LAJMI I FUNDIT:

Manekinia britanike u kidnapua në Itali dhe për lirimin e saj u kërkuan 300 mijë euro (Foto)

Manekinia britanike u kidnapua në Itali dhe për lirimin e saj u kërkuan 300 mijë euro (Foto)

Një polak me vendqëndrim në Britani të Madhe është dënuar me burg për shkak të kidnapimit të manekines britanike, të cilën muajin e kaluar e kishte mbajtur gjashtë ditë të ngujuar në veri të Italisë, transmeton AP.

Policia e Milanos ka bërë të ditur se mashkulli i arrestuar, i cili është identifikuar me emrin Lukasz Herba, dyshohet për kidnapim me qëllim të zhvatjes.


Manekinia ishte futur në një çantë dhe ishte transportuar në një shtëpi në Torino (The Mega Agency)

Një zyrtar policor u ka thënë mediave se britanikja 20-vjeçare kishte shkuar në Milano me ftesë për të xhiruar fotografi të modës, e cila ishte e rreme dhe u kidnapua më 11 korrik.

Duke iu referuar dokumenteve gjyqësore, gazeta italiane Corriere della Sera shkruan se kidnapuesi e kishte droguar manekinen dhe e ka mbajtur të ngujuar në një shtëpi në qytetin e Torinos.

Shtëpia ku e ka mbajtur (The Mega Agency)

La Stampa njofton se për ta lëshuar manekinen, ai kishte kërkuar fillimisht 300.000 euro në bitcoin, por pastaj është pajtuar që ta lëshonte për 55 mijë euro pas diskutimit me agjentin e saj.

Prokurorët janë duke hetuar nëse britanikja ishte rrëmbyer me qëllim që të shitej si skllave e seksit në internet.

Kidnapuesi i identifikuar si Lukasz Herba (Fotogramma)

Gazeta italiane shkruan se kidnapuesi ndërkohë ka zbuluar se manekinia kishte një fëmijë dhe për shkak të kësaj ka vlerësuar se nuk do t’i përgjigjej për trafikim.

Policia ka njoftuar se i dyshuari kishte lënë gruan para konsullatës britanike në Milano më 17 korrik, por nuk është e qartë pse përfundoi kidnapimi.

Ndërkohë, prokuroria është duke hetuar nëse i dyshuari kishte bashkëpunëtorë. /KP/Telegrafi/

Vetura me të cilën është bërë transportimi në Torino (The Mega Agency)