LAJMI I FUNDIT:

Manipulimi i zgjedhjeve, Obama ironizon fjalët e Trump

Manipulimi i zgjedhjeve, Obama ironizon fjalët e Trump

Konferenca për shtyp e presidentit amerikan Barack Obama para pushimeve kishte si qëllim nënvizimin e sukseseve ndaj Shtetit Islamik.

Por, pavarësisht fjalëve për terrorizmin, Rusinë dhe sfida të tjera gjeopolitike, thelbi i fjalimit ishte mjaft i qartë: të jesh president i SHBA është punë serioze dhe republikani që kërkon vendin e tij nuk është i përshtatshëm për zyrën ovale.

Obama ironizoi komentet e fundit të Donald Trump se sistemi i zgjedhjeve mund të manipulohet dhe i kërkoi kandidatit republikan që të sillet si president, meqë së shpejti do të njihet me informacione sekrete, duke lënë të kuptohet se nuk beson që miliarderit njujorkez mund t’i besohen armët bërthamore.


Obama tha se kushdo mund të gjykojë vetë nëse një njeriu si Trump mund t’i lihen në dorë apo jo kodet bërthamore, diçka që është një çështje shumë serioze.

Ndërsa komentin për manipulimin e zgjedhjeve, Obama e cilësoi si qesharak.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se manipulimi i zgjedhjeve është diçka që nuk do të ndodhë kurrë dhe i sugjeroi Trumpit që të përpiqet t’i fitojë zgjedhjet.

“Nëse Trump është 10 apo 15 pikë përpara në sondazhe ditën e zgjedhjeve dhe pastaj i humbet ato, mbase mund të ngrejë ndonjë dyshim. Por nuk më duket se është kështu”, deklaroi Obama, duke ironizuar me gjendjen e Trump në sondazhe që nuk paraqitet aspak e mirë.

Këto ishin kritikat më të fundit nga Shtëpia e Bardhë për Trumpin, ndërsa presidenti është angazhuar ndjeshëm në fushatë për t’u siguruar që në zyrën ovale ta pasojë Hillary Clinton. /TCH/