Vetëm 7,668 euro në vit - Kosova mbetet me pagën mesatare më të ulët në rajon
Kosova vazhdon të renditet në fund të listës evropiane për pagën mesatare vjetore bruto, duke regjistruar vetëm 7,668 euro sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT për vitin 2025.
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet pas edhe ndaj Shqipërisë, e cila ka një pagë mesatare bruto prej 10,320 eurosh, ndërsa Serbia arrin në 15,480 euro, Bosnjë-Hercegovina në 14,940 euro dhe Mali i Zi në 14,472 euro, sipas të dhënave të instituteve statistikore përkatëse, të përpunuara nga “Monitor”.
Dallimi bëhet edhe më i theksuar kur krahasohet me vendet e Bashkimit Evropian. Në krye të listës renditet Zvicra me 107,487 euro pagë mesatare vjetore bruto, gati 14 herë më shumë se Kosova.
Nëse bëhet krahasimi me pagat vjetore bruto në Evropë, që janë publikuar nga Euronews, duke iu referuar të dhënave të OECD, rezulton se pagat e vendeve të Ballkanit në tërësi dhe të Kosovës e Shqipërisë në veçanti janë shumë më të ulëta.
Kosova mbetet vendi me pagën mesatare vjetore bruto më të ulët në mesin e vendeve të përfshira në krahasim, duke theksuar nevojën për politika që nxisin punësimin cilësor dhe rritjen e të ardhurave të qytetarëve.

Pagat në Evropë
Sipas raportit Taxing Wages 2026 të OECD-së, paga mesatare bruto vjetore varion nga 18,590 euro në Turqi deri në 107,487 euro në Zvicër. Të dhënat përfshijnë 27 vende Evropiane, nga të cilat 22 janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Zvicra është i vetmi vend ku paga mesatare bruto tejkalon 100 mijë euro në vit.
Islanda renditet e dyta me 85,950 euro, ndërsa Luksemburgu kryeson mes vendeve të BE-së me 77,844 euro, duke u renditur i treti në Evropë.
Pesëshen e parë e plotësojnë Danimarka me 71,961 euro dhe Holanda me 69,028 euro. Norvegjia, me 68,420 euro, ndodhet shumë pranë tyre.
Mes pesë ekonomive më të mëdha të Evropës, Gjermania kryeson me 66,700 euro, e ndjekur nga afër nga Mbretëria e Bashkuar me 65,340 euro. Tre ekonomitë e tjera të mëdha renditen dukshëm më poshtë.
Franca ka një pagë mesatare bruto vjetore prej 45,964 eurosh, Italia 36,594 euro dhe Spanja 32,678 euro. Paga mesatare në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar është më shumë se dy herë më e lartë se në Spanjë.
Austria (63,054 euro), Belgjika (62,348 euro), Irlanda (60,258 euro), Finlanda (55,462 euro) dhe Suedia (50,338 euro) pozicionohen mes këtyre dy grupeve, të gjitha me paga mesatare mbi 50 mijë euro në vit.
Nëntë vende të BE-së kanë paga mesatare nën 30 mijë euro
Sllovakia regjistron pagën mesatare më të ulët vjetore në Bashkimin Evropian, me 19,590 euro. Nga 22 vendet e BE-së të përfshira në listë, nëntë kanë paga mesatare nën pragun e 30 mijë eurove.
Hungaria (21,257 euro), Letonia (21,321 euro), Çekia (23,685 euro), Portugalia (24,254 euro) dhe Polonia (24,940 euro) kanë paga mesatare nën 25 mijë euro në vit. Estonia (25,603 euro), Greqia (26,563 euro) dhe Lituania (28,474 euro) ndodhen mbi këtë nivel, por mbeten gjithsesi nën pragun e 30 mijë eurove./Monitor/




























