LAJMI I FUNDIT:

Të lirë – atëherë kur dijmë sa s’dijmë, kur dojmë sa s’dojmë

Të lirë – atëherë kur dijmë sa s’dijmë, kur dojmë sa s’dojmë

– Për veprën “Të lirë” të Lea Ypit dhe për shqiptarët e rritur e të mbetur në fund të pusit të historisë –

Miku im, studiuesi Dauti Dauti, e kishte lexuar në dorëshkrim – ende pa u botuar nga shtëpia prestigjioze “Penguin Books” – veprën “Free” (Të lirë) të Lea Ypit. “Më ka mahnitur”, më tha Dauti. Ndaj, isha i lumtur që Telegrafi e botoi recensionin e tij, ndër të parët, për këtë vepër që shpejtë do të jetë gati në 17 (apo më shumë) gjuhë tjera.


E bleva librin e Ypit, kopjen e fundit te “Adrioni” në Tiranë. Mendoja ta lexoja pas veprës “Kosova: Preludi i luftës, 1966-1999” të profesoreshës Mary Motesi, që kishte ligjëruar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në vitet 1966-1971 dhe në vitet 1974-1976. Kjo sepse më duhet për një libër që po e shkruaj, dhe sepse nga të huajt më mirë e më lehtë i mësojmë gjërat që kanë ndodhur mes nesh.

Mirëpo, ishin kritikat për veprën e Ypit shkaku pse ndërrova mendje; pse e ndryshova “agjendën” time të leximit.

E njëjta më kishte ndodhur në vitin 2008, me veprën “Skënderbeu” të Oliver Jens Schmittit, ku autori synonte të vërtetonte se “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit nuk është fiksion siç pretendojnë disa në Perëndim. Mirëpo, autori shahej. Për një studim të jashtëzakonshëm që u bënte nder shqiptarëve, “kritikët” shpreheshin se bazohet vetëm në arkiva të Serbisë! Se Schmitti gënjen! Se është libër antishqiptar etj.! Siç thotë sot Lea Ypi për “kritikët” e sojit të njëjtë: nëse vazhdoni t’i përsërisni lajmet e rreme, pothuajse bëhen lajme të vërteta dhe pastaj shkatërrohet kritika konstruktive. Në fakt, nuk kishte kritikë për “Skënderbeun” e Schmittit. Kishte vetëm mohim e refuzim. “Ti po dyshon se unë nuk e kam lexuar?”, ishte reagimi që vinte, kur insistoja të dija se ku bazohet kritika. E vërteta është se shumica e këtyre “kritikëve” nuk e kishin lexuar këtë vepër. Por, nuk përtonin të flisnin për të! Ndaj, debati ishte i pamundur me ta. Ishte humbje kohe dhe nervash. Gjithçka ngjante me skeçin “Klinika e argumentimit (debatit)” e trupës Monty Python’s Flying Circus. “Argumenti është proces intelektual. Kontradikta është mohim i çdo deklarate që jep personi tjetër”, thotë karakteri që luhej nga Michael Palin. “Jo, nuk është”, reagon shpejt karakteri që luhej nga John Cleese.

Lea Ypi sot “kritikohet” nga “redaktorët” e vetëshpallur se gjoja nuk i vuri në pah krimet e komunizmit (ato dëshmohen nëse merret parasysh e kaluara e familjes së saj, shumë nga të cilët u internuan, u burgosën, bënë vetëvrasje apo u çmendën)?! Pse nuk e përmendi Kosovën në asnjë rresht (fakti që nuk e përmendi tregon se ai pushtet nuk e trajtonte Kosovën si problem etnik po si problem të proletariatit botëror, ku Shqipëria ia kishte vënë vetes rolin prijës për “vetëdijesimin” e botës, gjë që në një mënyrë theksohet në libër)?! Pse i bëri apologji komunizmit (me rënien e komunizmit përmendet shpresa)?! Pse ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama – me shumë ministra të tij – në promovim e librit të saj në Tiranë (të cilin kryeministër disa herë e ka kritikuar)? …

Këto “kritika” ma kujtojnë thelbin e inatit ndaj Schmittit, diçka që prekte sedrën e “studiuesve” shqiptarë. Schmitt ka shkruar se në Shqipërinë komuniste, luftës së Skënderbeut i jepej karakteri i luftërave klasore; se kur ua merrte tokat fisnikëve tjerë, ai në një mënyrë ka bërë kolektivizim (“Kolektivizimi” – fjala e vetme ku Lea Ypi ngeci si pesëvjeçare, teksa përkthente një fjali të Enver Hoxhës nga gjuha frënge, si test për t’ia mundësuar shkollimin në atë moshë). Ndërkaq, në Kosovë shkruhej se Skënderbeu luftonte përkrah bashkëluftëtarëve të kombeve e kombësive tjera në Jugosllavi; se ishte “titist” – mbështetës i vëllazërim-bashkimit.

Ypin pra e kritikojnë sepse, ajo, si studiuese e mirëfilltë, na bën me dije se Karl Marxi nuk është kuptuar kurrë. E ka thënë edhe Vladimir Iliq Lenini, se as ai e asnjë tjetër prej bartësve të Revolucionit të Tetorit më 1917, nuk e kanë kuptuar Marxin. Atë s’e kanë kuptuar as Enver Hoxha e as marksist-leninistët e Kosovës që përshëndeteshin me grusht deri më 1999; s’e kuptojnë as majtistët e sotshëm në pushtet – as Edi Rama e as Albin Kurti. Prandaj, Shqipëria u fut e papërgatitur në monizëm; u fut e papërgatitur në pluralizëm. Dallkaukët morën pushtetin më 1944, të njëjtët – që kërkonin hua një palë çorape të zeza, nga babai i saj – bëhen pishtarë të “demokracisë” dhe milionerë (shtypës) të rinj. Nëse me shtetin dikur karakterizohej shtypja, shtypja nuk u ndal nga të fuqishmit e “demokracisë” – nga shteti që lirinë e shndërroi në sallamadi. Lea Ypi nuk ishte e lirë në diktaturë, por nuk ishte e lirë as në “demokraci” përderisa nuk guxonte të dilte jashtë kur errësohej, sepse me terrin sundonin rrugaçët. Kjo gjendje e rëndonte sidomos gjatë stinës së dimrit, kur rrinte e ngujuar në shtëpi, me orë të tëra pa rrymë. Aq më pak mund të dilte gjatë trazirave të vitit 1997, kohë kjo kur nuk guxonte as të flinte pranë dritares.

E, cila është e vërteta që prek në këtë rast sedrën e shumë shqiptarëve?

“Për gjysmë shekulli kishim qenë pjesë e një strukture bashkëpunimi dhe shtypjeje, me role që tani e tutje do të ndryshonin rrënjësisht, ndërsa aktorët në skenë mbeteshin po ata”, shkruan Ypi. Ajo thotë se nuk e di nëse klasat punëtore që parakaluan më 1 Maj 1990 ishin po ato turma që protestonin në fillim të dhjetorit të po të njëjtit vit. Por, të njëjtët ishin. Shumica që e amnistojnë veten duke ia vënë fajin vetëm një njeriu, Enver Hoxhës, e duke mohuar se ishin pjesë e atij regjimi, qoftë me indiferencë apo si argatë. Ndaj gjërat nuk shkojnë për së mbari kur njerëzit e gabuar shtyjnë para “ndryshimin”. Viti i Ri 1991 ngjan me jetën e Kostandinit të Madh. Ai e lejoi besimin e krishterë në Perandorinë Romake. Por, nuk u pagëzua. I mbushur me mëkate, përfshirë vrasjen e të birit, donte të pagëzohej në shtratin e vdekjes, që të jetë i rilindur, njeri tjetër, pa asnjë mëkat, i gatshëm për Parajsë. Kështu, çdo “aureolë” shpëtimi që propagandohet nga politika shqiptare, është veçse “aureolë” për pushtet që shqiptarin nuk e lë të lirë.

Vepra “Të lirë” është roman autobiografik. Futet te zhanri “Bildungsroman” që sipas përkufizimit përqendrohet te zhvillimi psikologjik e moral, që nga fëmijëria deri në moshë madhore. Është i ndarë në dy pjesë, me 22 kapituj, duke mos përfshirë këtu “Epilogun”. Në “Epilog” autorja i tregon arsyet që e kanë shtyrë për ta shkruar këtë libër. Tregon se kur e ligjëron Marxin në prestigjiozen London School of Economics (jo vetëm veprat, por edhe ligjëratat e saj zgjojnë kërshërinë e shumë intelektualëve me nam të Britanisë së Madhe), studentëve u thotë se shumë njerëz besojnë se socializmi si teori bazohet te analiza e marrëdhënieve materiale, te lufta e klasave dhe nevoja për drejtësi shoqërore. Por, ajo ngul këmbë se në thelb e ka lirinë dhe se kjo kërcënohet kur na urdhërojnë çfarë të themi, ku të shkojmë e si të sillemi. Përmend shokët e studimeve sipas të cilëve socialistët e vërtetë nuk kanë marrë pjesë as në Bashkimin Sovjetik, as në Kinë, as Shqipëri, as në Jugosllavi, as në Republikën Demokratike Gjermane … Socializmi i tyre karakterizohet nga triumfi i lirisë dhe i drejtësisë; i Shqipërisë nga dështimi i tyre. Socializmi i tyre do të vinte nga njerëzit e duhur e me motive të duhura, në kohën e rrethanat e duhura, ndërsa i Shqipërisë duhet të harrohet sepse ishte i ndotur me llum e gjak. Ajo vëren ngjashmëri midis traditave liberale dhe socialiste kur flitet për konceptin e lirisë. Thotë se familja e saj e njehsonte socializmin me mohimin e asaj që do të donin të ishin, e ajo liberalizmin me dështimin e premtimeve, me shkatërrimin e solidaritetit dhe me shurdhimin ndaj padrejtësive. Si pasojë e këtij shurdhimi, shoqja e saj më e mirë, Elona, si viktimë e dashurisë dhe shpresave të rrejshme përfundon rrugëve të Milanos.

Pra, nuk i bën apologji diktaturës në Shqipëri. Por, është reale kur e përshkruan fëmijërinë e saj, qoftë kur flet për dashurinë e dikurshme për Josif Stalinin e për Enver Hoxhën, apo kur shprehet se do të donte që në familje ta kishte ndonjë partizan që do të vinte në orë të mësimit e do të fliste për heroizmat e tij; qoftë kur tregon se edhe në rrethanat e ligësisë ka samaritanë të mirë (si fqinji partizan që e këshillon të mos ia thotë kujt se prindërit e saj nuk e duan Enverin) apo se nuk duhet besuar në Zot … Kur bie komunizmi, bien poshtë të gjitha mësimet që kishte marrë nga mësuese Nora apo nga “Mushka”. Me shoqen e saj flet se janë myslimanë. Madje, në kërkim të së vërtetës mëson sure dhe një kohë mbulon fytyrën me shami – kjo edhe si mekanizëm mbrojtës për të mos u vërejtur në kohët kur liria varej nga halabakët. E, jam i bindur që secili, në Kosovë e në Shqipëri, do ta shmangte këtë fjali. Fenë islame. Suretë e shamitë. Sepse vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. “Jashtë” duan të shquhen si “përparimtarë” e “kozmopolitë”, e “brenda” të notojnë sa munden brenda moçaleve Shqipëri e Kosovë. Prandaj, veprat e tyre nuk i merr kush seriozisht jashtë; prandaj edhe nëse përkthehen ato shtypen në pak kopje nga ndonjë shtëpi e panjohur botuese e ndonjë organizate joqeveritare. Dhe, pastaj, shkruajnë komunikata për shtyp për këto “suksese” që, po të mos njiheshin, e lënë “në hije” edhe një profesoreshë të vlerësuar si Lea Ypi, shumicën e veprave të së cilës i ka botuar “Oxford University Press”.

