LAJMI I FUNDIT:

Rrëfime të panjohura nga diktatura: Personazhet e Dostojevskit në Shqipëri

Rrëfime të panjohura nga diktatura: Personazhet e Dostojevskit në Shqipëri

Nga: Mitro Çela

Viti 1972. Gazetar në “Zërin e Popullit”. Shkova një ditë për kafe tek hotel “Arbëria” – sot Ministria e Drejtësisë.

Në një tavolinë ishin ulur Dritëro Agolli dhe Vangjush Gambeta.


– Hajde Mitro! – tha Vangjushi, shefi im dhe zëvendëskryeredaktor. – Po flasim për letërsinë sovjetike.

Të dy kishin qënë studentë në Bashkimin Sovjetik.

– Mitro! Di rusisht? – më pyeti Dritëroi.

– Pak.

– Duhet të lexosh Dostojevskin. Por, ai është skëterrë në përkthim. Shijohet vetëm në rusisht. Kur ishte 24 vjeç botoi romanin e parë: ”Njerëz të varfër” – nisi të tregoi Dritëroi – E lexuan dy kritikë të letërsisë. Herët në mëngjes i trokitën në derë. U tromaks djali. I thanë: Ke bërë një kryevepër! U duk sikur fati trokiti në derë. Erdhi lavdia! I riu shkrimtar – “përqafoi” Rusinë. Kaluan gjashtë muaj. Mesnatë. Kërciti dera. “Ndonjë gazetar?!” – mendoi shkrimtari. Hapi derën. Një tufë me xhandarë?!

– Je i arrestuar!

– Pse!?

– Rreth një vit në një kështjellë-burg. Pse? Kishte bërë biseda mes miqsh kundër Carit! Një mik e spiunoi… Gjyq. Vendimi: pushkatim?! Pas disa ditësh e nxorën nga kështjella. E çuan në një shesh. E veshën me një dolloma të bardhë. E lidhën në shtyllën e turpit. I lidhën sytë. U lexua vendimi. Ranë tamburet! Në pritje të plumbit u dëgjua zëri i një oficeri: Toga! Ndal! Cari e ktheu vendimin: Nga pushkatim, 10 vjet në Siberi.

– Nuk di! – tha Vangjushi. – Hera pas here shoh të njëjtën ëndërr. Mesnatë. Troket dikush në derë. Hap derën! Një burrë më thotë rusisht: Ke bërë krim! Në emër të popullit je i arrestuar!

– Lëri ëndrrat, se e tromakse Mitron! – tha Dritëroi. – Çohu! E zgjatëm.

Shënim i parë:

Viti 1973. Mesnatë. Një makinë para shtëpisë së Vangjush Gambetës. Internim në Burrel. Po më tej? Divorc formal?! Gruaja me djalin, Artanin, në Tiranë. E la djalin çilimi kur u kthye në Tiranë, e gjeti burrë!

Pse kjo skëterrë për gazetarin elitë të ekonomisë? E kishin spiunuar miqtë?!

Shënimi i dytë:

Viti 1986. Në Tropojë u arrestua Skënder Haluca. Akuza? Donte të vriste Ramiz Alinë.

Gjyq. Vendimi? Pushkatim. Dy ditë me skafander në kokë. Pritej firma e presidentit Alia…

Erdhi “fermani”: Falje. Dënim. 25 vjet burg! Skënderit në burgun e Burrelit i kishte vdekur edhe babai: 46 vjeç. Skënder Halucka doli nga burgu. U bë gjyqtar.

Viti 1997. Ish-presidenti Alia në gjyq. U hodhën goglat. Në trup gjykues edhe Skënderi.

… Dha dorëheqje.

– Nuk mund të gjykoj njeriun që më fali jetën! – tha Skënderi.

Personazh shqiptar, nga arkivi i Dostojevskit?!

Kam një zakon të vjetër. Kur lexoj, shënoj diçka në fund të librit. Mora romanin: “Vëllezërit Karmazov”. Në faqen e fundit gjeta këtë shënim: Gjyqi i Mitjas. Me detaje si akuzohet vëllai për vëllanë. Djali – babanë. Motra – vëllanë. Miku – mikun. Dënime… Dënime… Pa akuza.

Por, Shqipëria i ka “Mitjat” me seri…

…Visar Zhiti. 20 vjeç. Bënte poezi. I dërgoi për botim.

– Poezi disidente! – thanë nga lart.-

Gjyq. 10 vjet burg. Pa fakte. Me recesione nga miqtë – poetë!

Visari doli nga burgu 30 vjeç. I kishin “vjedhur” rininë?!

15 gusht. 1983. Gjykata e Lartë. Salla e gjyqit. Të pandehur Fiqiret Shehu, Nesti Nase – ish-ministër i Jashtëm. Llambi Ziçishti – ish-ministër i Shëndetësisë. Skënder Shehu – djali i Mehmet Shehut.

