Murati: Pagat në Kosovë janë rritur 53% gjatë qeverisë “Kurti”

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se pagat në vend janë rritur 53% përgjatë Qeverisë Kurti.
Murati përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) të premten ka publikuar të dhënat më të fundit për pagën mesatare në vend, e cila për vitin 2025 ka shënuar vlerën 713 euro bruto.
Kjo siç tha ai "përkthehet në rritje prej 247 euro apo 53% nëse e krahasojmë me nivelin që e kemi gjetur në fillim të mandatit (2020-2025). Kurse për periudhën 5 vjeçare para Qeverisë Kurti (2014-2019), paga mesatare në vend ishte rritur vetëm 74 euro apo 18%".
Ai tha se kjo do të thotë se rritja e pagës mesatare me Qeverinë Kurti ka qenë 3-fish më e madhe sesa me qeveritë Mustafa e Haradinaj.
"Këtë e thonë të dhënat zyrtare të ASK-së. Prandaj i lus edhe mediat dhe analistët nëpër studio, që sa herë të flasin për rritje pagash, t’u referohen statistikave konkrete e zyrtare, sepse kjo e bën shumë më të lehtë mirë-informimin e qytetarëve", ka shkruar ndër të tjera Murati. /Telegrafi/










































