Robert Shvarc (1932-2003)
Romani i Erih Maria Remarkut “Tre shokë” u botua për herë të parë në shqip në vjeshtë të vitit 1961. Ishte koha kur shoku im i rinisë, Drago Siliqi, drejtor i N.Sh. Botimeve “Naim Frashëri”, me guximin e tij prej intelektuali, u hapi lexuesve shqiptarë një dritare të madhe për të njohur letërsinë botërore. Kur iu futa punës për të përkthyer romanin “Tre shokë”, isha 27 vjeç dhe nga ky autor kisha lexuar vetëm librin e tij të parë “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” i cili më pat lënë një përshtypje të thellë.
Pra, nuk dija shumë gjëra as për Remarkun, as për librat e tij. Kisha lexuar vetëm se nazistët ia patën hequr nënshtetësinë gjermane dhe ia kishin djegur veprat publikisht më 1933. E kisha fjalën, pra, si e përktheva romanin “Tre shokë”. E mora librin dhe lexova 2-3 faqet e para. Fillonte me një ditëlindje, me atë të heroit kryesor, që i rrëfente ngjarjet në vetën e parë. Edhe kësaj radhe më mahniti stili tepër i ngjeshur dhe tej mase i kursyer i këtij shkrimtari, që komunikonte kaq bukur dhe kaq natyrshëm me lexuesin.
I përpiva ato 2-3 faqet deri në fund dhe sakaq mora një vendim: nuk do ta lexoja librin deri në fund, por do t’i futesha punës menjëherë dhe do ta përjetoja gjithë romanin rresht për rresht, ashtu siç e kishte përjetuar autori në procesin e tij të krijimit. Ishte një vendim paksa i çuditshëm, por mua më ndihmoi jashtëzakonisht shumë pa ditur as vetë, u futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash nën lëkurën e tij, i provova të gjitha ndiesitë, emocionet, problemet, gëzimet dhe tronditjen e tij dhe them se arrita t’ia përçoj besnikërisht lexuesve mesazhin e tij.
Të paktën nuk e dëgjova asnjëherë akuzën aq të njohur, që përkthyesi qënkej tradhtar i autorit… Me romanin “Tre shokë” më lidhin kujtimet më të bukura të punës sime si rikrijues; por më lidhin edhe disa nga ato rastësitë e çuditshme që ndodhin në jetën e njeriut. Autori e kish botuar këtë vepër në vitin 1938, në emigracion, si refugjat dhe si shkrimtar që, megjithëse mjaft i famshëm në të gjithë botën ishte pa identitet, i përzënë nga atdheu.
Dhe pikërisht, atë vit, më 1938, unë, ende fëmijë, erdha nga vendlindja ime, Sarajeva, në atdheun e nënës sime, në Shqipëri, ku gjithashtu gjeta mbrojtje dhe shpëtova kokën nga murtaja naziste. Isha pra, një çun i vogël, që në atë kohë nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe asnjë fjalë gjermanisht. Dhe kush mund ta parashikonte atëherë që, plot 23 vjet më vonë, do t’i jepja lexuesit tonë një libër të tillë në gjuhën time amtare!… Përkthimi dhe suksesi që pati “Tre shokët “pas botimit në shqip, më dhanë shtysën që të vazhdoja të merresha me përkthime letrare.
Edhe sot e kësaj dite takoj shokë e miq të brezit tim, të cilët këtë libër të Remarkut e mbajnë dhe e ruajnë si Bibël, sepse jo vetëm që mbahet si himn kushtuar miqësisë së sinqertë, fisnike e pa asnjë lloj interesi midis shokësh, por konsiderohet edhe një nga historitë më të bukura e më mallëngjyese të dashurisë. Romani i dytë që përktheva ishte “Shkëndija e jetes”.
Edhe kjo vepër me ngjiti menjëherë, jo vetëm për faktin se lidhej edhe me diçka personale, por më tepër nga forca e penës së këtij shkrimtari, i cili, pa qenë kurrë në një kamp përqendrimi nazist, arriti, vetëm përmes shfrytëzimit të një dokumentacioni, sa të pasur aq edhe ngjethës të na japë një dëshmi të tillë të një vërtetësie të mahnitshme historike, duke ia kaluar plot e plot shkrimtarëve të tjerë që e trajtuan këtë temë. I treti roman i këtij autori ishte “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”.
Ky roman, i cili qe botuar edhe një herë tjetër në shqip në vitin 1936, më vuri përpara një përgjegjësie te madhe. Ai ishte një roman kujtimesh autentike dhe tronditëse, i njohur në të gjithë botën, ishte, siç shkruan Kadare në hyrjen e tij- një libër i qetë e modest, por edhe një kambanë alarmi kundër histerisë së luftërave; brenda një kohe të shkurtër ai u bë thesar i tërë njerëzimit… Por pikërisht thjeshtësia e këtij libri ishte aq e vështirë për t’u ridhënë.
Dhe përsëri u futa në lëkurën e atij maturanti 18-vjecar, e atij ish-ushtari të frontit të Luftës së Parë Botërore, që e rrëfente aq prekshëm historinë e vet dhe moshatarëve te vet, historinë e rinisë së vrarë nëpër llogoret e një lufte të çmendur e të kotë. Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta perktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij.
Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, mu desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar. Këto ishin pak a shume kujtimet e mia për këtë shkrimtar kaq njerëzor dhe të dashur për lexuesin, i cili me atë gjerdan vezullues të librave që shkroi u la një dëshmi të trishtueshme, por jashtëzakonisht bindëse dhe tronditëse të dukurive më të egra të shekullit tonë.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëKështu foli Nietzsche: Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet!
Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave
Shfaqja që thërret njerëzoren!
Drama e panjohur e Koliqit, ku parashikohej rënia e komunizmit
Çonju!
Princi i zi i politikës: 50 thënie të Makiavelit
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak
Florin Krasniqi kërkon mbi 28 milionë euro dëmshpërblim nga Mali i Zi
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre
Teknologjia e vijës së portës ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte
Zelensky tregon tri llojet e armëve që i duhen Ukrainës për të mposhtur Rusinë
Zbulohet favoriti i ri për të fituar Topin e Artë 2024: Haaland mbetet mbrapa në garë