U futa në sallën e gjyqit. Ftesën e mora nga Abaz Brati, zëvendësprokuror i Përgjithshëm Gjyqin e drejtonte Aranit Çela – kryetar i Gjykatës së Lartë.

– Nesti! Armik! I pabesë. Partia nga hiçi të bëri ministër! Pa le, pa le! Në hetuesi nuk ke pranuar asgjë! – tha Araniti.

– More Nesti! Po ne jemi armiq! Jemi agjentë, tradhtarë! – foli Fiqireti. – Kjo dihet! Pranoje Nesti! Unë i kam pranuar të gjitha akuzat në hetuesi! Shoku kryetar!

– Nuk je shoqja ime. Nuk kam shok tradhtarë e armiq – tha ashpër kryetari!

– I nderuar kryetar! Kërkoj vetëm mëshirë, mëshirë për djemtë. Asgjë për vete?!

– Nuk ka mëshirë për armiqtë. As për këlyshët e tyre?!

Shënimi i tretë:

Gazeta “Zëri i Popullit” kishte një bibliotekë të pasur. Aty punonte Marjana. Vajzë e rrallë: E bukur dhe e mençur! Shkova një ditë.

– Ke libra të Dostojevskit?

– Rusisht? Një raft. Merr një libër frëngjisht. Jeta e shkrimtarit.

– Mitro! Kujdes! Dostojevski është i ndaluar! – tha Marjana.

– Isha në kafe. Dritëroi më foli për shkrimtarin!

– Në kafene flasin. Por, unë kam listën e librave të ndaluara. Në listë janë edhe Gogoli, Dostojevski…

Librin nuk ia ktheva Marjanës. E kam në bibliotekë. I hodha një sy këto ditë. Shkrimtari lindi në vitin 1821. Lindi afër një spitali në Moskë. Jetoi aty sa mbushi 15 vjeç. Babai ishte mjek. Rreth spitalit kishte një varrezë për kriminelë. Një azil për të çmendur. Një shtëpi për fëmijë jetimë. Ai dëgjonte historitë e të çmendurve. Fantazonte mbi varret e kriminelëve.

Fati e ka dënuar shkrimtarin. I sëmurë: epilepsi. Nëna i vdiq nga tuberkulozi kur Fjodori ishe 15 vjeç. Babai i vdiq nga vodka, kur ishte 17 vjeç. I vdiq gruaja dhe djali…

Shkrimtari luante bixhoz. I mbytur në borxhe. I vidhte para dhe rroba gruas. Luante. Rulot. E kuqe e zezë. Shkarkim emocioni.

Fjodori e adhuronte seksin. Tek marrëdhëniet seksuale shihte Zotin dhe egërsinë. I miri dhe i keqi bashkë. Janë në një trup. Aljosha nga fisi i Karamazovëve, ishte engjëll. Por, kishte për baba Fjodorin: egërsirë. Seksi pjell thjeshtësinë. Kënaqësia lind vuajtje. Vuajtja sjell kënaqësi. Shkrimtari qëndron mes Zotit dhe djallit; mes qiellit dhe ferrit.

Idenë e Zotit misterioz e gjen te çdo personazh. Edhe te vet shkrimtari. Ai thotë:

– Zoti brenda nesh; Zoti jashtë nesh; ringjallja e Zotit; vrasja e Zotit!

Asnjë personazh i Dostojevskit nuk jeton pa Zotin. I vetmi personazh që mohon Zotin, Kirillovi, tek romani “Djajtë”, detyrohet të vrasi veten, për të vrarë Zotin!

Në vitin 1992 erdhi në Tiranë Gjon Sinishta. Ishte arratisur në vitin 1946. Profesor i gjuhës shqipe në një universitet të San Franciskos. Kishte pirë gjak me vjehrrin tim. Qëndroi në shtëpinë tonë. Kishte ardhur me një kameraman. Do bënte reportazh për Shqipërinë. Mes të tjerëve takoi edhe Pjetër Arbnorin.

– Si je z. Pjetër?

– Lavdi Zotit, jam mirë!

– Ku ishte Zoti, kur bëre 28 vjet në burg? – pyeti Gjoni.

– E ke gabim! Zotin e kam pasur dhe e kam në shpirt. Dola nga burgu. E gjeta nënën gjallë! Kur vdiq, ia mbylla vetë sytë.

– Lavdi Zotit, u martova. Kam dy fëmijë: djalë e vajzë! Ky është Zoti im?

– Po ti z. Gjon, ke plan të vish përsëri në Shqipëri?

– Kjo është vizita ime e fundit. Jam me kancer. Mjekët më kanë dhënë një vit jetë. Kjo kohë më mjafton për të përfunduar disa punë të nisura.

– Ja ku dole tek Zoti yt! I sëmurë. Por, me vullnet për të punuar! – tha Pjetri!

A nuk flasin kështu personazhet e Dostojevskit?!

(Një vit më vonë Gjon Sinishta vdiq. Hirin e solli në varrezat e Shkodrës!)

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori