LAJMI I FUNDIT:

Agjenti Yaque: Lautaro qëndron te Interi – nëse Messi do të luajë me të le të vijë te Nerazzurrët  

Agjenti Yaque: Lautaro qëndron te Interi – nëse Messi do të luajë me të le të vijë te Nerazzurrët  
L:autaro Martinez dhe Lionel Messi (Foto: Bruna Prado/Getty Images/Guliver)

Lautaro Martinez nuk do të largohet nga Interi dhe mezi pret që të fillojë punën me Antonio Conten, teksa është e vërtetë se ka pasur interesim të Barcelonës për të ka thënë agjenti i argjentinasit, Beto Yaque.

Profili i Lautaros u rrit në mënyrë të konsiderueshme gjatë verës në sajë të paraqitjeve të mira në Copa America, duke shkuar në shifrën e gjashtë golave në 11 paraqitje me Argjentinën.

Kjo bëri që të dalin shumë lajme se Barcelona dëshironte të nënshkruante me sulmuesin që mbush 22 vjet në muajin e ardhshëm.


Këto lajme nuk i ka mohuar agjenti i sulmuesit, por ka thënë se dëshira e tij është të mbetet te Interi, të punojë me Conten dhe nëse Lionel Messi e do atëherë le të transferohet te klubi italian.

Lautaro ka kaluar formë të mirë në sezonin e parë te Interi (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

“Lautaro Martinez nuk do të largohet nga Interi dhe ai mezi pret të fillojë punën me Conten”, ka thënë fillimisht Beto Yaque për FC InterNews.

“Natyrisht, lavdërimi nga lojtari më i mirë në botë [Messi] e ka kënaqur shumë.  Lautaro ishte jashtëzakonisht i lumtur që dëgjoi komplimentet e Leo Messit dhe kjo e bëri atë të punonte edhe më shumë për të arritur objektivat e tij”.

Lautaro duke festuar një gol me Messin (Foto: Gonzalo Arroyo Moreno/Getty Images/Guliver)

“Megjithatë, Lautaro po mendon vetëm për Interin. Ai është i lumtur me Nerazzurrët dhe ka ëndrra të mëdha. Conte tashmë e ka thirrur atë për të shpjeguar metodën e punës dhe përfundimisht duke llogaritur në të”.

“Është e vërtetë, kishte një interes nga Blaugranët për Martinezin, edhe pse askush nga klubi nuk na kontaktoi zyrtarisht. Ato janë thashethemet që ne e dimë se janë në një shkallë të vërtetë, por e përsëris, Lautaro qëndron në Inter”.

“Le të themi vetëm në këtë mënyrë: nëse Messi dëshiron të luajë me Martinezin, atëherë ai mund të vijë në Inter…”, përfundoi agjenti i sulmuesit. /Telegrafi/