LAJMI I FUNDIT:

Daçiq nervozohet në SHBA-të, për përkrahjen që po i japin Kosovës

Daçiq nervozohet në SHBA-të, për përkrahjen që po i japin Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Britania e Madhe ka propozuar një rezolutë për Srebrenicën në OKB, ndërsa lidhur me këtë nuk e ka informuar Serbinë, shkruajnë mediat serbe.

Ai me këtë është munduar ta arsyetoj deklaratën e dhënë së fundmi, ku tha se si fuqitë e mëdha botërore nuk janë miq të Serbisë dhe se në politikë nuk ka miqësi, transmeton Telegrafi.

“Nëse i kam bërë dëm Serbisë, atëherë le të më shkarkojnë, por unë ashtu mendoj dhe jam i sigurt që 90 për qind e popullit tonë mendon sikurse unë”, ka deklaruar Daçiq.


Ai gjithashtu tha se duhet të bëhet dallimi i madh mes mikut dhe partnerit.

“Ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë, të jemi partnerë, vazhdimisht të kërkojmë interesat e përbashkëta, por ekziston dallim i madh në raportet mes një miku dhe ju, dhe atyre që gjithmonë klasifikohen si një grup miqsh të Kosovës”, ka shtuar ai.

Daçiq vlerësoi se “fuqitë e mëdha perëndimore janë rreshtuar vetëm në njërën anë, kryesisht në anën e Kosovës, duke kundërshtuar drejtpërdrejt interesat e Serbisë”.

“E kemi situatën ku Britania kërkon dhe lut presidentin Alekansar Vuçiq të votojmë për gjyqtarin e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe derisa na lut për këtë, në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i tyre në New York kërkon të hiqen nga rendi i ditës seancat e Këshillit të Sigurimit për Kosovën”, ka thënë Daçiq.

Sipas tij, SHBA-të gjithashtu kanë pasur interes që rezoluta e tyre për Jerusalemin të kalojë në OKB, dhe se lidhur me këtë kanë informuar vendet tjera.

“Derisa po e presim këtë letër të arrij në adresën tonë, përfaqësuesja e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley shkon për vizitë ekipit të Kosovës në New York, ku edhe po bëhej promovimi i verës së Kosovës, që është një ngjarje e rëndësishme politike. Ajo gjatë kësaj vizite ishte e drejtpërdrejt që SHBA-të do të bëjnë gjithçka që ta ndihmojnë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së”, ka thënë Daçiq.

I pyetur se pse po e befason qëndrimi i SHBA-ve karshi Kosovës kur tashmë është i ditur, Daçiq është kundërpërgjigjur “atëherë si mund të them që janë miq tanë?”

“Nuk kam thënë se ata janë miqtë tanë, por duhet të punojmë së bashku në atë që të bëhen miqtë tanë. Këtë kam dashur të them. Nuk duhet të flasim me burokratë nga Ministria e Punëve të Jashtme, por me liderët e atyre vendeve, ta kuptojmë nëse mund të arrijmë një interes të përbashkët. Këtë ia kam thënë edhe Trumpit dhe Tillersonit, ndërsa Vuçiq ia ka thënë edhe Pence, por mendoj që edhe Trumpit. Ata kanë thënë se munden dhe se duhet të bisedojmë për këtë”, ka shtuar shefi i diplomacisë serbe. /Telegrafi/