Plot 30 vjet pas botimit të parë të përrallave “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrusht Kutelit, për herë të parë ky libër fondamental për letërsinë shqiptare del në një botim luksoz. Janë trashëgimtarët e Kutelit të cilët kanë menduar se tani është koha për ta rezervuar si një libër luksoz në biblioteka, por në kushte mbijetese botuesit e “Kutelit” e kanë nxjerrë librin në shumë pak kopje
“Unë i ktheva këngët në prozë që t’ua lehtësoj hë për hë kuptimin fëmijëve, por proza nuk mund ta përfshinte e ta pasqyrojë kurrë poezinë në tërë madhështinë e saj ritmike, muzikore, ndjenjësore. Të përpiqesh ta kthesh këngën në tregim është, shpesh, pothuaj e njëjta gjë sikur të mundohesh të futësh qiellin në një shami. Prandaj i porosita fëmijët e mi – siç porosit gjithë lexonjësit e vegjël, të këtij libërthi – që t’i lexojnë vetë balladat dhe rapsoditë tona të bukura. Atëhere, ndofta, mund të thonë edhe ndonjë fjalë të hidhur për shkronjësin e këtyre radhëve, që s’mundi t’u japë veçse diçka të zbehtë, pa ngjyra e gjallësi… Ah le ta ndjejnë drejtpërdrejt, thellë e më thellë madhërinë e artit tonë popullor, dhe sidomos rapsodinë e Gjergj Elez Alisë, dhe s’kam veçse të gëzohem dhe të pranoj buzëgaz qërtimet e tyre…”.
Me këto fjalë shkrimtari Mitrush Kuteli tregon se si shfrytëzoi gjithë kulturën popullore të mbledhur prej tij në një përmbledhje përrallash në “Tregimet e moçme shqiptare”, duke u bërë një libër tipik klasik i letërsisë shqiptare dhe një libër që mban rekordin e ribotimeve në këta 27 vjet, por dhe një nga librat më të shitur nga rënia e komunizmit. Në çdo panair libri, por dhe nga treguesit e librarive, si dhe shitjet online, kryevepra e magjisë popullore shqiptare vazhdon të mbetet një rekomandim i përhershëm për fëmijet dhe një zgjidhje brilante për të kuptuar esencën e fantazisë së kulturës popullore.
Botuar së pari më 1987, më pas më 2005, me botimet Mitrush Kuteli, është ribotuar më 2015. E njohur me disa versione në fasadën e kopertinave, botimi vjen së fundi në një botim luksoz të përgatitur nga trashëgimtarët e tij. Me një lidhje cilësore, me kopertinë të kuqe e të dekoruar, libri u paraqit në panairin e fundit të Tiranës, nëntor 2017, ku familjarët kishin nxjerrë për shitje shumë pak kopje, duke u shprehur se kaq ishte mundësia e tyre botuese, pa u mbështetur financiarisht nga asnjë institucion. Libri shënon në faqen e parë nga vetë autori: Në parafjalë, ose bisedime me katër fëmijët e tij dhe me vetveten rreth këtij libërthi, botohet sipas daktiloshkrimit.
E bija, Atalanta, ka treguar se nuk kanë ndryshuar asgjë nga version i parë, duke i qëndruar besnik librit siç e ka lënë i ati, Mitrushi, ku parafjala e tij tregon se si arriti të krijonte këtë botim legjendë të letërsisë shqiptare, e sidomos për fëmijë.
Ja si shprehet shkrimtari në hyrje të kësaj bisede në parafjalë me fëmijët, se çfarë pune i duhet një përralltari për t’jua afruar botës së fëmijëve: “Vështirë e ka sot përralltari shqiptar; fëmijët tanë kërkojnë gjithnjë më shumë përralla. Dhe nuk i duan sido-kudo, po të reja, të padëgjura, të palexuara. Dhe domosdo të bukura, me thelb, me kuptim. Dëgjoni ç’më ndodh mua. Kur më shohin pak më të ngeshëm, ata të katër “rebelet” e mi (kështu u them unë, sepse janë edhe të qetë, po edhe të zhurmshëm; të urtë, po edhe kryeneçe; të shtruar po edhe… rebelë), më rrethojnë, më heqin për mënge, më hetojnë…”!
Materialet që Kuteli mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi “Tregime të moçme shqiptare” etj. Të njëmbëdhjetë rrëfimet e vëllimit “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit (1907-1967), siç e thotë edhe vetë titulli, janë rikallëzime të motiveve tona popullore – të baladave, të eposit të kreshnikëve dhe të kohës së luftërave të gjata shqiptaro-osmane. Këto tregime, të veshura me bukuritë artistike prej njërit nga mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të rrëfimit, Mitrush Kuteli, monumentalizojnë universe e drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë – të kohës kur arbërit sfidoheshin nga fuqi të padukshme e nga bajlozë dhe shkelës gjithfarësh që vinin nga toka e deti (“Rozafati”, “Besa e Kostandinit”, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini”), të kohës së kreshnikëve, pra të shekujve pas zbritjes së fiseve endacake sllave në tokat e Ilirisë (“Muji dhe zanat”, “Muji dhe Behuri”, “Ajkuna qan Omerin” e “Omeri i Ri”) dhe të kohës së treqind kryengritjeve shqiptare kundër osmanëve (“Shega e Vllastari”, “Turku rrëmbeu një arbëre” dhe “Skënderbeu e Ballabani”).
Para pak kohësh piktori Gazmend Leka ka paraqitur në galerinë FAB, ciklin me vizatime “Tregime të moçme shqiptare”, në rastësi me ditët e organizimit të panairit të librit në Tiranë, në nëntor 2017. Piktori ka treguar se ky ka qenë cikli më i rëndësishëm i realizuar në karrierën e tij si piktor.
Piktori ka treguar se ciklin e ka krijuar në vitin 1986 duke ilustruar për herë të parë librin e Kutelit.
“Ishte Brikena Çabej ajo që ma propozoi, pasi e dinte që unë kisha një manjetizim drejt kësaj pasurie shpirtërore të shqiptarëve dhe që përpara këtij libri (kisha ilustruar një tjetër libër të Institutit të Folklorit me titull ‘Ballada Popullore’). Brikena donte që të ilustroja disa tregime, por unë i propozova t’i ilustroja të gjitha, të bëja edhe ilustrime të vogla mbyllëse dhe të shkruaja titujt manualisht, për t’i dhënë librit frymën e kohës. Ramë dakord menjëherë dhe për një kohë shumë të shkurtër e me një tension të madh krijova 36 vizatime me penë. I bëra menjëherë dhe me frymëzim, pasi e gjithë qenia ime në ato vite të formimit tim ishte e mbushur me figurat, simbolet dhe metaforat, të cilat populloheshin prush midis rreshtave. Bëhej fjalë për legjenda arketipale sikurse ‘Rozafa’, ‘Kostandini e Doruntina’, ‘Vajza e Diellit dhe e Hënës’, ‘Gjergj Elez Alia’ etj. Nuk kisha studio atë kohë dhe më duhej të punoja në orët e vona të natës, kur gjithë shtëpia ime pushonte në gjumë. Bëja një vizatim në ditë dhe isha i etur ta shihja ciklin e kryer sa më shpejt”, ka pohuar piktori për librin.“Cikli u vlerësua me çmimin e madh si ‘Vepra më e mirë e arteve figurative’. Ndërkohë që më akordohej çmimi, në gazetë shkruhej se këto vizatime të bëra me mjeshtëri të lartë, mbartnin një frymë të theksuar mistike, fjalë kjo që nuk ishte shumë e pëlqyeshme për veshët e censurës, por për fat nuk u rigjykua e nuk ndodhi asgjë që të më trondiste në ato kohë të vështira”.
Sot ky cikël është pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli – u lind më 13 shtator 1907 në Pogradec. Mësimet e para i mori në vendlindje, studimet e mesme në Selanik, e pastaj në Shkollën Tregtare Rumune (1921-1928). Më 1931 u diplomua në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, seriozitetit dhe kapacitetit të veçantë intelektual, u emërua drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë. Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe drejtimi drejt Frontit të Lindjes.
Nga rruga e vdekjes së sigurt e ktheu një telegram ku njoftohej se nëna e tij ishte shumë sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në shtator 1942, dy javë pasi nëna kishte ndërruar jetë.
Në janar u emërua drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk pranoi të firmosi kursin që pati caktuar shteti komunist mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav dhe që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit tonë.
Në maj 1947 e arrestuan dhe pasi i thanë “armik i popullit” e dënuan me pesë vjet heqje lirie.
Kuteli u dërgua në kampin e Vioçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. E liruan “me falje” në prill 1949.
Nga viti 1949 Kuteli nuk u mor më me ekonomi po punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”.
Letërsisë i kushtoi kohën e pakët që i mbeti nga puna e normuar e përkthimit.
Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj 1967. Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja. /mapo/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëHarta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
Thënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare
Kush e vrau Ismail Qemalin?
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Rivaliteti krijoi Renesancën: Armiqësitë e artistëve të mëdhenj
RE NË PANTALLONA
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë