Nga: Lea Ypi / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Në një botë tjetër të mundshme, ndoshta më të parashikueshme sesa kjo botë në të cilën ne sot jetojmë, në vend që të merrja turr për çdo mëngjes për t’i kontrolluar lajmet e fundit mbi luftën e Rusisë në Ukrainë, rregullisht do ta ndiqja parashikimin e motit. Me padurim do ta prisja udhëtimin prej kohësh të planifikuar për në Kaliningrad, për të marrë pjesë në festën e ditëlindjes së filozofit tim të preferuar dhe, me sa duket, edhe të një prej të preferuarve të Vladimir Putinit: Immanuel Kant. Fluturimi për në Moskë dhe udhëtimi brenda vendit u rezervua për fund të këtij muaji dhe, në mënyrë joromantike, jokritike – disi e papërshtatshme për një kantiane – isha duke ëndërruar për shkuarjen time.
Mos duhet të tentoj të imitoj shëtitjen legjendare të pasdites së Kantit nëpër qytetin e atëhershëm prusian – duke e përshtatur kohën time që të përkojë me të tijën, siç thuhet se kanë bërë banorët e Kënisbergut? A duhet të shkoj drejt qendrës së qytetit, në përpjekjen për të gjetur të famshmet “shtatë urat e Kënisbergut” – problemin matematikor të analizuar nga Leonhard Euleri i cili i vuri themelet e teorisë së grafikonëve? Mos duhet të ndalem për një selfi në brigjet e lumit Pregolja (dikur Pregel)? Apo, duhet të tentoj të vizitoj katedralen gotike të shekullit XIV?
Mbase më vonë. Sa për mua, vendi më i rëndësishëm i Kaliningradit është varri modest i Kantit.
“Immanuel Kant / 1724-1804 / Filozof i shquar idealist borgjez. Lindi, jetoi pa u larguar dhe vdiq në Kënisberg”, thuhej në një pllakë të epokës sovjetike, e cila u vendos aty pak pas vitit 1947 – kur varri çuditërisht shpëtoi nga prishja. Në atë kohë, Kaliningradi – i cili gjatë luftës ishte bombarduar nga britanikët dhe nga sovjetikët – i nënshtrohej rindërtimit të pasluftës, me planet për ta kthyer në një qytet të marketingut sovjetik, të mbushur me statujat e Stalinit dhe me blloqet ndërtuara si me Lego.
Varri i Kantit shpëtoi nga ndërhyrja e mrekullueshme e VV Lyubimovit (me shumë gjasë, emër i rremë) i cili i shkroi Izvestia-s, gazetës zyrtare të qeverisë, për të paralajmëruar autoritetet për rrezikun e afërt për varrin e filozofit. Kanti, donte t’ua përkujtonte ai, ishte cituar me respekt në Dialektikën e natyrës të Friedrich Engelsit, i cili e vlerësoi “veprën epokale” të Kantit për thyerjen e pikëpamjes “së ngurtësuar” teologjike të natyrës. Në një rast të rrallë të reagimit ndaj demokracisë nga poshtë, komiteti për lokacionet kulturore i Këshillit të Ministrave, vendosi të ruante varrin e Kantit dhe, për pasojë, edhe katedralen ku gjendej.
Që atëherë, mënyra se si autoritetet dhe publiku i gjerë angazhohen për Kantin dhe për mendimin e tij, se si debatojnë, përvetësojnë – dhe në një farë mase e shtrembërojnë – trashëgiminë e tij, ka ofruar një thjerrëz interesante përmes së cilës mund të hulumtohen disa nga tensionet më të gjera të marrëdhënieve të Rusisë me Evropën, si dhe raporti i Evropës me vetveten.
Në fillim të korrikut 2005, në prag të 750-vjetorit të Kaliningrad-Kënisbergut, universiteti lokal merr emrin Immanuel Kant. Të pranishëm ishin presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelari gjerman Gerhard Schröder. Pati fjalime entuziaste dhe shtrëngime të forta të duarve. Kaliningradi, tha Schröderi, “tashti është qyteti më perëndimor i Federatës Ruse” dhe megjithëse kjo për disa ende “është e dhimbshme, është pjesë e historisë”. Qyteti kishte “shans të vërtetë për t’u bërë metropol i vërtetë evropian, duke kapërcyer kufijtë që janë vizatuar”.
Duke e nënshtruar të kaluarën tragjike ndaj të ardhmes më shpresëdhënëse, mund të dëgjoheshin jehonat e tezës së vjetër të tregtisë “së ëmbël” [Doux commerce]: tregtia si parakusht për paqen e qëndrueshme. Në Kaliningrad/Kënisberg u thirrën te gjenialiteti dhe fryma e Kantit për ta vulosur atë bashkim të veçantë të arsyes gjermane dhe të pasionit rus – që më vonë u bë i njohur si Rrjedha e Veriut 1 dhe 2 [Nord Stream].
Kohët e fundit, një dekret presidencial i nënshkruar nga Putini urdhëroi përgatitjet për 300-vjetorin e Kantit. Një ueb-faqe e dedikuar për këtë, ende thotë: “Studiuesit e nderuar do të mblidhen në qytetin ku profesor Kanti lindi, jetoi, punoi dhe tani prehet, për të diskutuar mbi trashëgiminë e filozofit, ndikimin e ideve të tij në përparimin e shkencës dhe të shoqërisë moderne”.
Jam njëra prej këtyre studiuesve. Ose, më saktë isha. Në shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën dhe konferenca ndërkombëtare në të cilën do të merrja pjesë – mbledhja më e madhe e studiuesve të Kantit në botë – u zhvendos në Gjermani. Faqja e internetit për këtë ngjarje (tani e përditësuar) e dënoi luftën e agresionit të Rusisë, duke shpjeguar se vendimi për të mos udhëtuar në Kaliningrad u ndryshua me “supozimin e arsyeshëm” se kongresi “vepronte në interes të anëtarëve të vet dhe të qëllimit të shoqatës”.
Kohët e fundit u angazhova në një tjetër eksperiment mendimi. A do ta anulonte Kanti kongresin në Kaliningrad? Duket e pamundur, duke gjykuar reagimin ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër vendit të tij – në fund të Luftës Shtatëvjeçare.
Edhe pse Kanti ishte i pari që doli me përkufizimin e Iluminizmit të përthekuar në moton “Sapere aude!” (“Guxo për bindjet tua”), filozofi i shquar i shekullit XVIII dhe autori i Kritikës së arsyes së pastër nuk ishte i njohur për aktet e veta të guximit personal. Më 1757, Kënisbergu ishte nën pushtimin rus dhe Kanti i shkroi perandoreshës Elizaveta duke premtuar besnikërinë e tij ndaj saj. Në rastin e tradhtisë, tha ai, “do të informoj menjëherë autoritetet, por edhe do të përpiqem të kundërshtoj veprën”. Atëherë kishte mbetur një vend i zbrazët [në universitet] në logjikë dhe metafizikë, ndërsa Kanti kishte nevojë për mbështetjen e autoriteteve (dështoi).
Dashuria për kombin nuk duhet të sakrifikohet kurrë për një karrige të rëndomtë në universitet, mund të thonë disa. Megjithatë, qyqarllëku mund të mos jenë shpjegimi i vetëm për mospërputhjen midis përmbajtjes radikale të shkrimit të Kantit dhe sjelljes së tij më të moderuar personale. Arsyeja më e thellë qëndron te kërkesat politike të teorisë së tij të lirisë.
Të jesh i lirë, në kuptimin kantian, do të thotë të jesh në gjendje të krijosh një distancë kritike nga pasionet dhe prirjet e tua dhe të pyesësh veten nëse ato kontribuojnë në mendimin e “iluminuar”: dalja, siç thotë Kanti, nga “vetëdëmtimi i papjekurisë së njerëzimit”. Procesi i iluminizmit mbështetet në tri maksima: të mendosh për veten, të mendosh duke e vënë veten në vendin e gjithë të tjerëve, dhe gjithmonë dhe vazhdimisht të mendosh. Këto maksima, besonte ai, mund të avancoheshin përmes “përdorimit publik të arsyes”, një modus operandi që në thelb është i ndryshëm nga përdorimi “privat” që bëjnë njerëzit në profesionet e veta (le të themi si studentë, mësues, mjekë, politikanë, avokatë ose menaxherë të pronave). Teksa kjo e fundit është bërë premisë në pranimin e autoritetit, e para kërkon angazhimin pluralist, të paanshëm dhe kritik.
Është e vështirë të ndërlidhesh me aspiratat e Kantit në një epokë si e jona, ku shpirti publik vazhdimisht kërcënohet nga përplasjet mes interesave private. Mënyra jonë e komunikimit është më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse sesa në shekullin XVIII (për shembull, pjesëmarrja politike nuk kufizohet më formalisht vetëm te zotëruesit e pronave), por gjithashtu është më e cekët, më e sigurt në vetvete dhe më pak kritike. Mospajtimi manifestohet më shumë në aktet e zhurmshme të vetëshprehjes individuale (mundësisht të regjistruara në një telefon celular) dhe më pak në angazhimin kritik kolektiv.
Ashtu si ne, Kanti jetoi në një epokë krize që shquhej nga përparimet e mëdha në shkencë dhe në teknologji, por me një kolaps në vlera. Megjithatë, ai e krijoi rolin për arsyen si një kapacitet komunikues universal i cili përpiqet të drejtojë rrugën e mesme midis skepticizmit dhe dogmatizmit: midis besimit në asgjë dhe ndjekjes së verbër të trendëve. Ky koncept i arsyes duket më i vështirë për t’u ringjallur në shoqëritë tona të cilat ngufaten përderisa janë midis interesave shkatërrimtare dhe individualizimit në angazhimin politik.
Më 12 shkurt 2024, pothuajse dy vjet pasi Rusia pushtoi Ukrainën, guvernatori i Kaliningradit, Anton Alikhanov, në një konferencë deklaroi se përgjegjësia për luftën e fundit nuk i takonte askujt tjetër përveçse filozofit iluminist. Kanti, theksoi Alikhanovi, kishte “marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kaosin global, me riorganizimin global me të cilin tash po përballemi”; veprat e tij kontribuuan në një “situatë sociale dhe kulturore” në të cilën “Perëndimi ka shkelur të gjitha marrëveshjet që ishin arritur”.
Nuk ishte hera e parë që Kanti tërhoqi zemërimin e nacionalistëve rusë. Në dhjetor 2018, kur qeveria e kreu një sondazh në internet për të riemërtuar aeroportin e Kaliningradit, Kanti ishte i preferuari – derisa një fushatë e shpifjes që e akuzonte si “rusofob” nuk çoi në dëmtimin e statujës së tij, me ngjyrën e hedhur mbi varrin e tij, si dhe me shkatërrimin e një pllake përkujtimore që shënonte vendin ku kishte jetuar.
Megjithatë, këtë herë kishte ironi tragjike në fjalët e Alikhanovit se Kanti kishte “lidhje të drejtpërdrejtë me konfliktin ushtarak në Ukrainë”. Kanti, në fund të fundit, njihet më shumë si autori i një prej eseve më të famshme kundër luftës, të shkruara ndonjëherë në historinë e filozofisë: Drejt paqes së përhershme, botuar më 1795. Teksa konfliktet shkatërrimtare kërcënojnë të zgjerojnë shtrirjen e vet, nga Rusia/ Ukraina në Evropë dhe nga Izraeli/Palestina në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme, rileximi i Kantit rezulton të jetë problematik, por ndoshta edhe i dobishëm.
Vetë titulli i esesë është frymëzuar nga shkrimi i gdhendur satirik në tabelën e një hanxhiu holandez, ku “paqja e përhershme” i referohej qetësisë së “varrezave”. Natyrisht, ai kurrë nuk dinte për kërcënimet bërthamore. Megjithatë, ka jehonë të frikshme paralajmërimi i tij se “një luftë shfarosëse në të cilën asgjësimi i njëkohshëm i të dyja palëve … do të lejonte që paqja e përhershme të arrinte vetëm në varrezat e mëdha të racës njerëzore”.
