LAJMI I FUNDIT:

Për rastin Dehari, Shërbimi Korrektues pezullon nga puna dy zyrtarë të lartë

Për rastin Dehari, Shërbimi Korrektues pezullon nga puna dy zyrtarë të lartë

Dy zyrtarë të lartë në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë pezulluar nga puna, për siç thuhet, shkelje të rëndë lidhur me mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016, kur më 5 nëntor 2016 u gjet i vdekur Astrit Dehari.

Në komunikatë thuhet se “Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se ka pezulluar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren”.

“Ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.


Më tej thuhet se Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës.

“Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës  vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në njoftim.

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. /Telegrafi/