Për dallim nga këta e shumë të tjerë që thurin lavde për veten e për veprat e tyre, Lea Ypi është jo vetëm e dijshme, por edhe e sinqertë. Shumë e sinqertë. Ajo nuk synon ta ndryshojë historinë, sepse kjo është më e rrezikshme se lajmi i rrejshëm. Dëshmi për këtë është e sotmja; janë Aleksandar Vuçiq, Vladimir Putin, Recep Tayyip Erdogan, Viktor Orban, Xi Jinping dhe liderët shqiptarët të cilët në vend se ta ndërtojnë të nesërmen, bllokohen në të kaluarën si në një alibi për dështimet e sotshme. Ajo është produkt i rrethanave shoqërore nëpër të cilat ka kaluar. Siç jemi ne, secili. Por, të shtyn të mendosh e të reflektosh. Të mos i marrim gjërat ashtu siç na servojnë të pushtetshmit. Dhe, ta ndryshojmë veten duke e kërkuar e duke e synuar dijen e më të mirën.

Por, është edhe një diçka tjetër që e dallon Lea Ypin nga të tjerët. Trashëgimia intelektuale. Stërgjyshi i saj – që ajo e mohonte dikur sepse, familjarët, për ta mbrojtur atë si fëmijë i kishin thënë se nuk e kanë asgjë – ishte ish-kryeministri Xhaferr bej Ypi, i shkolluar për Drejtësi në Universitetin e Stambollit. Gjyshi i saj kishte mbaruar, po ashtu, Drejtësinë në Sorbonë. Nga ana e nënës ishin njerëzit më të pasur në Durrës, anijet, objektet e pronat e të cilëve ishin konfiskuar. Nga njëri prej këtyre objekteve, gjyshi i saj bërtet “Allahu Akbar” dhe bie poshtë për vdekje meqë nuk i duronte torturat. Prindërit e saj që i bëri bashkë “biografia armiqësore”, bënin të pamundurën për t’i mbrojtur dy fëmijët (duke folur edhe me kode), siç bëri nëna e saj më 1997 kur i bashkohet rastësisht një turme pranë një skafi, për t’u larguar me të birin për në Itali nga frika se do t’ia vrasin, e për të pastruar pastaj “nevojtoret e botës”. Vet Lea Ypi ka shitur në pazar, si fëmijë 11 vjeç. Ata ishin viktima si të Njeriut të Ri komunist, ashtu edhe të Njeriut të Ri të demokracisë. Prandaj, është e dhimbshme të thuhet se bursa për të studiuar jashtë vendit është shpëtimi i një gruaje të dijshme, njëjtë siç ishte e dhimbshme për mua kur ia thash bijës time – që studion për pikturë në Firence – këto fjalë: puno dhe avancoje veten që shqiptarin të mos e kesh epror. Për të mirë apo për të keq, ende e mendoj atë që e kam shkruar para gjashtë vjetësh në esenë “Mes shqiptarëve vritet Mozarti!”: këtu vjen në pah shkatërruesi e jo ndërtuesi; këtu vjen në pah ai Salieri i Pushkinit, që vret sepse xhelozon; e ai i Formanit që thotë: “Unë flas në emër të mediokërve në botë … unë jam kampioni i tyre … mediokritet kudo”! Sepse, siç ka thënë më së miri pleqnari Tahir Berisha, nëma më e madhe për njeriun e drejtë e të dijshëm është kjo: “U bofsh e mos paç ku”!?

Personazhi më interesant në vepër është gjyshja e saj Nini – që i fliste frëngjisht edhe si formë e refuzimit të realitetit të ri kuazi-komunist. E lindur më 1918, mbesë pashai me shumë prona në Shqipëri e në Greqi, si trembëdhjetë vjeçe ishte vajza e vetme në liceun francez të Selanikut; si 18 vjeçe kishte fituar medaljen e artë si nxënësja më e mirë. Atëherë kthehet në Shqipëri dhe në moshën njëzetvjeçare bëhet këshilltare e kryeministrit, si gruaja e parë që punoi në administratën shtetërore shqiptare. E, një grua si Nini, urdhërohet nga fshatarët komunistë të punojë në fusha; një grua që – kur rrinte me kushërirën e saj Kokota, po ashtu grua me kulturë e edukim – dhomën e gjumit e shndërronte në kontinent. Nini është ajo urtakja që balanconte kundërshtitë mes asaj që mbesa mësonte në shkollë dhe asaj që dëgjonte në shtëpi; ajo balancon edhe debatin kur përmbysen mitet e komunizmit e kur bien prapë iluzionet për kapitalizëm dhe për rikthimin e drejtësisë në vend. Pa marrë parasysh vuajtjet, shpirti fisnik nuk është shuar në familjen Ypi, dhe kjo vërehet nga dija që reflektojnë. Unë nuk e njoh Lea Ypin, po njoh të tjerët që vuajtën si familjarët e saj. E njoh vuajtjen e familjes së pasur të korçarit Rudi Stasa e të motrës së tij Ada (familjarë të Stavro Skëndit) dhe kulturën që ata edhe sot e reflektojnë, meqë luftuan jo vetëm për të mbetur gjallë po edhe për të mbetur njerëz.

