LAJMI I FUNDIT:

Lazio shënon në sekondat e fundit për të marrë tri pikë ndaj Juventusit

Lazio shënon në sekondat e fundit për të marrë tri pikë ndaj Juventusit

Juventus ka humbur me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Lazios në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit italian.

Pjesa e parë ishte mjaft e baraspeshuar dhe nuk pati raste të mira për gol, pasi të dyja ekipet prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të sulmuar.


Rasti i vetëm në 45 minutëshin e parë i takoi Lazios që rrezikuan në minutën e 20-të me Taty Castellanos, goditja e të cilit shkoi fare pranë shtyllës së portës së Juventusit.

Pjesa e dytë pati një ritëm më të lartë ku në fund vendasit arritën që të shënojnë golin e fitores.

Juventusi pati një mundësi për gol me Andrea Cambiasson (52’) por gjuajtja e tij ishte shumë e plogësht dhe u ndal pa probleme nga portieri vendas.

Teksa dukej se ndeshja do përfundonte me barazim, pak sekonda para përfundimit të saj, Lazio e gjeti golin që i siguroi tri pikë.

Ishte Adam Marusic (94’) ai i cili me kokë realizoi për 1-0 pas asistimit perfekt të Matteo Guendouzi, duke ‘thyer’ zemrat e juventinëve.

Me këtë humbje Juventusi tani shkon në kuotën e 59 pikëve dhe mban vendin e tretë në tabelë, me 17 më pak se lideri Interi që ka 76 sosh dhe ka një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore