Kadri Veseli feston sot ditëlindjen, Hamza: Po numërojmë ditët deri në rikthimin tuaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një mesazh me rastin e ditëlindjes së ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Në postimin e tij, Hamza ka theksuar pritjen për rikthimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe ka shprehur mbështetje për ta.
“Sot është ditëlindja e kryetarit Kadri Veseli. Por, këtë herë nuk po e urojmë si zakonisht”, ka shkruar Hamza.
Ai ka shtuar se këto ditë po numërojmë diçka më të rëndësishme se vitet: "po numërojmë ditët deri në rikthimin tuaj.”
Në mesazh përmenden edhe Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për të cilët Hamza thotë se po pritet kthimi i tyre pranë familjeve dhe bashkëluftëtarëve.
“Deri atëherë, dijeni se jeni në mendjet, zemrat dhe lutjet e shumë qytetarëve që po ju presin me padurim”, ka shkruar ai.
Hamza shton se shpresa për zhvillime të afërta është e madhe, duke theksuar se “korriku është shumë afër.Ju presim krahëhapur!”.
Kadri Veseli feston sot ditëlindjen e tij të 59-të. Ai u lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. /Telegrafi/








































