Kapet me mbi 800 gramë kokainë 51-vjeçari në Fresk, e kishte fshehur në karrocën e bebit

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta, duke sekuestruar 811 gramë kokainë dhe arrestuar poseduesin e saj.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Zonat”, që synon goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së tyre në kryeqytet.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u arrestua në flagrancë shtetasi Ferdinand Balla, 51 vjeç.
Sipas Policisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet policore lokalizuan dhe ndaluan 51-vjeçarin në një lokal në zonën e Freskut. Gjatë kontrollit të çantës që ai mbante me vete, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 811 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi i arrestuar do të furnizonte persona të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të Tiranës./euronews/








































