Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të dalë nesër në një komunikim publik për të sqaruar detaje mbi projektin në zonën e Zvërnecit.

Kreu i qeverisë ka theksuar se ai nuk kasnjë lidhje me pretendimet dhe “të pavërtetat e mëdha” që sipas tij janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.


Përmes një postimi në platformën X, Rama bëri të ditur se projekti është rezultat i një pune disa vjeçare dhe e cilësoi atë si “një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë”.

“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit”, shkruan kreu i qeverisë.

Në të njëjtin reagim, Rama përgëzoi drejtuesit e Policisë së Shtetit për mënyrën si reaguan pas incidenteve të regjistruara në Zvërnec, ku përplasjet mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private sollën tensione dhe ndërhyrjen e policisë.

Kryeministri vlerësoi reagimin e policisë ndaj rojeve private të sigurisë, duke e cilësuar sjelljen e tyre si “grusht muskujsh pa tru”, ndërsa përshëndeti edhe masat e marra ndaj drejtuesve vendorë të policisë në Vlorë.

“Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura”, theksoi Rama.

Kryeministri njoftoi se do të japë më shumë detaje mbi projektin dhe debatet e ngritura rreth tij nesër në orën 10:00, në një komunikim live të hapur për publikun. /a2cnn/