Prandaj, kur e analizon familjen e Lea Ypit – sidomos udhëtimin e saj në Greqi në tentimin që gjyshja të kthejë pronat e vjetra – anëtarët duken si personazh filmi. Në Athinë, për herë të parë si turiste, habitet se si fëmijët tjerë nuk e njohin Odisenë, ndërsa të tjerët se si ajo nuk e njeh Miki Mausin. Në filmin “Kapiteni Fantastik”, familja Cash braktis sistemin dhe mënyrën amerikane të jetesës, për t’ua mësuar fëmijëve idealet që ka synuar qëmoti njerëzimi. Kur fëmijët e familjes Cash flasin për pediatrin Benjamin Spock – i cili më 1946 kishte shkruar librin “Foshnja dhe kujdesi fëmijëror”, me të cilën rriten fëmijët e bum-gjeneratës, hipikët që e ndryshuan botën – të tjerët mendojnë se fjala është për Spockun e fantashkencës në filmat “Star Trek”. Kështu, anëtarët e familjes Cash përjetojnë “epifani”: dituria po i bënte të paaftë në botën reale! Dhe, dituria e Lea Ypit, debati në familjen e saj – që njihnin muzikën, letërsinë e filozofinë botërore – të bën të paaftë në një shoqëri që jeton një herë me vlera të rrejshme e pastaj me vlera kuturu. E bën edhe sot të paaftë të debatojë me “kritikuesit” sepse, siç ka thënë ajo për ditoren Guardian, kritikat vijnë nga ata që nuk e kanë lexuar librin apo që e kanë keqkuptuar kritikën e saj ndaj kapitalizmit dhe komunizmit.

Për fund, më duhet të them se nuk duhet të shpjegohet libri i Lea Ypit. Duhet të lexohet. Stili i saj i shkrimit më bëri të tërhiqem nga një kinse “Bildungsroman” që e nisa. Sepse jeta ime nuk është as interesante sa e saj, por as nuk e kam dhuntinë për të shkruar bukur e mençur si ajo. Janë mahnitëse debatet e saj në shkollë, në shoqëri e sidomos në familje. Çdo fjali e saj ka mendim. Fjalitë kanë edhe bukuri të rrallë për të cilën i thash mikut tim, poetit të madh shqiptar Xhevdet Bajraj, se shpeshherë më duken si poezi. Ajo nuk e ndërton veten duke u thirr te njerëzit e mëdhenj, as nuk përvetëson barsoleta për të ndërtuar ngjarje kinse reale. Merret me njerëzit e rëndomtë, me shumicën shqiptare. Humori i saj është i natyrshëm dhe bazohet te rrethanat, te kureshtja e saj dhe te ballafaqimi i mendimeve. Ndërsa, zbërthimi që jep për problemet e shoqërisë shqiptare – gjatë viteve të “ndryshimeve” të mëdha në Shqipëri – është ndër më seriozët që mund të lexohet.

Prandaj, kur i kam parasysh “kritikat” që i bëhen një intelektualeje, profesoreshe dhe autoreje të respektuar në Perëndim që nuk i mori asgjë Shqipërisë, madje as pronat e familjes, më duhet ta citoj edhe një herë pleqnarin Tahir Berisha – përgjigjen e tij ndaj pyetjes se kur ne shqiptarët do ta arrijmë selametin. “Kur dijmë sa s’dijmë, kur dojmë sa s’dojmë”, ka thënë ai. Kaq. /Telegrafi/