LAJMI I FUNDIT:

Thaçi filloi konsultimet me partitë politike, gjithçka që u diskutua në takim me Kurtin, Mustafën dhe Veselin

Thaçi filloi konsultimet me partitë politike, gjithçka që u diskutua në takim me Kurtin, Mustafën dhe Veselin

Një javë pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka nisur takimet konsultative me liderët e partive politike, për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar. Mëngjesin e sotëm, Thaçi zhvilloi tri takime, së pari ai takoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, më pas kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe të fundit takoi kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Për secilin lider, Thaçi kishte ndarë nga 30 minuta, mirëpo takimi i tij me Kurtin zgjati më pak se sa ishte paraparë. E para se të shkonte në takim, Kurti i kishte shkruar letër Thaçit, ku e kishte njoftuar se në takim do të diskutohet vetëm për një çështje, e ajo do të jetë se kur është koha e përshtatshme për të shpërndarë Kuvendin dhe që të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, përcjell Telegrafi.

Takimi i tyre filloi në ora 10:00, pas takimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti doli para mediave për të njoftuar për takimin me Thaçin. Ai tha se presidenti nuk duhet të merret me emra njerëzish e partish, por me data për zgjedhje të reja në kalendarin e këtij viti.


“Ne e theksuam këtë qëndrim tonin që presidenti nuk do të duhej të merrej me emra njerëzish e partish por data për zgjedhjet e reja në kalendarin e këtij vitit. E dimë që ndodhemi në betejën intensive kundër virusit korona dhe mbase kjo do të mund ta shtyjë ca datën e zgjedhjeve, mirë Kushtetuta e Kosovës besojmë që nuk krijon mundësi dhe apo alternativa tjera”, tha pohuar Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Thaçi priti në takim kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Kreu i LDK-së, bëri të ditur se janë pro formimit të një Qeverie të re.

“Ne jemi për atë që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese dhe procedurën që e ka paraparë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetues në 2014. Kjo qeveri do të kishte detyrë që me kapacitete të plota të angazhohet në luftën kundër virusit corona, i cili po zgjerohet edhe në vendin tonë sikurse në vendet tjera”, deklaroi Mustafa pas takimit me presidentin, përcjell Telegrafi.

I fundit i cili i shkoi në takim Thaçit, ishte lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pas takimit me presidentin Hashim Thaçi tha se të gjithë e dinë se nuk mund të mbahet zgjedhjet e jashtëzakonshme për 45 ditë në kohë pandemie.

“Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme vetëm keni parasysh gjithmonë faktin e pandemisë. Ne nuk e dimë deri kur do të përfundojë kjo çështje. Vullneti i sovranit është ma legjitimja, por në rrethana kur jemi në situatë me pandemi a është ndoshta hipokrizi nganjëherë të flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme kur gjithë mund ta dinë se nuk mund të jenë për 45 ditë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nuk mund t’i rrezikojmë qytetarët”, tha Veseli.

Ndërkaq, pasi përfundoi takimet presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha para mediave se nesër do t’i takojë liderët e partive tjera.

Thaçi theksoi se çdo veprim që do ta ndërmarrë do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Pavarësisht vështirësive që kemi nga coronavirusi, jeta institucionale në Kosovë vazhdon dhe natyrisht funksionimi i demokracisë. Sot kam takuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës jam i detyruar duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, për të filluar konsultat me liderët e partive në vend për hapat e mëtutjeshëm të funksionimit e institucioneve të Kosovës apo themelimin e institucioneve reja, Qeverisë së re”, deklaroi ai.

Kujtojmë se Qeveria Kurti është rrëzuar pas mocionit të mosbesimit të inicuar nga LDK, e që u përkrahë edhe nga partitë opozitare. Për rrëzimin e qeverisë kishin votuar 82 deputetë, nga 117 sa ishin në prezent në sallë, ndërsa kundër kishin votuar 36 deputetë dhe një prej tyre kishte abstenuar./Telegrafi/

Deklaratat e liderëve të partive dhe presidentit Thaçi pas takimeve të sotme për konsultim për hapat e mëtejmë pasi Kuvendi i mori besimin Qeverisë

Posted by Telegrafi.com on Wednesday, 1 April 2020