LAJMI I FUNDIT:

20 të vdekur nga temperaturat e ulëta në Evropë

20 të vdekur nga temperaturat e ulëta në Evropë

Temperaturat e ulëta në të gjithë Evropën kanë lënë më shumë se 20 të vdekur dhe mbuluan madje edhe ishujt grekë dhe Italinë jugore në borë.

Në Itali janë anuluar shumë fluturime derisa shkollat në pjesën jugore pritet të mbyllen të hënën.


Turqia ka qenë gjithashtu e prekur keq nga moti i ftohtë. Bosfori ishte mbyllur për lundrim të anijeve pasi një stuhi bore e rëndë goditi Stambollin.

Të paktën 10 njerëz kanë vdekur nga të ftohtit në Poloni. Temperaturat e natës në Rusi ranë në -30 gradë celsius, transmeton Klan Kosova.

Në veriun e Greqisë temperatura ka rënë në -15 gradë celsius, ku një emigrant afgan ka vdekur nga të ftohtit e javës së kaluar dhe rrugët janë mbyllur. Në Athinë, temperatura arriti mbi 0C derisa disa prej ishujve janë të mbuluar me borë.

Disa nga ishujt grekë janë “shtëpi” të mijëra emigrantëve dhe shumë prej tyre janë duke u transferuar në strehim të përkohshëm dhe tenda të nxehta.

Hostelet në Itali kanë hapur dyert e tyre për të pastrehët derisa moti ishte “fajtor” për vdekjen e shtatë personave, pesë prej tyre që ishin pa kulm mbi kokë.

Praga ka pasur natën më të ftohtë deri më tani këtë dimër derisa zyrtarët çekë thonë se deri tani janë raportuar tri vdekje, dy prej tyre të pastrehë.

Moti i ftohtë pritet të vazhdojë edhe në shumë vende të Evropës gjatë fundjavës.