Vetë eseja merr formën e një traktati ideal të paqes, që përmban një sërë artikujsh për të arritur jo vetëm te ndërprerja e përkohshme e armiqësive, por deri te fundi i luftës – njëherë e përgjithmonë. Kanti kritikon lehtësinë me të cilën shtetet kontraktojnë borxhin, me qëllim të financimit e luftës. Borxhi, sugjeron ai, është legjitim për projektet paqësore, por kur bëhet fjalë për konfliktet ndërkombëtare, paraja ka “fuqi të rrezikshme” sepse “e kombinuar me prirjen e politikanëve për të luftuar”, ajo e “shton lehtësinë për ta bërë këtë”.
Paragrafët më të njohur të esesë së Kantit mbi paqen e përhershme, janë ato që sugjerojnë se si të drejtat e kombeve duhet të bazohen në një “federalizëm midis shteteve të lira”. Propozimi i Kantit synonte të trajtonte sfidën që mundonte Evropën, pasi dekreti i “paqes së përjetshme” i miratuar në Kuvendin e Vormsit [Reichstag zu Worms] në vitin 1495, kishte çuar në ndalimin e grindjeve të zakonshme private në Mesjetë. Cili ishte qëllimi i përdorimit të fuqisë shtrënguese të shtetit për të garantuar paqen e brendshme, nëse siguria e qytetarëve kërcënohej vazhdimisht nga lufta ndërkombëtare? Si duhet të trajtohet lufta midis njësive më të mëdha të cilat tani kishin monopol mbi përdorimin e forcës?
I frymëzuar nga përpjekjet e paraardhësve të vet, duke përfshirë propozimin e bërë nga Abbé de Saint Pierre për një federatë të shteteve evropiane që përfshin edhe Rusinë, projekti i Kantit ishte ndoshta më ambiciozi. Filozofi prusian këmbënguli se kategoritë standarde të shekullit XVIII për të drejtën private, publike dhe ndërkombëtare, duhet të plotësohen me një të re të cilën ai e quajti “e drejta kozmopolite”.
I bazuar në zotërimin e përbashkët fillestar të tokës nga qeniet njerëzore, kozmopolitanizmi i Kantit përfshin njohjen e një “të drejte” për të shkuar kudo – pa u trajtuar me armiqësi. Ai gjithashtu specifikon se meqenëse ndërveprimi global tani ka shkuar aq larg saqë “shkelja e së drejtës në një vend të Tokës ndihet kudo tjetër”, koncepti i kozmopolitizmit nuk është çështje etike, por çështje politike. Duke qenë se janë të ndërvarura e drejta private, publike, ndërkombëtare dhe kozmopolite, kur njëra prej tyre vihet në dyshim atëherë shembet edhe pjesa tjetër.
Kanti ishte pacifist, por nuk ishte naiv. Në një ese të njohur të shkruar në vitin 1943, të quajtur E ardhmja e pacifizmit, filozofi britanik Bertrand Russell bëri dallime midis versioneve absolute dhe relative të qëndrimit. I pari, sugjeroi Russell, është argumenti se “në të gjitha rrethanat është gjë e gabuar të marrësh jetën e njeriut”. Kjo e fundit, nga ana tjetër, konsiston në qëndrimin se “të këqijat e luftës janë pothuajse gjithmonë më të mëdha sesa duken – për popullsinë entuziaste – në momentin kur lufta shpërthen”; dhe, derisa disa luftëra ia vlenin të bëheshin – në rastet si Lufta e Parë Botërore – “të këqijat që rezultuan” ishin më të mëdha sesa të këqijat e bërjes së lëshimeve të nevojshme për të shmangur luftën.
Sistemi i Kantit reziston ndaj llogaritjeve të këtij lloji: pacifizmi i tij ka të bëjë më shumë me parimet sesa me pasojat. Megjithatë, si për Kantin ashtu edhe për Russellin, pacifizmi nuk e përbën pozicionin e “kthimit të faqes tjetër” të etërve të hershëm të Kishës, si reagim ndaj së cilës u zhvillua tradita e Luftës së Drejtë. Për avokatët e Luftës së Drejtë, kthimi i faqes tjetër kishte kuptim vetëm në rastin e dhunës ndaj individëve, jo të sulmit si reagim ndaj një grupi të tërë të njerëzve të pafajshëm. Siç shprehet Agustini, kampioni i hershëm i Luftës së Drejtë, “është padrejtësia e palës kundërshtare ajo që njeriut të mençur ia ngarkon detyrën për të bërë luftë të drejtë”.
Ky pozicioni ishte po aq i spikatur midis juristëve të shekullit XVIII, po aq sa duket se është midis politikanëve liberalë të shekullit XXI. Në përgjigje të kësaj, lloji i pacifizmit që Kanti propozoi (dhe që frymëzoi Russellin) ishte pjesë e një argumenti politik. Pacifistët janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet e zbutjes së qëndrimeve [appeasement] dhe për argumentin se qëndrimi pacifist rrezikon të inkurajojë agresionet e mëtejshme. Ajo që përpiqen të nxjerrin në pah është rreziku i përshkallëzimit dhe rariteti historik i luftërave të cilat përfundojnë me fitoren totale të vetëm njërës palë.
Eseja e Kantit mbi paqen e përhershme përmendet shpeshherë si frymëzim për Bashkimin Evropian: projekt i lindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore ku ish-armiqtë e përjetshëm u bashkuan në angazhimin e përbashkët ndaj institucioneve paqësore. Me gjithë kufizimet, thelbësore ka qenë jo vetëm që politika e Evropës Perëndimore të largohet nga nacionalizmi vëllavrasës, por edhe që shtetet e zhgënjyera të luftojnë për pajtimin me të kaluarën komuniste.
Kohët e fundit Evropa është bërë vend ku përplasja midis së mirës dhe së keqes kërkohet në mënyrë rutinore për të justifikuar aktet e brutalitetit të papërgjegjshëm, dhe ku daullet e luftës dëgjohen gjithnjë e më fort. Derisa qeveritë anembanë botës e gjejnë përsëri veten në një garë armatimi, në qiell po shkojnë aksionet e tregut të industrisë ushtarake.
Metaforat luftarake janë kudo: disa i gjejnë te armiqtë brenda kufijve të Evropës, duke nxitur spektrin e kërcënimit të emigrantëve ndaj vlerave tradicionale, ndërkohë që mbrojnë hapur dëbimin e azilkërkuese jashtë vendit. Të tjerët llogarisin në perspektivën e armiqve të jashtëm, duke na nxitur që të “përgatitemi mendërisht” për një “epokë të paraluftës” – siç paralajmëroi së fundmi kryeministri polak Donald Tusk. Ndërkohë, ata që mbrojnë kompromisin dhe nuancat janë të ekspozuar ndaj talljeve dhe përbuzjeve – në rastin më të mirë – ndërsa në rastin më të keq ndaj censurës dhe shtypjes.
Asgjë nuk shmanget më shumë nga fryma e Kantit, sesa mënyra dogmatike në të cilën na kërkohet ta pranojmë luftën në të gjitha format e saj: politike, sociale, kulturore. Ndoshta këtu qëndron rreziku. Ndoshta lufta bëhet në mendje, para se të zbresë në tokë. Ndoshta bindemi se e mira dhe e keqja janë të dukshme, se e drejta duhet të mbizotërojë dhe e gabuara do të ndëshkohet, se lufta – në botën e ideve, në politikë, në kufijtë tanë, në front – është e vetmja rrugë që kemi para.
Në një botë tjetër të mundshme, do të kisha udhëtuar në Kaliningrad. Do të kisha shkuar, sepse jam dakord me Kantin se të vetmet istikame të cilave duhet t’ju bashkohemi, janë ato të arsyes. Siç insiston njëri prej artikujve të Paqes së përhershme, edhe në mes të ekseseve më të këqija duhet të ruhet njëfarë besimi në humanizmin e armikut. Nëse Kanti ka diçka për të na mësuar 300 vjet pas lindjes së vet, është se kur ndjekja e fitores së plotë rrezikon të çojë në zhdukje të plotë, përshkallëzimi gjithmonë është katastrofë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje