LAJMI I FUNDIT:

Partitë përgatiten për zgjedhjet, fillojnë kalkulimet me emrat e kandidatëve për deputet

Partitë përgatiten për zgjedhjet, fillojnë kalkulimet me emrat e kandidatëve për deputet

Po bëhen gati për zgjedhjet e 11 dhjetorit duke hartuar listat me kandidatët për deputetë, por nuk japin emra. Nga OBRM-PDUKM theksojnë se po punojnë në përpilimin e listave, ndërsa sipas tyre është herët të përmenden emra. Por kjo parti në listën e deputetëve që kishte dorëzuar në KSHZ për zgjedhjet e dështuara të 24 prillit si bartës të listave kishte përfshirë: Nikolla Gruevski, Nikolla Popovski, Ilija Dimovski, Nikolla Todorov, Antonio Milloshoski dhe Vllatko Gjorçev.

Nga LSDM thonë se po bëhen gati, por nuk duan të komentojnë në lidhje me emërtimin e të parëve në listat zgjedhore.

“Për të gjithë pyetjet që kanë të bëjnë me politikën duhet të drejtoheni tek qendra për komunikim e LSDM-së. Unë nuk përgjigjem në pyetje të këtilla”, u shpreh Oliver Spaskovski, Sekretar i përgjithshëm i LSDM.


Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim , Bujar Osmani tha se që nga dita e sotme kanë filluar konsultimet se kush do të kryesojë listat nëpër njësitë zgjedhore.

“Ende është herët të flitet për këtë gjë. Prej sot kanë filluar konsultimet se kush do të jenë bartësit e listave”, tha Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së, njofton Tv 21.

Nga Partia Demokratike Shqiptare nuk deshën të komentojnë asgjë.

Edhe partitë e tjera politike theksojnë se kanë nisur përgatitjet dhe debatet e brendshme lidhur me hartimin e listave për deputetë.

Analisti Albert Hani shprehë mëdyshje se partitë kryesore do të shkojnë me emrat e njejtë të shumicës së deputetëve të përbërjes së deritanishme. Kjo sipas tij, bëhet vetëm për shkak të imunitetit.

“Formacioni i njëjtë nëse nominohen nga partitë politike do të ishte një vetëvrasje ose një autogol posaçërisht për partitë LSDM dhe BDI, meqenëse priten shumë risi nga këta dy parti”, tha Albert Hani, Analist Politik.

“Ka ndodhur edhe në të kaluarën që funksionarë politik të fshehën pas imunitetit të deputetit. Jo vetëm Ali Ahmeti jo Gruevski, po kush edhe të ketë qenë i përmendur dhe ka indikacione se ka mundësi të kenë pas ndonjë akt kriminal besoj se e ndershme do të ishte, që ata persona të mos ishin më në listë”, shtoi Hani.

Më 18 nëntor së voni deri në 18 nëntor KSHZ duhet t’i bëj publik listat me emrat të cilët do të kandidojnë për deputetë për zgjedhjet e 11 dhjetorit. /Telegrafi/