LAJMI I FUNDIT:

Media ruse: Vuçiq po e largon Rusinë nga Serbia

Media ruse: Vuçiq po e largon Rusinë nga Serbia

Presidenti Aleksandar Vuçiq po e largon Rusinë nga Serbia dhe në të njëjtën kohë po e vendos Ballkanin Perëndimor në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu shkruan mediumi rus Regnum, duke shtuar se, Vuçiq po vë në pikëpyetje marrëdhëniet serbo-ruse.

“Sjellja e Aleksandar Vuçiqit jo vetëm që vë në pikëpyetje marrëdhëniet serbo-ruse, por edhe praninë e Rusisë në Ballkan dhe gjithashtu hap pyetje shtesë. Duke nënshkruar Marrëveshjen e Washingtonit, Serbia ndryshoi qëndrimin e saj ndaj Lindjes së Mesme, duke treguar se Rusia nuk mund të mbështetet te ajo si një aleat. Interesat amerikano-izraelite lidhen drejtpërdrejt me forcimin e ndikimit kinez dhe rus në Ballkan dhe pas nënshkrimit të këtij dokumenti, Shtetet e Bashkuara do të vendosin në çfarë mase vendet e tjera mund të zgjerojnë ndikimin e tyre në këtë territor”, shkruan Regnum, përcjell Telegrafi.


Po ashtu, sipas kësaj medie, Vuçiq nuk e kishte ftuar Moskën që t’i bashkohet negociatave që po bëhen me Kosovën.

“Aleksandër Vuçiq dhe deputetët nga Partia Progresive Serbe, të cilët për vite me radhë qetësojnë popullin serb me rusofilinë e tyre të rremë, nuk e ftuan Moskën që t’i bashkëngjitet negociatave me Kosovën, pavarësisht nga fakti se përfaqësuesit rusë janë shprehur vazhdimisht të gatshëm për të ndihmuar Serbinë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, shkruan media ruse.

MPJ e Rusisë me mesazh turpërues pas vizitës së Vuçiqit në Shtëpinë e Bardhë, Gjuriq: Turp të keni
Lexo po ashtu MPJ e Rusisë me mesazh turpërues pas vizitës së Vuçiqit në Shtëpinë e Bardhë, Gjuriq: Turp të keni

Kujtojmë se, Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kishte reaguar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë.

Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova kishte publikuar një mesazh turpërues pas vizitës së Vuçiqit në Shtëpi të Bardhë.

“Nëse jeni ftuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe karrigia është ngritur për t’ju marrë në pyetje, uluni si në figurën 2, kushdo që të jeni. Thjesht më beso”, kishte shkruar Zakharova në Facebook.

Po ashtu, pas marrëveshjes kishin reaguar edhe ultranacionalistët pro-rus në Serbi.

Sipas tyre, kjo marrëveshje ia fut “gishtin në sy” Rusisë. /Telegrafi/