Historia u ndal në vitin 1936 – pas këtij viti kishte vetëm propagandë. Kështu tha George Orwell për epokën kur mjerimet e shumta të Depresionit të Madh u komplikuan nga strategjitë e pamëshirshme mediatike të Hitlerit dhe të Stalinit.
Nga: Piers Brendon
Përktheu: Agron Shala
E vërteta ishte viktima e parë e Depresionin e Madh [Kriza e Madhe Ekonomike]. Duke reflektuar për vuajtjet e kohës, propaganda u prodhua në nivele të papara. Meqenëse katastrofa ekonomike kërcënonte shkaktimin e luftërave me armë zjarri, siç ka thënë George Orwell, gënjeshtrat e dobishme preferoheshin më shumë se të vërtetat e dëmshme. Ai shkoi më tej duke deklaruar se historia u ndal në vitin 1936; pas kësaj kishte vetëm propagandë.
Ishte një si ekzagjerim i veçantë, por që na flet për universalitetin e mashtrimit shtetëror. Vetë termi Depresion e synonte mashtrimin: Presidenti [Herbert] Hoover e përdori si eufemizëm për fjalën standarde amerikane për krizën financiare, për “Panikun”. Prandaj, gjykimi i poetit WH Auden se kjo ishte “një dekadë e ndytë dhe e pandershme”, ishte përfundimi tek i cili ai arriti në një mejhane të Nju-Jorkut te [poezia] 1 shtatori 1939, teksa përpiqej të “zhbënte gënjeshtrën e palosur … gënjeshtrën e Autoritetit”. Ishte fundi i dekadës në të cilën, siç shkroi Auden diku tjetër: “Kemi parë një numër të pafundmë të fytyrave / në ekstazë prej një gënjeshtre”.
Natyrisht, të gënjesh është njerëzore dhe gënjeshtra zyrtare është praktikuar gjatë gjithë shekujve. Por, u zhvillua në mënyrë intensive gjatë Luftës së Parë Botërore, veçanërisht nën drejtimin e Lordit Northcliffe – themeluesit të shtypit popullor në Britani, që në Gjermani u portretizua si “babai i gënjeshtrave”. Të efektshme ishin sidomos sulmet e tij ndaj Kaizerit, i cili u portretizua (në një fletëpalosje të lëshuar prapa linjave gjermanë) duke marshuar me gjashtë djemtë e vet, të gjithë me uniformat ushtarake mbretërore, duke kaluar nëpër morinë e krahëve të shtrirë skeletor, me mbishkrimin që thoshte: “Familja që nuk ka humbur asnjë anëtar të vetëm”.
Përpjekjet e [Lordit] Northcliffe patën pasoja të tmerrshme për Evropën. Ultra-nacionalistët pretenduan se Gjermania nuk u mund me forcën e armëve në vitin 1918, porse u godit me thikë pas shpine nga kriminelët politikë, pasi u dobësua rëndë nga propaganda djallëzore britanike. Këtë [Adolf] Hitleri e krahasoi me gazin helmues, që gërryente moralin e civilëve dhe që i shtyu ushtarët gjermanë të “mendojnë ashtu siç donte armiku që të mendojnë”. Miti se Atdheu ra si viktimë e një komploti hebraiko-bolshevik, u bë element kyç në besimin nazist. Hitleri ishte i përcaktuar që ta prodhojë gazin e vet helmues. Për të qenë efektiv, shkroi ai në Mein Kampf [Lufta ime], propaganda duhet të përmbajë disa slogane të thjeshta që tërheqin “ndjenjat primitive të masave të gjera”.
Por, propaganda, ashtu si reklama, godet vetëm kur kushtet janë të përshtatshme. Me gjithë poteren e vet, Hitleri nuk do të mund të fitonte kurrë mbështetje të gjerë, nëse nuk do të ishte në gjendje t’i shfrytëzojë mjerimet e shumta të Depresionit. Pas vitit 1929, gjermanët ishin të hapur ndaj pohimit të tij se vuajtjet e tyre i paraqisnin frytet e liga të sistemit të kalbur të Vajmarit. Problemi nuk ishte ekonomik, por politik, këmbënguli ai, dhe mund të zgjidhej vetëm me rivendosjen, nën udhëheqjen e tij, të fuqisë gjermane: “Çelësi i tregut botëror ka formën e shpatës”. Mjeti i tij për ta marrë atë shpatë ishte Partia Naziste, të cilën e organizoi tërësisht “për t’i shërbyer propagandës së ideve”.
Pasi erdhi në pushtet, Hitleri i vendosi të gjitha burimet e shtetit dhe të teknologjisë moderne për të kontrolluar mendjet e gjermanëve. E përdorte terrorin dhe teatrin, Dahaun dhe Nurembergun. Komunikoi me hipnoza të drejtpërdrejta përmes mediave të reja të radios dhe të kinemasë – filmi i neveritshëm i Leni Riefenstahlit, Triumfi i vullnetit, e shndërroi propagandën në art. Dhe, Hitleri e angazhoi Joseph Goebbelsin për ta imponuar uniformitetin ideologjik në Gjermani.
E fitoi pseudonimin, “Mahatma Propagandi”. Nazizmi, deklaroi Goebbelsi, ishte kredo gjithëpërfshirëse dhe “propagandist duhet të jetë njeriu që ka njohuritë më të mëdha për shpirtrat [e njerëzve]”. Çdo fushë e jetës gjermane duhej të përpunohej. Goebbelsi e sulmoi artin “dekadent” dhe e mbikëqyri djegien e librave të rrëmbyer prej bibliotekave publike, prej “bordellove intelektuale”. Shtypi ishte i rregulluar. Kisha u frikësua. Akademia iu nënshtrua disiplinës. Rektori i Universitetit të Gëtingenit tha se ai ishte “krenar për emërtimin e ri – barbarët”. Sipas rektorit të Universitetit të Frajbergut, Martin Heidegger, “Vetë Fireri dhe ai si i vetëm është realiteti i Gjermanisë”.
Duke ndarë këtë pikëpamje, Goebbelsi kryesoi në flijimin e kulturës kombëtare. Nxënësit mësonin për “biologjinë ariane”, “matematikën gjermane” dhe “fizikën nordike”. Ensteini dhe Freudi u shanë. Po ashtu edhe Emanuel Lasker, i cili u bë kampion botëror në shah duke përdorur, sipas Goebbelsit, dinakërinë e ulët semitike për t’i privuar lojtarët nordikë nga “të drejtat e veta legjitime”.
Sulmi i Stalinit ndaj realitetit ishte po aq grotesk, megjithëse nuk vërehej më shumë se politika e tij e eksportit të grurit, kur miliona fshatarë rusë vdiqën nga uria. Ai gjithashtu këmbënguli se e vërteta ishte ajo që ai thoshte se është, duke e e miratuar shkencën false të agronomit Trofim Lysenko, duke denoncuar matematikanin Nikolai Luzin si shkatërrues dhe duke vrarë astronomët për qëndrimin jomarksist për njollat e diellit. Duke ngjallur dialektikën, Stalini pohoi se diversantët më të mëdhenj janë ata që nuk e kryen asnjë sabotim dhe se aparati monstruoz i represionit sovjetik ndihmoi në shuarjen e kësaj gjendjeje.
Ky drejtues i lokomotivës së historisë shkonte sa mbrapa ashtu edhe përpara: ai e krijoi jopersonin, duke e fshirë nga fotografitë ish-shefin e policisë sekrete, Genrikh Yagoda, ndërsa e paralajmëroi revolucionaren, politikanen dhe gruan e Leninit të ndjerë, Nadezhda Krupskaya, se nëse ajo do të sillej keq, do ta bënte dikën tjetër vejushë të Leninit. Krijonte sharada të detajuara për të mashtruar udhëtarët dhe bashkudhëtarët e huaj: idiotët e dobishëm që dëshmonin për suksesin e komunizmit [që rrodhi] nga dështimi i kapitalizmit.
Për më tepër, Stalini nënshtroi gazetarët perëndimorë, si Walter Duranty, i cili shkroi në mënyrë famëkeqe për urinë në Ukrainë në New York Times: “Nuk ka uri të vërtetë, por ka vdekshmëri të madhe nga sëmundjet si rezultat i kequshqyerjes”. Megjithatë, disa gazetarë e raportuan me saktësi; mes tyre Malcolm Muggeridge, i cili gjithashtu regjistroi – aksiomën e epokës – thirrjen e një censori rus: “Nuk mund ta thuash këtë, sepse është e vërtetë”.
E vërteta më tej u mbyll shkaku i besimit dhe frikës. Në qytetin ukrainas të Harkovit, Arthur Koestler vëzhgoi disa nga tmerret më të këqija të urisë, por pohoi se ato ishin produkte të së kaluarës kapitaliste, ndërsa disa shenja shpresëdhënëse bënin me dije për një utopi komuniste. Edhe në gulag, shkroi Eugenia Ginzburg, njerëzit refuzuan t’ju besonin dëshmive të shqisave të veta: “Çdo gjë që shfaqej në një gazetë, krijonte më shumë bindje sesa ajo që shihnin në rrugë”.
Nga frika për Lubjankën, selinë e KGB-së, skeptiku më i madh shprehu miratimin për të vërtetën e gazetës Pravda (E vërteta) – duke gënjyer, siç bënin shaka rusët, si dëshmitar okular. Gënjeshtra universale, tha Aleksandr Solzhenitsyn, ishte e vetmja formë e sigurt e ekzistencës.
Në sfondin e brengave dhe të stresit, propaganda shpërndante siguri dhe i shtrembëronte perceptimet. “Besoj në gjithçka, përveç fakteve”, tha gazetari britanik me bazë në Moskë, Alfred Cholerton. Realiteti u bë plastik, si orët e Salvador Dalit. Pushteti krijoi halucinacione, ëndrra për malet e arta. Vetëdija e dyfishtë lulëzoi, të cilën gjë Orwelli e quajti mendim i dyfishtë. Vlen ta citojmë këtu studentin e mprehtë të marksizmit, filozofin polak Leszek Kołakowski:
Në takimet publike, madje edhe në bisedat private, qytetarët ishin të detyruar t’i përsërisnin në mënyrë rituale gënjeshtrat groteske për veten, për botën dhe për Bashkimin Sovjetik, dhe në të njëjtën kohë të heshtnin për gjërat që i dinin shumë mirë, jo vetëm sepse ata ishin të terrorizuar, por sepse përsëritja e pandërprerë e gënjeshtrave, për të cilat dinin se ishin të tilla, i bëri bashkëpunëtorë në fushatën e gënjeshtrave të ngulitura nga partia dhe nga shteti.
Edhe ata që e njohën tiraninë e Stalinit, ashtu siç ishte, nuk donin domosdo ta vinin në dyshim të vërtetën e partisë. “Nëse i privoni nga iluzionet e veta”, tha Roberta Gropper, anëtare komuniste e Rajstagut që iku në Rusi dhe që u burgos para se t’i dorëzohej Hitlerit, “e rrëmbeni shpresën e tyre të fundit”.
Bota u hutua veçanërisht nga gjyqet teatrale me koreografi nga Stalini, gjatë Spastrimit të Madh. Krimet, për të cilat rrëfyen të pandehurit, ishin aq fantastike saqë fajësia e tyre dukej e pabesueshme. Megjithatë, siç tha ekonomisti John Maynard Keynes: “Fjalimet e të burgosurve më bënë të ndjeja se ata disi i besonin rrëfimet e veta, si të ishin të vërteta”. Ai ishte i hutuar, siç ishte edhe Thomas Mann, i cili i quajti gjyqet si “gjëegjëza të shëmtuara”.
Një numër i vëzhguesve mirë të informuar, i morën akuzat si të vërteta, ndërsa të tjerë e hodhën poshtë gjithë procesin si një agjitprop mizor. Në një përshkrim tipik revoltues, romancieri francez [Louis-Ferdinand] Céline tha se sovjetikët e mbështollën “mutin” dhe u përpoqën ta paraqisnin si karamele. Shumë të huaj, të përçarë nga problemet e kohës, përplasjen e mendimeve e morën si leje për ta frenuar vlerësimin. Ata e kishin të pamundur ta përcaktonin të vërtetën në një botë të dominuar nga ajo që [Boris] Pasternak e quajti “fuqia çnjerëzore e gënjeshtrës”.
Shikimi i qartë i gjërave u bë edhe më i vështirë në Perëndim, kur u dhanë njoftimet për aktivitetet e propagandistëve britanikë gjatë Luftës së Parë Botërore. Amerikanët gjetën prova se përmes një fushate të mashtrimit transatlantik janë përfshirë në konflikt, gjë që e forcoi qëndrimin e tyre izolues gjatë viteve 1930. Britanikët zbuluan se nuk kishte asnjë bazë të qëndrueshme te shumica e historive më të zymta të mizorisë – për ushtarët e kryqëzuar, murgeshat e përdhunuara, foshnjat e copëtuara dhe, në mënyrë famëkeqe, për fabrikën gjermane për shndërrimin e kufomave në yndyrë.
Politikani laburist Arthur Ponsonby, ia dha zërin zemërimit të masave: “Injektimi i helmit të urrejtjes në mendjet e njerëzve, përmes gënjeshtrës, është një e keqe më e madhe në kohë lufte sesa humbja e vërtetë e jetës”. Si pasojë, njerëzit hezitonin t’ju besonin historive të mizorive të vërteta që vinin nga Gjermania e Hitlerit. Kur News Chronicle botoi një rrëfim rrethanor për brutalitetin e tmerrshëm të rojeve në Zaksënhauzen, në vitin 1938, Hilaire Belloc shkroi se ky “shembull i gënjeshtrës nga ana anti-naziste” e bënte të pamundur “të besohet ndonjë gjë nga ajo palë, pa dëshmi të vërtetuara”.
Si rezultat i ekspozimit ndaj sajimeve të veta të vrazhda, propaganda britanike ishte relativisht e butë gjatë viteve 1930 – e tipizuar nga Këshilli Britanik, BBC, buletinet e lajmeve në kinema dhe Times. Këto organe të institucionit e manipuluan opinionin në mënyrë diskrete, por efektive. Rex Leeper, kreu i Departamentit të Shtypit të Ministrisë së Jashtme, i cili donte të transformonte të gjithë vendin në “një gramafon që përsëriste informacionet e Ministrisë së Jashtme”, madje mburrej se brenda tri javëve mund ta ndryshojë opinionin e publikut. Ishte deklaratë optimiste, por qeveria e kuptoi mesazhin duke e minimizuar Depresionin, duke folur për monarkinë (ndërsa orkestronte komplotin e heshtjes për marrëdhënien e mbretin Eduard VIII me zonjën Simpson) dhe duke mbështetur politikën e paqësimit. Në fund të gushtit 1939, drejtori i përgjithshëm i BBC-së sugjeroi që nga mali Bagli t’i transmetohej Gjermanisë “kënga e famshme e bilbilit”, “si shenjë e synimeve paqedashëse të Britanisë”.
Taktikat e tilla tinëzare shpeshherë plotësoheshin nga interesat ekonomike dhe aktualiteti, siç ishte pretendimi i sekretarit të Jashtëm të atëhershëm, Anthony Eden, se ai nuk e dinte se kush e kishte bombarduar Gernikën. Ndonjëherë këto dredhi ishin të pasinqerta: kur “nëndetëset e panjohura” fajësoheshin për fundosjen e anijeve që tregtonin me Spanjën republikane, [Benito] Mussolini u quajt “burrështetas i panjohur”.
Megjithatë, propaganda britanike ishte e ndryshme nga ajo që përdor në vendet ku, siç tha Winston Churchill, “çdo gjë është e gatuar, e mjekuar dhe e përshkuar nga rregullat dhe vendimet, dhe ti mund t’i dallosh gjërat vetëm duke marrë në dorë gazetat e huaja për atë se çfarë po ndodh në botën e madhe të jashtme”. Siç u ankua një diplomat britanik në Itali, propaganda e transmetuar nga stacioni radiofonik i Mussolinit në Bari, nuk e kishte asnjë lidhje me të vërtetën, ndryshe nga ajo e shpërndarë nga Londra e cila prezantonte lajmet dhe pikëpamjet “objektivisht dhe faktikisht, por në favor të një procesi të përzgjedhjes dhe njëanshmërisë”.
Edhe qeveria amerikane veproi me njëfarë finese. Përmes “mburrjes së pashembullt publike”, shumë agjenci të reja u krijuan për të promovuar Marrëveshjen e Re [New Deal], por asnjëra nuk ishte aq efektive sa “bisedat joformale” intime të transmetuara nga presidenti [Franklin D.] Roosevelt.
Diku tjetër, duke reflektuar ndaj rrethanave lokale, propaganda ishte më e fortë. Gjatë Luftës Civile Spanjolle, falsifikimet u futën në thellësi të reja. Teksa Depresioni arrin në nivel sizmik në Japoni, policia arrestoi 60 mijë “kriminelë të mendimit”, pilotët kërcënuan se do t’i bombardojnë selitë e gazetave të gabueshme, ndërsa censorët zyrtarë e çuan zanatin në absurditetin e fundit duke refuzuar të identifikojnë atë që ata dëshironin të ndalonin.
Gazetarët italianë jo vetëm që e lavdëruan Duçen me të gjitha shkronjat e mëdha, por e shkruanin me shkronjë të madhe përemrin e Tij personal, si të Zotit. Fronti Popullor në Francë u ndikua nga studenti i teknikave të propagandës totalitare, i quajtur Sergei Chakhotin, i cili donte ta shpëtonte njerëzimin nga fashizmi duke i nënshtruar masat demokratike ndaj “përdhunimit psikik”. Kështu, festivalet galike të vëllazërisë, pavarësisht efekteve speciale dramatike, si shkrimet në ajër, ishin të buta në krahasim me paradat brutale të organizuara nën flamurin e kuq dhe të svastikës.
Gjatë kësaj periudhe, siç pohoi artisti dhe shkrimtari Percy Wyndham Lewis, “nga metodat magjepsëse të reklamimit, masat u hipnotizuan në një lloj të imbecilëve histerikë”. Në fakt, propaganda, sado e kudogjendur dhe e shtrirë, nuk mund ta shpëlajë trurin e një populli të tërë. Shumica e individëve mbetën të lirë në kokat e veta. Por, nuk ka dyshim se propaganda kishte shumë ndikim, veçanërisht kur projektohej në ekran ose në valë, në një kohë kur mendjet dhe trupat goditeshin nga stuhia ekonomike.
Aty ku nuk bindi, ngatërroi. I përbalti puset e dijes dhe i ndoti burimet e diturisë. E miratoi pezullimin e besimit dhe të mosbesimit. Propaganda ndihmoi që vitet 1930 të jenë epokë e errësimit, e errësirës në pikën e ditës. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje