim se sa e mprehtë duket sot analiza e tij.

Opera për tri groshë, shfaqja e tij kryesore, kishte eksploruar paralelet midis botës së krimit të zymtë të Londrës dhe përpjekjet kapitaliste të bankierëve të qytetit. E zgjeroi atë analogji në Ngritjen e rezistueshme të Arturo Uisë të vitit 1941, në lidhje me rrugën drejt pushtetit të cilin merr mafiozi i konceptuar si një Hitler i Çikagos (dhe shantazhi i lulelakrës). Fashizmi paraqitet si sipërmarrje kriminale, por edhe kapitaliste.

Talenti i Brechtit … për të fyer!
Lexo po ashtu Talenti i Brechtit … për të fyer!

Ekspozita në Raven Row përfshin shkrimin e veçantë me makinë të shfaqjes të ilustruar me 24 fotografi, përfshirë një fotomontazh që vë përballë imazhet e lajmeve të gangsterëve – dhe funeralet e mafiozëve – me të shtënat e Hitlerit dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Imazhi më i jashtëzakonshëm nga ky zbulim i arkivit është sa i zymtë aq edhe i thjeshtë: një faqe shkrimi e Arturo Uisë me një prerje të ngjitur të Hitlerit që duket sikur qëndron në një cep të Pesë Pikave të Manhatanit të Poshtëm, me duart futur në xhepat e pantallonave.

Teza e diktatorëve si gangsterë është gjithashtu në të gjithë albumin BBA 1198. Një faqe tërheq paralele me romantizimin e medias për [çiftin e kriminelëve] Bonnie dhe Clyde (Nëna thotë se vajza e mirë Bonnie e mori të mbrapshtën, lexohet në titullin e prerë nga Brechti). Një tjetër, nga një botim nazist, portretizon Hitlerin dhe Goebbelsin si mirëdashës të refuzuar. Kjo tezë është ruajtur jashtëzakonisht mirë. Nëse Brechti do t’i bënte këto albume sot, do t’i imagjinonit të mbushura me gjestet që Donald Trump bën me ato duar të vogla, me titujt që citojnë thëniet e tij të stilit mafioz, për të mos përmendur goditjen kërcënuese të ish-presidentit amerikan pas aktakuzës ndaj tij më 2023 në Atlantë. Vëllimet e tjera mund të mbushen me pozat e pushtetit të Vladimir Putinit me gjoksin e zhveshur mbi kalë.

Mashtrimi … kryetari i Nju-Jorkut, Jimmy Walker, ballafaqohet me Hitlerin

Por, analiza e fashizmit si “forma më e zhveshur, më e paturpshme, më shtypëse dhe më e pabesë e kapitalizmit”, siç tha Brecht më 1935, ka ca të meta. Siç shkroi filozofja gjermano-amerikane Hannah Arendt – admiruese e dramave dhe poezisë së Brehtit – për politikën e tij: nëse e kuptoni fashizmin si asgjë më shumë sesa një vazhdimësi të luftës së klasave, përfundoni duke nënçmuar racizmin si thelb të tij. Persekutimi racor në një interpretim të tillë nuk bëhet asgjë tjetër veçse taktikë diversioni për të kanalizuar zemërimin proletar, një “iluzion optik”.

Megjithatë, thotë Kuhn, “Brechti i qëndroi me vendosmëri interpretimit të tij të fashizmit dhe ne mund ta lexojmë krejtësisht si një kufizim të analizës së tij politike. Shkroi shumë për racizmin, por e nënvlerësoi qendrën e antisemitizmit në nacional-socializëm”.

Kur pas përfundimit të luftës Brechti u kthye në Berlinin Lindor dhe themeloi teatrin e Ansamblit Berliner, u përplas me Partinë e Unitetit Socialist në pushtet dhe me aparatçikët që kishte vënë në krye të institucioneve kulturore. Por, kryesisht mbeti çështje private kritika e tij ndaj stalinizmit dhe Bashkimit Sovjetik. Poezia e tij e cituar më shpesh, e cila tallte reagimin e partisë ndaj kryengritjes së punëtorëve të vitit 1953, përmbante vargun: A nuk do të ishte punë më e thjeshtë nëse qeveria shpërndan popullin dhe zgjedh një tjetër? Nuk u botua deri pas vdekjes së tij.

Pikërisht për shkak se Brechti arriti të thoshte kaq shumë me kaq pak gjëra në fotomontazhet e veta, njëra bie në sy në BBA 1198. Këtu ka mbledhur pesë fotografi të Leninit dhe Stalinit, por nuk ka asnjë përballje, asnjë bisedë të dukshme midis imazheve. Duket sikur njeriu që e ktheu teatrin në eksperiencë të përfshirjes politike, për pak kohë ia lejoi vetes të ndalonte së menduari. /Telegrafi/

Brehti dhe doktrina mbi mosnënshtrimin karshi emocioneve
Lexo po ashtu Brehti dhe doktrina mbi mosnënshtrimin karshi emocioneve

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori