LAJMI I FUNDIT:

Erdogan: Deri në vjeshtë nuk do të ratifikohet anëtarësimi i Suedisë në NATO

Erdogan: Deri në vjeshtë nuk do të ratifikohet anëtarësimi i Suedisë në NATO

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka folur para mediave në samitin e NATO-s në Vilnius.

Ai mbajti një konferencë për shtyp vetëm disa ditë pasi ra dakord për lejimin e anëtarësimit të shtetit suedez në NATO.


Por, lideri turk deklaroi se projekt-ligji për ratifikimin e pranimit të Stokholmit në aleancë nuk do të paraqitet në parlamentin e Turqisë deri në vjeshtë, raporton skynews.

Erdogan tha gjithashtu se pret që Suedia të ndërmarrë veprime të forta kundër terrorizmit si pjesë e një marrëveshjeje midis Ankarasë dhe Stokholmit përpara se të ratifikojë anëtarësimin.

Kujtojmë se Turqia fillimisht kundërshtoi kërkesën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n me arsyetimin se Stokholmi ishte shumë i butë ndaj militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që Ankaraja i konsideron kërcënime të sigurisë.

Theksojmë se pos shtetit turk, edhe Hungaria ishte kundër anëtarësimit të shtetit suedez në NATO, por që hoqi dorë prej bllokimit pas lëvizjes së Ankarasë.

Ndryshe, Suedia ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në aleancën më të fortë ushtarake në botë pas pushtimit rus të Ukrainës. /Telegrafi/